Vendimi i Prokurorit nuk mbron dhe as parandalon, por cënon lirinë informuese

4 Minuta Lexim
Deklaratë e Unionit të Gazetarëve Shqiptarë pas vendimit Nr. 5430, të Prokurorit të Prokurorisë së RRethit Gjyqësor Tiranë
Vendimi i Prokurorit nuk mbron dhe as parandalon, por cënon lirinë informuese
Tiranë më 20 Shtator 2022
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë është njohur me vendimin e prokurorit të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë të datës 19.09.2022, për sekuestrimin e të dhënave, në kuadër të procedimit penal Nr.5430 të vitit 2022 , për veprat penale “Ndërhyrja në të dhënat kompjuterike”, “Ndërhyrja në sistemet kompjuterike”, dhe “Keqpërdorimi i pajisjeve”. Sipas këtij vendimi, Prokuroria ndalon publikimin e çdo të dhëne të botuar nga autorët e sulmit kibernetik, që ka goditur të dhënat në sistemin shtetëror shqiptar.
Vendimi i prokurorit dhe përcjellja e njoftimit zyrtar edhe nga Policia e Shtetit, krijon një moment të ri mes së drejtës dhe lirisë së publikimit dhe informimit si dhe detyrimit për respektim të një vendimi të organit të prokurorisë.
Prej këtij vendimi krijohet një situatë që vendos në pozitë të vështirë, së pari editorin shqiptar të të gjithë spektrit multimedial.
Ky vendim dhe paralajmërimi kërcënues për mospublikim të asnjë të dhëne të botuar nga autorët e sulmit kibernetik në mediat audiovizive, të shkruara, online, rrjetet sociale apo në formë të publikimit apo transferimit të të dhënave, le vend për diskutim dhe krijon hapësirë për ndikim censurues mbi mediat dhe gazetarët.
Vendimi i Prokurorisë është joshterues për parandalimin apo mbrojtjen e pretenduar, nëse do të marrim në konsideratë faktin se aktualisht në mediat ndërkombëtare dhe rrjetet e online-t në rajon, po qarkullojnë dhe publikohen këto të dhëna pamvarësisht vendimit të prokurorit dhe urdhërimit të Njësisë C për Hetimin e Krimit Kibernetik në Policinë e Shtetit, përrfshi edhe AMA-n dhe Autoritetin e Komunikimeve Elektronike dhe Postare AKEP.
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë së pari, apelon për gjithë editorin shqiptar, për gazetarët dhe redaktorët e krejt spektrit multimedial në vend, të dëshmojnë përgjegjësi dhe ndërgjegje të lartë shërbimi publik. Të vlerësojnë si asnjëherë më parë, aspekte të informacioneve që kanë të bëjnë me sigurinë kombëtare dhe mbrojtjen e jetëve njerëzore dhe dëmtimin e qytetarëve.
Në të njëjtën kohë, UGSH vlerëson se vendimi i prokurorit të Prokurorisë Gjyqësore dhe paralajmërimi kërcënues për nisje hetimesh, përbëjnë në mos një kërcënim të drejtëpërdretë, padyshim të tërthortë, për lirinë e informimit, të fjalës dhe të raportimit. Krijon premisë të fortë për censurim dhe vetëcensurë në realitetin informues.
Inkurajimi nga ana e Prokurorisë për përfshirje në këtë monitorim të disa institucioneve, enteve publike rregulluese dhe hetim të krejt spektrit multimedial dhe komunikimeve në rrjet, janë mundësi abuzuese për kontroll dhe survejim të mediumeve.
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë shprehet kundër një praktike të tillë. Ky vendim prokurori nuk ka të bëjë me një çështje apo me një aspekt të veçantë sigurie, por tenton të përgjegjësojë ata gazetarë dhe media që përdorin informacionin “e derdhur publikisht nga “çezma” apo kompjuterat” e sabotuar të shtetit. Kjo masë nuk parandalon dhe as nuk mbron. Ky vendim, vetëm ndëshkon diçka tjetër, të drejtën profesionale që ka lidhje me lirinë themelore në shoqërinë tonë.
UGSH mbështet institucionet ligjzbatuese në vend dhe kërkon prej tyre që në kushtet e një situate kaq alarmante, të pa ngjarë më parë, të kërkojnë dhe vendosin para përgjegjësisë ato institucione dhe ata individë që kanë detyrimin e ruajtjes dhe mbrojtjes së dokumentacionit apo informacionit zyrtar në vend.
Zyra Informuese
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull