“PËRPLASJA” E KULTURAVE DHE E KUJTIMEVE*

7 Minuta Lexim
Vangjush Saro
(Duke medituar për versionin ideal të librit “Shqipëria në dy kohë”, që është edhe… “Shqipëria e çdo kohe”**)
Në gjimnaz bënim rusisht, por tekstet ishin plot ideologji. Profesor Bozhidar Marash, një shqiptaro-malazez shpirtnjeriu, që e fliste keq shqipen – e dinte se unë shkruaja e kisha filluar të botoja – më inspironte më tej: “Saro, mësoje rusishtja, lexoji Tollstoi origjinal…” (Në fakt, në Universitet po, lexova disa autorë pjesërisht në origjinal: Gorkin, Eseninin, madje dhe Hashekun (në rusisht, sidomos tregimet) sepse çdo dy javë duhej të përkthenim 30 faqe aso.) E vërteta është që ne fituam shumë nga Letërsia Ruse dhe emrat e mëdhenj të saj: A. Pushkin, N. Gogol, M. Lermontov, M. Gorki, M. Shollohov, etj. Jam habitur kur kam lexuar kohë më parë – në një medie ndër më të besueshmet – përfundimet e një ankete për 10 librat më të mirë në kohëra; mes tyre, katër ishin të autorëve rusë: “Ana Karenina” e “Lufta dhe paqja” L. Tolstoi, “Novela” A. Çehov, “Lolita” V. Nabokov. Në një tjetër anketë, gjithnjë ndër më të besueshmet, për autorët më të njohur, sërish gjenden të listuar po ata, shto F. Dostojevskin.
Ajo kulturë, ashtu siç erdhi tek ne, nga “Frymë të vdekura” te “Garda e re”, njëfarësoj përplasej me prirjen tonë për të mësuar nga Kultura Perëndimore. Në fillim, thjesht kuriozitete, emra, këngë. Vëllai i madh, Ilia, që mësonte në Tiranë, kur vinte për Vitin e Ri a në verë, më sillte fotografi të A. Çelentanos, Minës, K. Kazelit, etj. Ne dëgjonim bashkë Sanremon, në radion e vjetër e të prishur që, për rastësi, ishte edhe ajo italiane. Kurse Radio Praga u bë stacioni ku “faleshim” çdo ditë, nga ora 1 e drekës deri në 2… Ajo transmetonte (për emigrantët kryesisht) këngë italiane. Për të dëgjuar “Pragën”, shpesh bëheshim bashkë me shokët e lagjes: Dhimitër Dhimitri, Petrika Andoni, Vangjush Gorari, Petrika Saro, Bardhyl Nazemllari, etj. Kur koha nuk premtonte (shtëpia ime ishte në krye të qytetit, kur merrje për Mborje) për të mos e humbur “Pragën”, kthehesha te Koço Broka, ku vinin edhe Vasil Shunda e Bujar Gaxhaj; në ndonjë rast edhe te Koço Jota, ku me ne bashkoheshin edhe motra e tij, Ela e, ndonjëherë, edhe Keti Koti (më pas – një aktore e njohur). Por nga këto “aventura kulturore” nuk shpëtonte as shtëpia e madhe e shokut tim Alqi Mulo, ku mblidheshim shpesh për mbrëmje – që fillonin si “ditëlindja” e dikujt, këtu dhe te Pandi Papando ose Irena Gjoka – por edhe për të dëgjuar muzikë (kitarën e Theofan Xegës) e për të “bërë muzikë” edhe vete me Pandeli Kananin e Vaso Pecin, me një kitarë të çakorduar që “i bënte Bidëllsat fërtele”…
Biblioteka qe një nga vendet “e shenjta”; shkoja me shokun tim Kostaq Duka (poet, dramaturg) dhe ishim nën kujdesin e përkthyeses Klara Çelo – vajzë e bukur, e kulturuar. M. Tuen, K. Kolodi, D. Defo, De Amiçiz, H. K. Andersen, Zh. Vern, L. Caroll, ishin ndër emrat e parë që hasëm nga Kultura Perëndimore. Teatri “A. Z. Çajupi” (ku Piro Mani kishte guxuar të vinte në skenë “Pamje nga ura” të dramaturgut amerikan A. Miler) dhe Kinema “Morava”, ishin shkollë për ne; veças kjo e fundit, ku shpesh tentonim të hynim me bileta “fallco” (siç i thonë në Korçë) për të parë Zhan Gaben, Belmondo, Sofia Loren, Stive Rives, Lolobrixhida, etj.
Ndonjëherë ia kthenim edhe ne vetë me shfaqje, ku binin në sy Edmond Budina, Andrea Pepi, Thimi Gërnjoti, Dhimitër Disho, e në disa aso edhe Agim Xhafka e Fredi Beta. Në Pallatin e Kulturës zhvilloheshin regullisht aktivitete e diskutime dhe ne – përfshi Thani Naqon, Skënder Demollin e Agim Isakun, që vinin nga Devolli – patëm nderin të rrinim pranë shkrimtarësh e poetësh: Vangjush Ziko, Sotir Andoni, Teodor Laço, Petraq Zoto, Andon Mara, Petraq Samsuri, Hamza Koçiu, etj. nga të cilët mësuam shumë, në aspektin kulturor dhe në atë të të shkruarit.
Në Universitet u hap një botë tjetër; ne ndryshuam e, ndonjëherë, na dukej sikur kishim kapur qiellin… Pastaj ktheheshim në realitet. Gjithsesi lexonim shumë, por edhe botonim pareshtur, sepse, përveç të tjerave, për çdo krijim të botuar e çdo bisedë të realizuar (në Radio a TV) merrnim honorare (lekë). Kur zumë fshatrat e provincën, jeta e kultura morën pamje tjetër në sytë tanë; herë na mposhtte lodhja e pasiguria, herë gjenim mundësi për t’i parë gjërat edhe më nga afër dhe me realizëm. Ishin episode gjithaq me vlera, krahas mundimeve (që s’mund të përmblidhen në pak fjali dhe as është vendi këtu).
Që ta mbyll këtë kapitull, jeta është shans; por kultura dhe talenti për të shkruar – nëse i ke ato – mund të zbulohen e të plotërohen edhe në moshë të shkuar e në vonesë të tejme; dhe s’ka asgjë të keqe. Gjithkush që mundohet të ofrojë një punë, duhet respektuar. Mjerimi është që disa mendojnë se historia, letërsia, librat, të gjitha këto fillojnë atëhere kur zënë fill ata… (E çova vetë në kakofoni fjalinë e fundit, se këtu grotesku shtyn tutje çdolloj sinqeriteti e lirizmi.)
Lexohemi.
……………………………………………………………………………………
*Kulturë është një fjalë e madhe, që shkon përtej historisë, librave, këngëve, filmave; (mbase këto janë “pjesa e preferuar” e termit.) Fotoja: Në ceremoninë e dhënies së titullit Qytetar Nderi në Gramsh (duke u dhuruar bibliotekave të atjeshme, me modesti, disa nga librat e mi).
**Libri mund të gjendet: Librari ART’S (Pranë shtatores Zogu I) Libraria ALBANIA (pranë shkollës “Edit Durham”) Libraria QENDRA STEFAN (Sheshi te Pazari i Ri) Librari Galatea (Pranë Shkollës së Baletit) Brenda qytetit të Tiranës – me porosi në numrin: 068 22 190 16. Mund të porositet po online edhe tek entet Bukinist e Librat.al

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull