Kryeministri Edi Rama ka reaguar sot dhe për protestën e pedagogëve të cilët kërkojnë rritje pagash.
Gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët online, Rama tha se qeveria ka gati një paketë mbështetje për universitetin, ku këtu përfshihet dhe rritja e pagave për pedagogët.
“Nuk do të bëjmë për Universitetin një rritje të përgjithshme të gjithë njësoj se është kundër filozofisë së reformës. Universitetet mund ta bëjnë vetë. Na kanë kërkuar miratim për ti rritur pagat deir në 20% me të ardhurat e tyre pa cënuar asgjë tjetër.
I kemi thënë patjetër mund ta bëni por me buxhetin e shtetit e të ardhurat e mbledhura nga kontributi I taksapaguesve do të shikojmë çfarë secili universitet i jep si kontribut dhe do të vlerësojmë sukseset.
Po përgatisim një mbështetje të re për Universitetin. Që do të përfshijë dhe rritje pagash nuk diskutohet por këto daljet me bllokime e kërcënime që duam kaq o ramë e vdiqëm, nuk e di si janë këto në kohë krize ku në fakt duhet të dilnin të tjerë.
Janë shumë më mirëkuptues pensionistët se këta që nuk e di nëse meritojnë dhe rrogën që kanë jo më shtesë rroge. Nuk e kam për rastin konkret por për disa që bërtasin më shumë se të gjithë dhe shpesh janë më mirë se të gjithë dhe pa meritë fare”, tha Rama.