Xhovan SHYTI –
Përveçse na zhvasin në përmuajshmëri me paga disa milionëshe, me vënie në dispozicion të makinave të blera më fonde të buxhetit të shtetit (që mbushet me kontributet tonë), me pagesa dietash, karburanti, telefoni, pagesa shtesë për pjesëmarrje nëpër komisionet parlamentare, për strehim etj., të gjitha me fonde të rrjedhura nga buxheti i shtetit (që mbushet me kontributet tonë), deputetët janë barrë që duhet ta mbajmë mbi shpinë gjithë jetën.
Kjo për hatër të ligjit e ligjeve në favor, që ata vetë kanë miratuar me 100 % të votave pro dhe që vijojnë të qendrojë në fuqi të patrazuara megjithë krizat e renda financiare që po kalojmë, pabarazinë e theksuar dhe hendekun që krijon kjo pabarazi ekstreme midis një qytetari popull dhe ish deputetëve.
Për hatër të këtyre ligjeve në favor, një pensionist i thjeshtë psh dhe një deputet pensionist, trajtohen ekstremisht pabarazisht. Megjithse pas lënies së mandatit dhe veçanërisht pas pensionimit moshor ish deputeti nuk i vlen as dreqit, falë ligjit/eve në favor ai gëzon të drejtën të përvetësoj po miliona lekë si pagesë mujore.
Duke lenë mënjanë faktin se një ish deputet, që nuk e ka mbushur moshën e pensionit, për sa kohë nuk është sistemuar në punë do të vijoj të marrë për disa vite rresht një pagë sa gjysma e asaj të kohës kur ka qenë i mandatuar, kur mbush moshën e pensionit moshor të pleqërisë ish deputeti që ka shërbyer si i tillë për një legjislaturë katër vjeçare merr çdo muaj në formën e shtesës së pensionit special diku tek rreth 40 mijë lekë, plus shumën e pensionit të pleqërisë për detyrën që ka ushtruar e që i llogaritet si gjithë pensionistët e thjeshtë.
Përkundrazi kur deputeti i pensionuar ka shërbyer për dy legjislatura si i tillë, masa e shtesës është dyfish kurse kësaj shume, diku tek rreth 80 mijë lekëshi, i shtohet dhe ajo e pensionit të pleqërisë për detyrën që ka ushtruar e që i llogaritet si gjithë pensionistët e thjeshtë.
Pra, nëse ish deputetët katër vjeçar marrin çdo muaj rreth 80 mijë lekë pension gjithsej, atyre dy mandatëshve pensioni i pleqërisë u shkon mbi një milion në muaj shumë kjo pothuajse e barabartë me pagën mujore të një funksionari zyrtar në detyrë të rangut të dytë. Këtë pension ish deputetër e marrin për çdo muaj deri sa të ikin në botën tjetër.
Po absurdi në këtë trajtim special të ish deputetëve me merita aspak speciale qëndron në faktin se ky trajtim special përfshin edhe ish deputetët e para 32 viteve, të kohës kur në krye të shtetit ende komunist ishte Ramiza Alia dhe Parlamenti kishte 250 deputet të mandatuar. Edhe këta vijojnë të marrin shtesa mbi pensionin e pleqërisë për detyrat që kanë ushtruar.
Skema e trajtimit me “pensione të posaçme” speciale është më e gjerë se kaq, por me të do merrem një herë tjetër.
Ajo që dua të theksoj sot lidhet me trajtimin prej skllavi që qeveritë dhe parlamentet i bejnë pensionistëve të thjeshtë ( ku përfshihen dhe mijëra figura të spikatura në fusha të ndryshme të jetës profesionale e asaj shoqërore), shuma mujore e pensioneve të të cilëve nis nga 10 mijë ( për ata që për faj të moskryerjes së detyrës nga inspektoriati shtetëror i punës, kanë punu pa sigurime dhe nuk e plotësojnë vjetërsinë e 35 viteve punë), deri në 30 mijë lekë, as sa ¼ e pensionit special të ish deputetit aspak special për kontributin që jep.
Sipas statistikave zyrtare si të tillë pensionistë moshor, pra të kategorisë në nevojë, numërohen 674 mijë takspagues, pa përfshirë 64 mijë taksapaguesit përfitues të ndihmës ekonomike dhe 90 mijët me aftësi të kufizuara. Pagesat mujore të të cilëve janë fare qesharake, duke i krahasuar jo me “pensionet e posaçme” të pleqërisë së ish deputetëve ”sheik”, por edhe me ato të kategorive më poshtë tyre ende aktivë në detyrë.
PËRFITIMET KONKRETE TË NJË DEPUTETI.
Referuar të dhenave të Parlamentit:
– Një deputet që vjen nga rrethet, merr mesatarisht çdo muaj 40 mijë lekë karburant, ndërkohë ata që janë nga Tirana, Lezha, Durrësi, Elbasani apo Lushnja, përfitojnë deri në 300-325 mijë lekë në muaj karburant.
– Përfiton 17 mijë lekë në muaj për shërbimin telefonik. Pagesa vijon të mbetet në këtë nivel edhe pse që nga viti 1999, kur është miratuar ligji, ky shërbim i ka ulur tarifat në nivele drastike.
– Përfiton mesatarisht 80 mijë lekë në muaj dieta, ku përfshihen ditët që kanë ardhur në Tiranë për të marrë pjesë në komisionet parlamenentare apo seancë, por edhe takimet që kanë zhvilluar me banorët e zonave të tyre.
– Për çdo pjesëmarrje në komisionet parlamentare deputetët shpërblehen me 2 mijë lekë, por nuk mund të marrin pjesë në më shumë se 12 komisione gjatë një muaji.
– Për ata që janë të pastrehë buxheti i shtetit u rimburson qiranë e shtëpisë në vlerën e 35 mijë lekëve në muaj, kurse gëzojnë të drejtën të marrin deri në 5 milionw lekë kredi me interes zero për blerje shtëpie.
– Nëse u duhet të udhëtojnë, jashtë apo brenda vendit për qëllime pune, deputetët përfitojnë dhe shpenzimet për hotele.
Përveç pagës mujore, që është 118 mijë lekë neto, deputeti përfiton mesatarisht edhe 120 mijë lekë plus në muaj nga këto përfitime, duke i’a çuar pagën mujore deri në 240 mijë lekë. Një pagesë kjo që referuar të dhenave të INSTAT del të jetë 4-5 herë më lartë, se paga mesatare bruto në vend.