Xhovan Shyti
Mediat televizive kanë nisur fushatën e publicitetit duke anonçuar nisjen e sezonit të ri e së bashku me të edhe emisionet që publiku do të ndjekë në ditët vijuese. Është një sipërmarrje e shndërruar në praktikë standarte, nga viti në vit, dhe që, megjithë etiketimin theksueshëm për nisje të sezonit të ri, e reja në këtë mes është veç koha kalendarike, pasi gjithsa tjetër është jo e vjetër por e stërvjetër.
Emisionet janë po të njejta në të gjitha kanalet pa përjashtim. Të drejtuara nga moderator/e të rregjuar/a, me plot frymëzime partiake e që si kanë fare në hesap hallet e publikut të gjerë që, më tepër se kurrë, në këtë kohë krize të paparë, abuzimi me pushtetin dhe varfërimi ekstrem, kërkon avokati mediatike.
Gjë që, nga sa thonë spotet e fushatave prezantuese televizive, ka për të munguar edhe në këtë edicion të ri, me modërator/e emisionesh e gjithologë të vjetër. Me emisione të kopjuara keq nga tregjet e huaja mediatike. Me panele komenutesish e opinionistësh të majmur nga mercenarizmi dhe qenia ushtarë të bindur të pushtet-politikës, të cilët hahen e therren midis veti jo për hallet e shumicës takasapguese dhe të të vërtetës (çka dhe është misioni i gazetarisë), por për të mbrojt “nderin e humbur” të pronarëve pare-dhenës e liderëve politik që u ofrojnë përfitime të tjera personale, të pamerituara.
Përfitimet antiligjore shumëvjeçare nën hundën e pushteteve të biznesmenit Irfan Hysenbelliu, zotërues i tre mediave, të “zbuluara” ditëve të fundit, janë veç maja e ajsbergut e fytyrës së shfrytëzimit të gazetarisë dhe pushetit mediatik për përfitime të pamerituara. Sikur Irfani të ishte i vetmi infektimi nga virusi i shfrytëzimit të medias për qëllime përfitimi do ishte fare i papërfillshëm, do të ishte lehtësisht i kurueshëm.
Gjë që, në fakt nuk është i tillë. Nuk është thjesht virusal por epidemik. Pasi pronarët e mediave të të gjitha llojeve janë si Irfani. Përfitues, shfrytëzues për së keqi të lirisë së medias, emrin e të cilës e nxjerrin si barrikadë mbrojtëse sa herë u duhet të mbrohen ndaj përfitimeve të paligjshme.
Të gjithë janë shantazhues, përfitues tenderash, lejesh ndërtimi, abuzues me mospagimin e tatim-taksave, sigurimeve shoqërore e detyrimeve të tjera të punonjësve. Janë gllabërues sipërfaqesh toke publike në bregdet, male e fusha e jo vetëm, janë ndërtues objektesh pa leje etj. Është një histori që ka nisur më shumë se 30 vite më parë e që vijon ende.
Pikërisht këta biçim pronarësh kanë grumbulluar rreth vetes stafet e shërbetorëve që se kanë për gjë ta braktisin misionin e shenjtë të gazetarisë e ta hedhin vallen sipas qemanes së diktuar pronësore e pushtet-politikës. Mjerisht kjo prerje përbën armatën e pashqitëshme të gjithologëve të vjetër, që nga sa po duket do ti kemi peshqesh sërish edhe në këtë sezon të ri.
Nëpër po të njejtët ekrane, nëpër po të njejtat emisione, nën po të njejtat llogore politike e flamuj partiake, që do vijojnë të dërdëllisin shumë për të mos thonë asgjë të hairit, përveçse kur rasti do t’ja doj të hidhen në zjarr për të mbrojtur jo lirinë e vërtetë mediatike, por nderin e humbur të pronarëve pa nder dhe kampit politik.
PS: Fatkeqësisht i njejti virus ka prekur edhe TVSH-në që financohet nga publiku, por që vijon të mos jetë i tiji. Megjithse në krye të RTSH-së është vendosur një drejtues i ri, Enkel Joti, në ky nuk do ndërmarrë reformën për të cilën është zotuar, të njejtët “gjithologë” të lashtë do t’i gjejmë të ulur këmbëkryq nëpër emisionet e tryezave të debatit politik, duke tjerë opinione e komente bajate, pa kurrfarë vlere për publikun financues, por me shumë vlerë për përfitimet e tyre personale.