11 SHTATOR 2001-11 SHTATOR 2022, AL-QAEDA RREZIQET, KËRCËNIMET DHE MËSIMET E NXJERRA NË LUFTËN KUNDËR SAJ.

17 Minuta Lexim
11 SHTATOR 2001-11 SHTATOR 2022, AL-QAEDA RREZIQET, KËRCËNIMET DHE MËSIMET E NXJERRA NË LUFTËN KUNDËR SAJ.
Në mëngjezin e datës 11 shtator të vitit 2001, katër grupe terroristësh të al-Qaedës ekzekutuan katër sulme terroriste të koordinuara kundër infrastrukturës ekonomike, politike, diplomatike dhe ushtarake të SHBA-ve. Si pasojë e sulmeve u vranë 2.996 persona dhe u plagosën mbi 6.000 të tjerë, u shkaktuan rreth 500 miliardë dollarë dëme materiale edhe në infrastrukturë.
Sulmet terroriste u realizuan si pasojë e rrëmbimit të katër avionëve që operoheshin nga dy linjat kryesore kombëtare ajrore të pasagjerëve “United Airlines” dhe “American Airlines”. Të gjithë avionët ditën e sulmit u nisën nga SHBA-të dhe 19 rrëmbyesit ishin terroristë të AQ. Dy nga aeroplanët, avioni me Fluturim nr-11 i American Airlines dhe avioni me Fluturim me nr-175 i United Airlines, u përplasën me kullat e Veriut dhe të Jugut në kompleksin e Qendrës Tregtare Botërore, Manhattan.
Brenda një ore e 42 minutash të dy kullat 110 katëshe u shembën përtokë. Si pasojë e rrëzimit të tyre, u shkaktua një dëmtim i rëndë i të gjitha ndërtesave të tjera përreth kompleksit në Qendrës Botërore të Tregtisë, përfshirë këtu dhe kullën 47 katëshe të Qendrës Botërore të Tregtisë.
Një aeroplan i tretë me numër fluturimi nr-77 i kompanisë American Airlines, u përplas me ndërtesën e Pentagonit në Arlington County, Virxhinia, si pasojë e të cilit u shkaktua shkatërrimi i pjesshëm i pjesës perëndimore të ndërtesës së saj. Aeroplani i katërt me numër fluturimi nr-93 i United Airlines u nis drejt Washingtonit D.C. por udhëtarët e saj i penguan pengmarrësit që ta përpasnin në objektivin e zgjedhur nga ana e tyre, duke e rrëzuar në një fushë në Stonycreek Township, afër Shanksville në Pensilvani.
Sulmi terrorist i 11 shtatorit 2001 është sulmi terrorist më vdekjeprurës në historinë e SHBA-ve, që shkaktoi përveç mijëra civilëve edhe humbjen e jetës së 343 zjarrfiksve dhe 72 oficerëve të policisë së NYPD.
Edhe pse kanë kaluar tashmë 21 vite që nga koha e kryerjes së sulmeve të tmerrshme terroriste të 11 shtatorit 2001, al-Qaeda (AQ) përsëri paraqet një rrezik potencial të rrezikshëm. Sot duket ndryshe po ta krahasojmë me aftësitë operacionale të grupit që vetëm në një sulm terrorist shkaktoi vdekjen e rreth 3000 qytetarëve amerikanë.
Kjo padyshim i dedikohet punës së palodhur të 17 agjensive amerikane të inteligjencës, forcave të saj ushtarake, agjensive të saj ligjzbatuese, forcave ushtarake të NATO-s, ku një vend modest kanë edhe forcat tona speciale dhe komando me misionet ‘Eagle 1-8’ në Afganistan, të cilat kanë ushtruar një presion të jashtëzakonshëm në luftën kundër-terrorizmit në Irak, Afganistan, Pakistan, Siri, Jemen, Libi, Nigeri, Somali, Mali, etj duke vrarë pothuajse të gjithë drejtuesit e saj kryesorë, përfshirë së fundi edhe vrasjen e emirit të AQ, Dr. Ayman al-Zawahiri në Kabul në datën 31 korrik 2022, duke bërë të mundur shkëputjen në një farë mënyre të këtij grupi nga grupet e tjera rajonale dhe globale terroriste.
Al-Qaedës i është vështirësuar mbajtja e ritmit operacional, mbështetja e grupeve nën komandën e saj, ajo po humb lidhjet me bazën e saj mbështetëse globale, pasi udhëheqja qëndrore e saj e ka humbur aftësinë për të projektuar një zë të unifikuar dhe udhëzues për të ardhmen. Tashmë që Dr. Ayman al-Zawahiri u vra, gjykoj edhe pse nuk është shpallur akoma emri, emiri i ri mund të emërohet drejtuesi më i lartë i Komitetit Ushtarak egjiptiani ish kolonel i forcave speciale Saif al-Adel.
Një nga sfidat më të mëdha të AQ është fakti se lëvizja po përpiqet të ekzistojë si organizatë dhe si kreu i një rrjeti organizatash terroriste të decentralizuara. Duke marrë parasysh natyrën e lëvizjes së frymëzuar nga AQ, mendoj që është e vështirë që të vlerësohen dhe parashikohen lëvizjet e sakta të saj.
Udhëheqësit e AQ kanë qenë prej kohësh të prirur për të hiperbolizuar, për të tejkaluar mundësinë e kapaciteteve të saj e për të gjetur rrugë të reja për të rimarrë rolin e tyre si drejtues në lëvizjen xhihadiste globale. Por për sytë e ndjekësve të tyre radikalë, përkrahësve të saj ideologjikë, fatmirësisht ajo ka dështuar për të ekzekutuar sulme terroriste si ato të 11 shtatorit 2001 në New York, Washington, sulmet në Madrid, Londër, Stamboll, Bali, Jemen, etj.
Por edhe pse AQ është goditur fuqishëm, mund të themi se kjo strategji pragmatiste lokale u shfaq dukshëm nga mënyra se si po veprojnë grupet e lidhura me AQ në Siri (AQS). Shembulli më i qartë ishte grupi i njohur si Fronti al-Nusra, i cili zbatoi në mënyrën më efektive një qasje ndaj xhihadit që kishte treguar sukses të plotë gjatë fushatave të AQ në Jemen dhe në Mali.
Duke përqëndruar me efektivitet të plotë energjitë e grupeve xhihadiste në vendet e rajonit, duke zhvilluar një qasje gjithëpërfshirëse me popullsinë lokale në vend, duke ndaluar kodin penal, duke ndërtuar aleanca me të gjithë aktorët dhe faktorët Islamik dhe jo Islamik, duke i shërbyer popullsisë me ushqime, shërbime shëndetësore, ujë, drita dhe nevojat kryesore sociale, Fronti al-Nusra ndërtoi një nivel të lartë të besueshmërisë popullore, në mënyrë të tillë që asnjë bashkëpunëtor tjetër përveç AQ të mos afrohej në zonën e saj të veprimit. Në këtë mënyrë Fronti al-Nusra shfrytëzoi rrethanat dhe duke përdorur mënyrën e duhur të qasjes, i shfrytëzoi ato në interes të strategjisë së tij. Në ana tjetër ai tregoi se ishte aktori më i fuqishëm ushtarak në fushën e betejës, gjë që po vazhdon ta tregoi edhe sot në vitin 2022.
Fronti al-Nusra gjatë vitit 2017-2018, kaloi nëpër një proces ristrukturimi dhe riemërimi duke u shndërruar fillimisht në grupin Xhabhat Fateh al-Sham dhe më pas në grupin e fuqishëm Hayat Tahrir al-Sham (HTS).
Riorganizimi i parë i saj u realizua në mënyrë paqësore, ndërkohë që ristrukturimi i dytë u realizua si rezultat i bashkimit të grupeve xhihadiste dhe sulmeve të befasishme dhe të fuqishme ushtarake ndaj grupeve të tjera Islamike, të cilët konsideroheshin si kërcënime të mundshme të HTS-së. Një fakt i rëndësishëm për tu theksuar është se përpara se Hayat Tahrir al-Shami (HTS) të deklaronte shpalljen e saj në mediat botërore, ajo nuk konsiderohej më si një grup që kishte lidhje me AQ (që në fakt nuk është aspak e vërtetë).
Të shqetësuar dhe të zhgënjyer nga largimi i misionit, identitetit dhe kauzës xhihadiste të Frontit al-Nusra si dhe nga procesi jolegjitim që qëndronte prapa evolucionit të tij, besnikët e AQ u larguan nga radhët e tij në sasi të konsiderueshme. Nën udhëheqjen e veteranëve me përvojë xhihadiste prej disa dekadash në nivelet më të larta të AQ, këta besnikë të AQ krijuan grupe të reja, ku më kryesori është grupi Tanzim Huras al-Din (HAD), që ka kuptimin “Ruajtësit e Organizatës Fetare”.
Në kohën kur u formua në fund të vitit 2017, Tanzim Huras al-Din (HAD) udhëhiqej nga Samir Hijazi (a.k.a. Abu Hammam al-Shami), i cili ka qënë komandant i shquar ushtarak i AQ me eksperiencë luftimi në Jordani, Afganistan, Pakistan, Irak dhe Liban përpara se të mbërrinte në Siri në vitin 2012. Samir Hijazi ka qënë bashkëpunëtor i ngushtë i drejtuesit kryesor të Komitetit Ushtarak të AQ Saif al-Adelit dhe më parë ka punuar ngushtë me Abu Musab al-Zarqawin, duke koordinuar trajnimet e huaja për luftëtarët e huaj në Irak tek AQI.
Sipas informacioneve të inteligjencës amerikane, Samir Hijazi u zëvendësua si udhëheqës i Tanzim Huras al-Dinit (HAD) nga një figurë tjetër udhëheqëse e AQS, Khalid al-Aruri (a.k.a. Abu al-Qassam al-Urduni), i cili është një militant Islamik jordanezo-palestinez me lidhje të forta me udhëheqësit e AQ dhe al-Zawahirin.
Pas një periudhe tre vjeçare, SHBA-të kanë kryer tre sulme kundër objektivave të lidhura me AQ në veri-perëndim të Sirisë vitet e fundit, konkretisht në datën 30 qershor 2019, 31 gusht 2019 dhe 27 tetor 2019, pavarësisht se është ndaluar të operojë në hapësirën ajrore të Rusisë në Siri. Duke pranuar përgjegjësinë për dy sulmet e para, Komanda Qëndrore e SHBA-së (CENTCOM) i përshkroi dy objektivat e sulmit si: “Sulme kundër al-Qaedës në Siri (AQS) dhe operativëve përgjegjës që po planifikojnë sulme tëcilat kërcënojnë qytetarët amerikanë, partnerët dhe civilët e pafajshëm”.
Suksesi më i madh i forcave speciale amerikane në këtë zonë është padyshim vrasja në datën 27 tetor 2019 e drejtuesit të ISIS-it Abu Bakr al-Bagdati. Ai u godit pas një bashkëpunimi të suksesshëm midis CIA-s, DIA-s, MIT-it të Turqisë, GRU-së Ruse, Sirisë dhe kurdëve të Sirisë gjatë një sulmi nga forcat speciale amerikane në fshatin Barisha në provincën veri-perëndimore të Idlibit në Siri. Vrasja bëri që një pjesë e madhe e xhihadistëve të ISIS-it që vepronin në Siri t’i bashkohen grupeve të tjera xhihadiste të al-Qaedës në Siri dhe HTS-së.
Në momentin kur presidenti amerikan Joe Biden deklaroi datën e fundit të tërheqjes së trupave amerikane nga Afganistani 30 gusht 2021, komanda e përgjithshme e Talebanëve Shura e Quettas në drejtimin e Mullah Muhammad Yaqoob-it dhe Shura e Peshawar-it nën drejtimin e Sirajuddin Haqqan-it në bashkëpunim me ISI-in e Pakistanit dhe drejtorin e tij të përgjithshëm gjeneral leitnant Faiz Hameed filluan ofensivën me qëllim marrjen e kontrollit të Afganistan.
Pas marrjes së kontrollit të Kabulit në datën 15 gusht 2021, Talibanët afganë emëruan si kryeministër të tyre Mullah Mohammad Hasan Akhundin, një ndihmës i ngushtë i themeluesit të grupit Mullah Muhammad Omari. Kabineti qeveritar i Talebanëve përbëhet nga 33 ministri. Duhet theksuar se që në fillim ka patur një mosmarëveshje të madhe sa i përket krijimit të qeverisë Talebane dhe ndarjes së posteve qeveritare midis tre fraksioneve kryesore.
Lufta më e madhe është përqëndruar midis tre fraksioneve, emirit të përgjithshëm Mawlawi Hibatullah Akhundzada dhe Mullah Ahdul Ghani Baradar-it, klanit të Mullah Mohammad Jakub-it dhe klanit të Sirajuddin Hakan-it.
Tre personat më të rëndësishëm në qeverinë afgane janë përkatësisht zv/kryeministri Abdul Ghani Baradari kreu i zyrës politike të Talebanëve, Ministri i Brendshëm Sirajuddin Hakani, djali i themeluesit të Rrjetit Haqqani (HQN) dhe Ministri i Mbrojtjes Mullah Mohammad Jakubi, i biri i Mullah Mohammad Omar-it.
Është e rëndësishme të theksohet se nga 33 poste ministrore, 13 persona duke filluar nga kryeministri, ministri i brendshëm, ministri i mbrojtjes, ministri i inteligjencës dhe jo vetëm, vazhdojnë të ndodhen në listën e terroristëve globalë të përcaktuar nga OKB-ja, ku për informacione për vendodhjen e tyre shpërblimi është 10 milionë dollarë.
Fatkeqësisht tërheqja e shpejtë dhe dorëzimi i të gjithë zinxhirit komandues të ushtrisë dhe policisë kombëtare afgane mundësoi që Talebanët afganë të kenë në duar 56 bilionë dollarë armatime të dhuruara për 19 vite nga administrata amerikane dhe aleatët e saj.
Pjesë e kësaj asistence ushtarake përfshin mijëra mjete Toyota, Ford, mjete të blinduara HUMVEES, MAX PRO MRAP, mbi 120 dronë survejimi ku përfshihen dronet ScanEagle dhe avionët e zbulimit PC-12, rreth 211 mjete ajrore, 166 nga të cilat kanë qënë operacionale në muajin gusht 2021. Këtu mund të përmendim avionët e sulmit amerikan/brazilian Embraer A-29 dhe Cessna AC-208, shumë helikopterë amerikanë UH-69 BlackHawk, UH-60 A, UH-1H, MD-530 F dhe avionët e transportit amerikan C-130H, C-208BB dhe Boing 727 etj të dislokuara në bazat ajrore Bagram, Mazar-e Sharif, Shindand, Kandahar dhe Kabul.
Meqënëse bashkë me Talebanët afganë në përbërje të tyre, pjesë e ofensivës ne vitin 2021 ishin edhe mijëra xhihadistë, terroristë dhe militantë të rreth 22 grupeve terroristo/xhihadiste të gjithë bashkëpunëtorë me al-Qaedën, kjo e shton rrezikun se së shpejti territori i Afganistanit do të rikthehet në atë që gjatë viteve 1996-2001 njihej si “Universiteti i Terrorizmit Ndërkombëtar” për shkak të kampeve të shumta terroriste të stërvitjes në këtë vend dhe qëndrimit të rreth 500 anëtarëve të al-Qaedës në Afganistan (AQA).
Kjo u vërtetua së fundi ku vendndodhja e emirit të al-Qaedës Dr. Ayman al-Zawahiri ishte në Kabul, ndërkohë që gjatë marëveshjes me amerikanë në Doha, talebanët afganë kishin premtuar se nuk do të lejonin asnjë pjesëtar të al-Qaedës në Afganistan.
Si përfundim, al-Qaeda edhe pse është dobësuar pas vrasjes së emirit të saj Dr. Ayman al-Zawahiri në Kabul në korrik 2022, vazhdon të bashkëpunojë dhe ka lidhje të ngushta me organizatat e mëposhtme terroriste si: Al-Qaedën në Afganistan (AQA), al-Qaedën në Pakistan (AQP), al-Qaedën në Magrebin Islamik (AQIM), al-Qaedën në Somali (AQS), al-Qaedën në Gadishullin Arabik (AQAP-AQY), al-Qaedën në Siri (AQS), al-Qaedën në Subkontinentin Indian (AQIS) dhe HTO në Siri. Al-Qaeda ka lidhje indirekte me: ISIS-in, Brigadat al-Mulathameen, grupet terroriste al-Nusra, HTS, al-Mourabitoun, Ansar Dine, Abu Sajafin (e cila u bashkua me ISIS-in në vitin 2014), grupin Ansar al-Islam e cila u bashkua me ISIS-in në datën 29 gusht 2014, Lëvizjen Islamike të Turkmenistanit Lindor (ETIM), Emiratet e Kaukazit, grupet Fatah al-Islam, Talebanët Afganë, Talebanët Tekrik-e-Taliban në Pakistan (TTP), Talebanët Waziri, Rrjetin Haqqani (HQN), Lëvizjen e Forcimit të Ligjit Islamik Tehreek-e-Nafaz-e-Shariat-e-Mohammadi’ (TNSM), grupin terrorist Hafiz Gul Bahadur, Bashkimin e Xhihadit Islamik, Lëvizjen Islamike të Uzbekistanit (UIM), Jaish al-Mohammed-in (JEM), Jemaah Islaminë (JI), Lashkar-e-Taiban (LeT), Lashkar-e-Islam (LeI), Lashkar-e-Omar (LeO), Lashkar-e-Jhangvi (LJ), Grupin Hezb-e-Islami Gulbuddin, Lëvizjen për Xhihad në Afrikën Perëndimore, Grupin e Armatosur të Luftëtarëve Marokenë, Lëvizjen ‘Salah Suleiman’, etj.
Për të interesuarit për të lexuar/mësuar më shumë për strukturën e al-Qaedës dhe 12 komandave të saj operacionale në botë, kam botuar një kolanë e cila përbëhet nga 14 libra, të cilat analizojnë në detaje të gjithë strukturat operacionale, lidershipin, strategjinë, taktikat dhe sulmet terroriste të 12 komandave të al-Qaedës nëpër botë, së bashku me dy librat e tjerë: “Operacionet Terroriste” & “Grupet Terroriste” në të cilat analizohet bashkëpunimi global midis këtyre grupeve.
Pikë kontakti: Z. Bujar Karoshi: Tel 0692068603/0686508441, Shtëpia botuese M&B, Tiranë.
Dritan Demiraj, Ph.D.
11 Shtator 2022.
+5
Dritan Demiraj
Public figure
Send Message
Gent Londinezi, Nardi Olli and 1.4K others
101 comments
19 shares
Like

Comment
Share

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull