Artur SPANJOLLI
Pyetja është tepër themelore, e vështirë dhe disi abstrakte, për t’i dhënë një përgjigje të saktë, për shumë arsye. Fenomeni i ruajtjes dhe kultivimit të një identiteti kulturor të unifikuar, për mendimin tim mund të ndodhë, por jo tani. Ai do të vijë në të ardhmen ndoshta. Pak nga pak. Me një ndërgjegjësim më të madh intelektual të shqiptarëve. Si krijuesit, shoqatat e kulturës, fondacionet, deri edhe politikat kulturore që do të ndërmarrë, financojë dhe përkrahi vetë shteti. Në mënyrë që vetë qytetari shqiptarë, ta ndjerë më shumë peshën dhe rëndësinë e një identiteti kulturor të unifikuar.
Fakti që ne shqiptarët kemi unifikuar gjuhën para njëqind e dhjetë vjetësh, tregon se një hap të rëndësishëm e kemi bërë. Në përgjithësi, gjuhën e një vendi e kanë bërë, vendosur, përcaktuar shkrimtarët e mëdhenj. Dante. Shekspiri, Servantesi etj. Tek ne ka ndodhur pak ndryshe. Mbizotëroi, ose predominoi dialekti i jugut, edhe pse sipas meje, një pjesë e shkrimtarëve më të mirë ishin nga veriu. Fishta, Koliqi,Camaj, Mjeda, Migjeni, Mekuli, Podrimja, Rreshpjën etj karshi, ose përballë Frashërit, Kutelit, Poradecit, Nolit, Konicës, Kadaresë etj. Letërsitë në dialekt nuk bëjnë gjë tjetër veç se e pasurojnë akoma dhe më shumë jetën letrare të një vendi. Por…Për të mos dalë nga tema, të flasësh për një identitet të spikatur kulturor, dhe sidomos, të flasësh për një politikë shtetërore unifikuese, më duket një utopi krejt pa të ardhme, për vendin tonë. E shoh të pamundur që shteti, politika jonë të merret me ideale kaq fisnike.
Identiteti kulturor i një vendi, një pjesë e mirë e të cilit shprehet falë dhe nëpërmjet librit, sipas vizionit tim, do të vazhdojë të eci akoma me paralelët e saj. Ajo do të ketë variantet e saj kulturore (fetare, krahinore, dialektore, sociale), por ajo në tërësinë e saj, do të jetë pjesë e një familje të vetme. Asaj shqiptare. Pjesë e kulturës sonë, e cila flet me të njëjtën gjuhë të unifikuar. Ashtu si puzzle-t e një figure, të cilat, veç e veç nuk arrijnë dot ta formojnë të përgjithshmen e figurës, tërësinë e saj pra. Po ashtu edhe diferencat kulturore, krahinore, fetare, dialektore dhe sociale, të tëra bashkë kontribuojnë dhe do të kontribuojnë në të ardhmen, krejtësisht o pjesërisht të shkëputura nga njëra tjetra, por në tërësinë e saj, do të krijojnë figurën tërësore të identitetit tonë kulturor dhe kombëtar.
Vendi ynë, besoj se ka më shumë se askush nevojë për një identitet më të spikatur kulturor. Të gjithë popujt e vegjël, kanë arritur t’i mbijetojnë asimilimit, fale kryeneçësisë së anëtarëve të saj për t’i ruajtur traditat, zakonet, veshjet, këngët, vallet, muzikën, bindjet, shprehjet frazeologjike dhe sidomos gjuhën. Një identitet solid, do të na bënte akoma më mirë ne shqiptarëve për të kuptuar, kush jemi, si jemi dhe sidomos ku jemi. Në ç’pikë të civilizimit gjendemi. Në ç’pikë të emancipimit. Pra, një identiteti i spikatur kulturor sipas mendimit tim, do ta shpinte atë akoma më shpejt drejt Evropës së civilizuar.
Mar nga HEJZA