Strehimi social, nga një skemë për të mbështetur familjet në nevojë, për të përfituar shtëpi me kredi të butë, është kthyer në mundësinë e artë të atyre që punojnë në administratë. Të dhënat e mbledhura nga Investigative Network Albania sugjerojnë se zyrtarë të lartë dhe punonjës të vetë bashkive, që edhe menaxhojnë fondet e strehimit, janë përfituesit më të mëdhenj të kësaj skeme. Sipas të dhënave zyrtare, 35 mijë familje kanë probleme serioze me strehimin.
Procesi i kredive të buta, pjesë e programit social për të mbështetur familjet në vështirësi, për të siguruar një banesë, është shoqëruar shpeshherë me abuzime dhe favorizime të padrejta, duke futur në listë edhe drejtues e zyrtarë të lartë.
Nga një hulumtim i listës së fituesve të vitit 2021 në Bashkinë e Tiranës, rezulton se një pjesë e konsiderueshme e përfituesve të kredisë së butë janë punonjësit e vetë administratës së bashkisë, por edhe asaj qendrore.
Plot 155 përfitues janë administratë e vetë Bashkisë së Tiranës. Më konkretisht, 88 të punësuar në institucionin qendror të bashkisë, 27 në Drejtorinë e Përgjithshme të Çerdheve dhe Kopshteve, 4 në Agjencinë e Parqeve dhe Rekreacionit dhe 20 në Ujësjellës-Kanalizime, Tiranë, 9 përfitues rezultojnë të punësuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Pastrimit, Gjelbërimit; 7, Tirana Parking.
Mes tyre ekspertë, drejtorë drejtorish dhe përgjegjës sektori kanë përfituar kredi të butë me interes 3%, një normë interesi që përdoret për të ndihmuar familjet që nuk kanë aftësi pagese.
Në Bashkinë e Tiranës janë trajtuar me kredi me interes të ulët 2.405 familje gjatë vitit 2021, ndërsa janë përjashtuar nga kjo skemë vetëm 176 aplikantë.
Në një hulumtim i të dhënave të përfituesve në databazën e të dhënave të pagave, të rrjedhura në vitin 2021, rezulton se nga 2.405 përfitues, 890 janë punonjës të administratës publike.
Tiranë, përfiton administrata
Në listën e përfituesve të Bashkisë së Tiranës ka persona të punësuar në Prokurorinë e Tiranës, Gjykatën e Tiranës, Spitalin Universitar “Nënë Tereza”, por edhe nga përfaqësitë diplomatike, të cilët, ndonëse vetëm me pagën e tyre të deklaruar e kalojnë nivelin maksimal, të përcaktuar për përfitimin e kredisë me kosto të ulët, që është 131.729 lekë, e përllogaritur për t’u përfituar hapësira 3+1, sërish rezultojnë njerëz që kanë nevojë për një strehë. Në këtë shifër nuk janë të përfshira të ardhurat nga persona të tjerë të familjes përfituese, që, në rast se do të ishin të punësuar, qoftë edhe me pagë minimale, të ardhurat e tyre do të rriteshin edhe më shumë, duke u përjashtuar nga trajtimi në një nga programet e strehimit social.
Sipas Vendimit të Këshillit Bashkiak, përfitimi i kredisë ndahet në katër nivele dhe për secilin është përcaktuar niveli minimal dhe maksimal i të ardhurave në familje. Kështu, për një familje me dy persona (çift) kufiri maksimal i kredisë që mund të përfitojnë është 4.456.850 lekë, niveli minimal i të ardhurave është 31.317 lekë, ndërsa ai maksimal është 81.852 lekë. Për familjet me tre persona niveli i të ardhurave minimale është 37.581 lekë, ndërsa ai maksimal është 12.0412 lekë. Familjet me katër persona për të përfituar kredinë të ardhurat e tyre duhet t`i kenë minimalisht 43.844 lekë dhe maksimalisht 133.555 lekë. Kategoria e fundit, familjet me 5 ose 6 anëtarë kanë prag minimal të ardhurash 53.239 lekë dhe maksimal, 131.729 lekë. Dokumentet e aplikantit duhet të jenë brenda këtyre kritereve, të përcaktuara nga Këshilli Bashkiak, në të kundërt aplikuesi skualifikohet. Por, në këto shifra përfshihen të ardhurat e të gjithë pjesëtarëve të familjes dhe jo vetëm të një personi që aplikon, që është kryesisht kryefamiljari.
Nga ana tjetër, vlen të theksohet se të punësuarit në Bashkinë e Tiranës janë përfitues të kredisë dhe mbajnë pozicione të ndryshme në këtë institucion. Spikat në këtë kategori ai që cilësohet si “Specialist i nivelit të lartë”, gjithsej 55 përfitues me këtë pozicion pune, por paga nuk është e njëjtë për të gjithë, minimumi i pagës është 33,688.00 lekë dhe maksimumi 96,760.00 lekë. Në listë ka edhe përfitues nga sektori i Drejtorisë së Kopshteve dhe Çerdheve, duke filluar nga përgjegjësja, e cila ka një pagë prej 58,680.00 lekësh, specialisti i sigurisë dhe i teknologjisë së informacionit, me pagë 65,400.00 lekë, sanitare dhe shofer me paga minimale, edukatore me pagë 49,560.00 lekë, ndihmëskuzhiniere me pagë minimale, jurist me pagë 64,840.00 lekë, përgjegjës sektori me pagë 64,000.00. Ajo që vihet re është se, ndonëse emërtimet e pozicionit të punës janë të njëjta, pagat janë të ndryshme.
Ndërkohë që në administratën shtetërore rezultojnë përfitues të kredisë me kosto të ulët persona në pozicione drejtuese, të cilët kanë të ardhura që e kalojnë kufirin maksimal të të ardhurave për të përfituar kredi për banesë 3+1, e cila është e përshtatshme për familje që kanë në përbërjen e tyre 5 apo 6 anëtarë. Kjo kategori përfiton kredi 7.756.645 lekë dhe kufiri minimal i të ardhurave është 53.239 lekë dhe ai maksimal, 131.729 lekë. Personat në listë, me vetëm një pagë të deklaruar, e kalojnë kufirin maksimal të të ardhurave, pa marrë parasysh, nëse anëtarët e tjerë të familjes janë të punësuar dhe kanë të ardhura më të larta si familje.
Pjesë e listës janë edhe persona të punësuar në ministri të ndryshme apo në sistemin e drejtësisë. Përfitues rezultojnë Përgjegjës Sektori në Ministrinë e Financave me pagë 111,800.00 lekë, Këshilltarë të Ministrit në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, me pagë 114,280.00 lekë, dhe Këshilltarë të Ministrit në Ministrinë e Drejtësisë, me pagë 114,840.00 lekë.
Gjithashtu, pjesë e listës është një drejtor në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, me pagë 131, 000,00 lekë, një drejtor drejtorie në administratën shtetërore në Institutin e Lartë të Deklarimit të Pasurisë, me pagë 125,680.00 lekë, një përgjegjës sektori në Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale me pagë 132,300.00, një gjyqtar në Gjykatën e Tiranës, me pagë 233,838.00 lekë, një oficer policie në Departamentin për Kufirin dhe Emigracionin me pagë 120,500.00 lekë, dhe një inspektor shërbimi civil në Kontrollin e Lartë të Shtetit, me pagë 114, 645.00 lekë.
Në administratën shtetërore zë vend “specialist i nivelit të lartë” në çdo institucion, megjithatë niveli i pagës është i ndryshëm në institucione të ndryshme, por edhe brenda institucionit ku janë të punësuar disa specialistë.
Të pyetur nga INA Media se cili është komenti i Bashkisë së Tiranës pas analizës dhe konstatimit të personave përfitues, që marrin paga të larta mbi normat e përcaktuara në ligj dhe vendim tue këshillit Bashkiak, Drejtoria e Strehimit Social thotë: “Zbatimi i programeve sociale për strehim mbështetet në ligjin nr. 22/2018, “Për strehimin social”, dhe aktet nënligjore për zbatimin e tij, të cilat synojnë të përcaktojnë tërësinë e rregullave dhe procedurave administrative për mënyrat e planifikimit, sigurimit, administrimit dhe të shpërndarjes së programeve sociale për strehimin, me qëllim krijimin e mundësive për strehim të përshtatshëm dhe të përballueshëm, duke u mbështetur në aftësitë paguese të familjeve që kanë nevojë për strehim dhe në ndihmën e institucioneve shtetërore, përgjegjëse. Në pikën 45 të nenit 2, ligji nr. 22/2018 përcaktohet se “të ardhurat mesatare” janë niveli mesatar i konsumit familjar, sipas nivelit më të ulët territorial të disagregimit të të dhënave nga INSTAT-i dhe që publikohet në mënyrë periodike. Mosplotësimi i këtij kushti përbën kriter skualifikues. Sjellim në vëmendje se vlerësimi i nivelit të të ardhurave bëhet sipas dokumentacionit të dorëzuar në momentin e aplikimit dhe përfituesit e këtij programi janë brenda limitit të të ardhurave, të shpallur me thirrje publike”.
Pra, nëse dokumentet e dorëzuara janë brenda kritereve, nuk ka një hallkë tjetër që mund të kryejë verifikime, për të parë mundësinë e ndonjë abuzimi të mundshëm. Ndonëse Bashkia pranon se të gjithë aplikantët duhet të përmbushin kriteret e përcaktuara në vendimin e Këshillit Bashkiak, në listë ka persona me të ardhura mbi maksimumin e përcaktuar për të përfituar një banesë 3+1.
Tabela, që përcakton të ardhurat dhe hapësirën, që mund të përfitohet, parashikon të ardhurat minimale dhe maksimale të individëve aplikues, por kjo duket se nuk i ka penguar “të varfrit” me të ardhura të larta të aplikojnë dhe të përfitojnë nga programet e strehimit social. Në aplikimin për të përfituar nga programi i strehimit kredi me kosto të ulët llogariten të ardhurat e të gjithë pjesëtarëve të familjes. Nga analiza rezulton se të ardhurat e një personi kanë kaluar maksimumin e lejuar për të përfituar 3+1, që është e përcaktuar për familje me 5 ose 6 anëtarë, por, nëse edhe persona të tjerë janë të punësuar, të ardhurat rriten, duke bërë që kjo të mos konsiderohet familje në nevojë e për pasojë të trajtohet nga programet e strehimit.
Juristi Dhimitër Zguro sqaron se referuar nenit 33 të ligjit nr. 22/2018 “Për strehimin social”, subvencioni i qirasë është një instrument i programit të banesave sociale me qira, që ndihmon individët/familjet, që me të ardhurat e tyre nuk e përballojnë pagesën e qirasë sociale ose të qirasë reale.
“Nga leximi i kombinuar i përmbajtjes së nenit 13, pika 3, nenit 16 dhe nenit 20, rezulton se si rregull, në rast se kalohet kufiri maksimal i të ardhurave, subjekti nuk mund të përfitojë nga këto programe. Përjashtimisht, sipas nenit 20, pika 2, mund të përfitojnë dhe ato familje që kanë 100% deri në 120% të të ardhurave, me kushtin që numri total i këtyre familjeve të mos e kalojë 20% e familjeve që përzgjidhen të trajtohen nëpërmjet këtyre programeve”, – analizon juristi. Vlen të theksohet se, në rast se do të merreshin në shqyrtim edhe kategoritë, për të cilat janë shpallur përfitues të kredisë aplikantët, duke parë se për cilat sipërfaqe banesash kanë aplikuar dhe se sa persona janë të punësuar në familje, abuzimi mund të thellohet. Aktualisht janë evidentuar vetëm ata që e kanë kaluar maksimumin e të ardhurave për të përfituar banesën 3+1, e përshtatshme për 5 ose 6 anëtarë.
Zguro shtoi se “edhe VKM nr. 362, dt. 29.5.2019 “Për kriteret e dhënies së subvencionit të qirasë për kategoritë që gëzojnë përparësi në subvencionimin e qirasë në tregun e lirë nëpërmjet buxhetit të shtetit dhe mënyrën e llogaritjes së tij” mban të njëjtin qëndrim, kur në pikën e tretë shprehet se, që një familje/individ të përfitojë subvencionimin e qirasë, duhet të plotësojë në mënyrë kumulative dy kritere: së pari, subjekti duhet të jetë një nga subjektet e përcaktuara në ligj dhe, së dyti, nuk duhet të ketë të ardhura më të larta se ato të përcaktuara në ligj”.
Konkluzioni i juristit është se ka shkelje në dy raste: kur subjekti ka të ardhura më të larta se kufiri i përcaktuar dhe kur subjekti, megjithëse ka të ardhura mes 100-120% të kufirit, numri i familjeve përfituese me të njëjtin nivel të ardhurash është më shumë se 20% e listës totale të përfituesve.
Absurdi është se në këtë listë gjen edhe persona që kanë përfituar si të pastrehë, edhe pse kanë deklaruar paga marramendëse në disa miliona lekë në muaj.
Investigative Network Albania iu referua listës së pagave të vitit 2021, të rrjedhur në media, për të verifikuar vendin e punës dhe pagesën e secilit aplikant, nëse i përmbushin kriteret apo jo. Të dhënat e hulumtuara tregojnë se si të pastrehë kanë aplikuar dhe kanë përfituar edhe milionerë.
Lista kryesohet nga një inxhinier elektronik për informatikën, me të ardhura 655.604 lekë të reja në muaj. Nga verifikimet në Qendrën Kombëtare të Biznesit rezulton se ai është zotërues 100% i një kompanie, por kjo nuk e ka penguar të aplikojë si i pastrehë dhe të përfitojë kredi të butë me interes minimal.
Një tjetër përfitues, që ka deklaruar një pagë prej 254 mijë lekësh në muaj si kontabilist menaxhimi në një kompani private, gjendet në listën e atyre që kanë përfituar kredi të butë për të blerë shtëpinë.
Ndërkohë, një tjetër person, ndonëse merr një pagë prej 250.5 mijë lekësh të reja në muaj si drejtor financiar i administratës në një kompani private, është në skemën e Bashkisë së Tiranës për të marrë kredi sociale. Lista vijon me një tjetër person, me një pagë prej 245.2 mijë lekësh të reja në muaj, që punon si analist i sistemeve informatike të biznesit, që ka marrë kredi të butë për të blerë shtëpinë. Personi tjetër në listë, ndonëse ka deklaruar një pagë prej 180 mijë lekësh të reja në muaj, sërish është futur në listën e të pastrehëve dhe ka përfituar një shtëpi me kredi të butë e po ashtu edhe një tjetër, që deklaron një pagë mbi 160 mijë lekë të reja në muaj, rezulton përfitues.
“Legjislacioni në fushën e strehimit, në gjykimin tonë, nuk ka hapësira që lënë vend për abuzime, por ka nevojë për përmirësim, në mënyrë që të arrijë qëllimin e tij, si dhe të adresojë nevojat për strehim të përshtatshëm dhe të përballueshëm të qytetarëve”, – thotë Bashkia e Tiranës, e pyetur nëse e shikon të nevojshme ndërhyrjen në ligj.
Gjithashtu, në listën e përfituesve rezultojnë edhe 156 persona që jetojnë në rrethe, kur Ligji i Strehimit Social e përcakton qartë se, për të përfituar, duhet të jesh banor i asaj njësie vendore, ku aplikon për mbështetje. Vetë Bashkia e Tiranës thotë se janë plotësuar kriteret e vendosura dhe nuk ka shkelje të ligjit.
“Ky program synon të përfshijë dhe të mbështesë të gjithë individët dhe familjet që kanë vendbanim në territorin e Bashkisë së Tiranës, për këtë arsye çdo praktikë është shoqëruar me vërtetim për vendbanimin e aplikantit. Kjo do të thotë që në momentin e aplikimit familja/individi figuron i regjistruar në qytetin e Tiranës”, – largon përgjegjësinë nga vetja Drejtoria e Strehimit Social në Bashkinë e Tiranës.
Përballë janë dy ekstremet, milionerët, që janë përfitues të kredisë dhe nga ana tjetër të pastrehët, që nuk arrijnë të përfitojnë nga asnjë program strehimi.
Procedurat e padrejta
65-vjeçarja Bukuroshe Pajo jeton në një konteiner me të birin në kushte të varfërisë ekstreme, në qytetin e Vlorës. Ajo merr një pension prej 10 mijë lekësh, ndërsa djali mbledh kanoçe dhe arrijnë që së bashku të sigurojnë të ardhura 20 mijë lekë.
Prej pesë vitesh zgjidhja e vetme për nënë e bir është jetesa brenda një konteineri, pasi nuk kanë mundur të përfitojnë dot një banesë sociale.
Edhe pse ka aplikuar disa herë, është skualifikuar, pasi djali, ndonëse ka punuar për vite me radhë, nuk i ka të siguruara vitet e punës.
“Për mua është shumë e vështirë. Djalin e kam jetim, dua që të paktën të ketë një shtëpi të tijën, të punojë. Ka punuar për 5 vjet, nuk i hodhi në siguracion”, – shprehet Bukuroshe Pajo.
Bashkia e Vlorës ka hartuar një plan vendor strehimi, 5-vjeçar dhe përgjatë 3 viteve të fundit, 2019, 2020, 2021, kanë përfituar nga zbatimi i programit social të strehimit rreth 389 familje dhe individë. Në vitin 2021 kanë aplikuar për të përfituar kredi të butë nga buxheti i Bashkisë së Vlorës 177 persona, të cilët janë duke kryer procedurat e përfitimit të kredisë pranë bankës.
Njësoj edhe në Bashkinë e Korçës, gjatë 3 viteve të fundit kanë përfituar rreth 340 familje nga programet e strehimit. Për kredinë e butë për tre vitet e fundit ka patur rreth 200 aplikime dhe kanë përfituar 179 familje. Nga aplikimet për banesa sociale kanë përfituar rreth 120 familje në tre vitet e fundit. Ndonëse në përgjigjen zyrtare Bashkia e Korçës tregon buxhetin e përcaktuar për strehim social të tre viteve të fundit, në buxhetin afatmesëm, 2020-2022, nuk ka parashikuar asnjë fond.
Maksim Rushiti banon në lagjen ish-Gjeologjia prej 20 vjetësh dhe ai pohon se nuk e ka pasur asnjëherë mbështetjen e pushtetit vendor, ndonëse ka aplikuar disa herë për banesë sociale pranë bashkisë.
“Këtu ka mbi 20 vjet që kanë ardhur gazetarë, kanë ardhur të huaj e asgjë s’kanë bërë. Sidomos bashkia, asgjë nuk ka bërë. Unë për 5 vjet dal në pension. Çfarë dua unë nga shteti? Të paktën t’i vijë keq për mbesat, nipat, që po jetojnë në këtë lagje, ku edhe qeni nuk rron dot”, – thotë ai. Në këtë zonë në kushte të vështira jetojnë 21 familje.
Niveli i të ardhurave është kriteri që i skualifikon më së shumti familjet në nevojë.
E konceptuar si një skemë që të mbështesë shtresat vulnerabël, gjithsesi ato duhet të kenë mënjanë 20% të shumës së banesës që do të blejnë, si dhe të kenë një dysheme të ardhurash, që të garantojë shlyerjen e kredisë së butë.
“Për këtë kategori niveli i të ardhurave është shumë i paktë, sepse dimë që pjesa dërrmuese e tyre janë të papunë, janë me ndihmë ekonomike ose punojnë në punë të zezë, kështu që paga e tyre nuk mund të jetë e deklaruar dhe kjo i penalizon ata, që të jenë të përfshirë te politikat e ndryshme që janë për strehimin, siç është kredia e butë ose kredia me kosto të ulët”, – pranon Eva Tare nga Zyra Rajonale e Komisionerit të Mbrojtjes së Diskriminimit në Korçë, njëkohësisht dhe aktiviste e shoqërisë civile prej 20 vitesh.
Ish-këshilltari bashkiak, Akil Kraja, thotë se fokusi duhet të jetë zbatimi i ligjit të strehimit dhe për këtë duhen pasur parasysh disa elemente.
“I pari dhe shumë i rëndësishëm është informimi i herëpashershëm i qytetarëve për këto mundësi, si mund të aplikojnë, ku, kush përfiton, kur mbyllet procedura etj.”, – thotë Kraja.
Sipas tij, mënyra se si po zhvillohet Tirana, nuk po ecën në të njëjtën linjë me programet e strehimit që ka hartuar vetë Bashkia e Tiranës, duke bërë që aksesi në strehim të jetë gjithnjë e më i kushtueshëm.
“Rritja e taksave nga Bashkia e Tiranës dhe përqendrimi i ndërtimit të kullave në qendër (jo te bulevardi, siç planifikohej në projektin anglez), ka rritur kostot e banesave dhe të qirave. Është e domosdoshme që bashkia të ketë një vizion. Programi i strehimit është i mirë, por rritja e taksave e zeron atë, çka do të thotë se aksesi në strehim ka kosto gjithnjë e më të lartë”, – argumenton ish-këshilltari, Akil Kraja.
Ligji, i mirë, çalon zbatimi
Në vitin 2018 hyri në fuqi Ligji i ri për “Strehimin Social”, i cili parashikonte procedurat për t`u përfshirë në skemat e strehimit.
Deri në implementimin e tij u deshën 3 vite, derisa në vitin 2021 dolën edhe aktet nënligjore. Megjithatë, aktivisti Fatjon Kaca sërish është i pakënaqur. Sipas tij, ligji është i mirë, por nuk është zbatuar në terren.
“Kemi referuar raste të dhjetëra familjeve që kërkojnë ndërhyrje emergjente, një pjesë e madhe e tyre i përkasin minoritetit rom dhe egjiptian në disa zona të Tiranës, duke arritur të sigurojmë edhe dakordësinë për financim të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, por Bashkia e Tiranës nuk e ka gjetur vullnetin për t’i zbatuar”, – thotë Kaca.
Sipas tij, sado i thjeshtë dhe praktik të duket subvencioni i qirasë, as ai nuk i përmbush nevojat e familjeve që janë në emergjencë për strehimin.
“Jo vetëm që nuk arrin t`i mbulojë të gjitha kërkesat e nevojshme për strehim, por një pjesë e madhe e familjeve të pastreha apo që kanë nevojë për një strehim adekuat, mbeten pa u përfshirë si rrjedhojë e diskriminimit të tërthortë dhe burokracisë”, – tha ai.
Aktivistët mendojnë se ka mospërputhje, edhe sa i takon vlerës që subvencionohet si qira dhe çmimeve aktuale të tregut.
“Ekziston një hendek i thellë, real midis vlerës reale të qirasë dhe të ardhurave reale të këtyre individëve. Sipas raportit të KLSH, nëse iu përmbahemi vlerave reale të qirasë në treg, “për të qenë e përballueshme, për një banesë, madje periferike, në Tiranë, qytetari duhet të disponojë rreth 1,166 euro të ardhura në muaj, që çmimi i banesës të mos kapërcejë trefishin e ardhurave bruto”. Nëse do t’i referohemi statistikave të nivelit mesatar të pagave, kjo shumë është sa dyfishi i pagës mesatare, mujore, bruto për vitin 2020, e cila është 54,000 lekë. Kontradikta është e dukshme”, – analizon Adriana Rrokaj, aktiviste.
Nga 6 programe, vetëm 2 aktive
Aktualisht, Ligji “Për Strehimin Social” parashikon 6 lloje programesh sociale, nga të cilat mund të përfitojnë familjet dhe individët, të cilët plotësojnë kriteret. Këto programe janë:
a. Programi i banesave sociale me qira
b. Programi për përmirësimin e kushteve të banesave ekzistuese, deri në një ndërtim të ri
c. Programi i banesave me kosto të ulët
ç. Programi për zhvillimin e zonës me qëllim strehimi
d. Programi për krijimin e banesave të përkohshme
dh. Programi i banesave të specializuara.
Aktualisht, vetëm dy programe janë aktive: ai i bonusit të qirasë dhe ai i kredisë së butë.
Pavarësisht se kjo skemë ka nisur të aplikohet prej vitesh, problemi i strehimit ngelet një hot spot, që nuk ka mundur ta zbusë fenomenin. Sipas Ministrisë së Financave, e cila i referohet “Strategjisë së Strehimit Social, 2016-2025”, numri i kërkesave për të gjitha programet e strehimit social është rreth 35 mijë familje.
Nga viti 2016 deri në fund të vitit 2021 janë trajtuar 13 mijë familje të pastreha, pa përfshirë këtu familjet që u dëmtuan nga tërmeti i 26 nëntorit të vitit 2019. Bashkitë me numrin më të madh të kërkuesve janë Tirana, Elbasani, Korça, Durrësi, Fieri, Vlora, Shkodra, Kuçova, Lezha dhe Saranda.
Plotësimi i dokumenteve, pika e dobët
Programi i bonusit të qirasë, një program që synon të mbështesë me qira kryesisht gratë që kanë urdhër mbrojtjeje apo viktima të dhunës në familje, por edhe kategori të tjera sociale, po përballet me vështirësi të shumta për të plotësuar dokumentacionin.
Një ndër to është kontrata me qiramarrësin, dokument, i cili shpeshherë është bërë edhe shkas që t`iu digjet bonusi i qirasë.
“Mungesa e njërit prej dokumenteve të parashikuara në VKM 384/2019 e bën praktikën të paplotë. Mangësitë në dokumentacion, që hasen më shpesh, janë pamundësia për të gjetur banesë me qira, me kontrate qiraje, sipas përcaktimeve të Kodit Civil në programin subvencionimi i qirasë”, – pranon edhe vetë Bashkia e Tiranës.
Për juristin Adriatik Lapaj ligji ka problematika, për shkak se shtresat që janë shumë të varfra, diskriminohen.
“Për përfitimin e bonusit të qirasë qytetarëve në nevojë iu duhet të gjejnë shtëpi me qira dhe qiradhënës, që iu lidhin kontratë të ligjshme. Kjo nuk është e mundur në shumë raste, pasi qiradhënësit refuzojnë të hyjnë në marrëdhënie formale, pra të nënshkruajnë kontrata. Është një pikë që do ndërhyrje”, – argumenton juristi.
Edhe Avokati i Popullit pranon se plotësimi i dokumentacionit është një pikë që ka nevojë për rishikim.
“Qytetarët, të cilët i kanë adresuar shqetësimet e tyre pranë institucionit të Avokatit të Popullit, shprehen se kanë aplikuar, por kanë patur vështirësi në mbledhjen e dokumentacionit, mos-orientim të duhur nga ana e punonjësve të bashkisë, pasi kanë patur vështirësi në kuptueshmërinë e tyre, mosplotësim kriteresh, si dhe mungesë të banesave sociale”, – i thotë INA MEDIA-s institucioni i Avokatit të Popullit.
Sipas Avokatit të Popullit, gjatë vitit 2021 janë trajtuar rreth 60 raste të lidhura me strehimin, prej të cilave rezulton se 83% e rasteve rrjedhin si pasojë e problematikave të shkaktuara nga tërmeti.
Në një “Raport për efektivitetin e programeve sociale të strehimit në Bashkinë e Tiranës për gratë kryefamiljare dhe viktima të dhunës në familje”, të realizuar nga Prof. Dr. Marinela Soto, konfirmohen të gjitha vështirësitë e shtresave në nevojë për të përfituar strehim.
“Ky program ka disa kufizime, kufizimi më i rëndësishëm është niveli i të ardhurave, i kërkuar nga kriteret e aplikimit, si dhe kriteret për miratimin e kredisë. Niveli i të ardhurave, i kërkuar nga ky program, pengon një numër të madh grash kryefamiljare për të qenë përfituese nga ky program, për shkak se ato janë nën nivelin e të ardhurave mesatare”, – përfundon Soto./ Ivestigative Network Albania