Vuçiç: Po na rrëmbejnë Kosovën, nuk falim asnjë pëllëmbë tokë

2 Minuta Lexim

Ndërkohë, që Kosova është shtet i pavarur, presidenti serb Aleksandër Vuçiç vijon me propagandën e tij. Së fundmi ai ka thënë se Serbia nuk do të lejojë që t’i merret asnjë centimetër tokë nga Kosova.

“Kur jemi në prag të një kataklizme globale, duhet të kuptojmë se uniteti i të gjithë serbëve është i rëndësishëm. Serbia po përballet me shumë sfida, ata sulmuan Kosovën dhe Metohinë dhe duan ta rrëmbejnë duke dashur të përfundojnë atë që kanë nisur shumë kohë më parë.

Për këtë mund t’u them vetëm një gjë: ju dëshironi të na merrni tokë si në gjerësi ashtu edhe në gjatësi, por ne nuk do t’ju japim asnjë centimetër nga toka jonë”, tha Vuçiç.

Komentet i bëri nga qyteti Bijeljina, në Bosnjë e Hercegovinë, ku për ta dëgjuar ishin mbledhur mijëra mbështetës. Vuçiç vijoi më tej duke shtuar se sfidat e sotme nuk janë më të vogla se ato të Luftës së Parë Ballkanike dhe kërkoi unitet mes serbëve për të shmangur atë që e cilësoi si “çmendurinë që mund t’i kthejë këto territore në një thertore të përgjakshme në çdo moment.

“Edhe sot, edhe pse nuk duam ta shohim, mund të humbasim lirinë, vendin tonë dhe jetën tonë. Prandaj duhet të bashkohemi nën flamurin tonë, trengjyrëshin, dhe të fitojmë së bashku”, shtoi ai.

Përveç presidentit Vuçiç, në këtë event morën pjesë dhe lidershipi shtetëror i Serbisë, si dhe ata të Republikës Srpska, lideri i tyre Millorad Dodik, dhe gjithashtu patriarku serb Porfirije.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull