Akuzat/ Kallzimet në SPAK: Kaloi kufirin me Greqinë në këmbë, çfarë fshehu Monika Kryemadhi?

3 Minuta Lexim

Monika Kryemadhi ka me dhjetra hyrje-dalje të regjistruara në sistemin TIMS. Nga të dhënat e siguruara nga Voxnews.al, vetëm në vitin 2017 ish-kryetarja e LSI-së ka të regjistruara mbi 20 hyrje-dalje dhe një pjesë e tyre nuk është deklaruar në Inspektoriatin e Lartë të Pasurisë, siç e kërkon ligji.

Rruga e preferuar e Kryemadhit është ajo ajrore, por mes rasteve ka edhe një që e kalon kufirin në këmbë. Bëhet fjalë për rastin e regjistruar në sistem më 17 korrik të 2017-s në pikën e kalimit kufitarë të Qafë-Botës në Sarandë.

Nga të dhënat e siguruara nga Voxnews.al, Kryemadhi ka dalë në këtë datë si këmbësore në orën 14 e 26 minuta dhe ka hyrë me autoveturë dy ditë më vonë në orën 11: e 39 minuta.

Mënyra e daljes nga vendi si këmbësore e Monika Kryemadhit, që në atë kohë kishte pak muaj që kishte marrë në dorë partinë pas zgjedhjes së Ilir Metës si President ngre dyshimet se ajo mund ta ketë përdorur këtë për të fshehur identitetin e personave me të cilët ka udhëtuar.

Është e vështirë të besohet se Kryemadhi ka udhëtuar me autobus, apo me makinë deri në doganë dhe pasi ka kaluar kufirin ka marrë autobusin, apo e priste një makinë tjetër. Skenari më i mundshëm është që Kryemadhi ka qenë në të njëjtin automjet me persona të tjerë dhe në pikën e kalimit kufitar është regjistruar si këmbësore për të mos u lidhur me personat në fjalë.

Kush, apo cilët janë këta persona dhe çfarë fshehu pas këtij udhëtimi e di Monika Kryemadhi, por rasti në fjalë shton edhe më tej provat se Ilir Meta dhe bashkëshortja e tij kanë përdorur kompani guackë për të transferuar para jashtë vendit.

Periudha përkon pak muaj pasi LSI ka lobuar përmes kompanisë Dorelita Limited në SHBA me një shumë prej të paktën 700 mijë eurosh. Dorelita Limited ka si përfaqësues në dokumentet e dorëzuar në Departamentin e Shtetit të SHBA, shtetasin grek Iraklis Fidetsiz.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull