REMINISHENCAT POETIKE

5 Minuta Lexim

Grigor Jovani

Këtu, në këtë fotografi, jam me poetin Faslli Haliti, në një takim të gazetarëve të Diasporës, në Tiranë. Më lidh me të një histori. E bëj publike, pasi mishëron një problem krijues.
Ishte përsëritur: disa miq letrarë, midis shakasë dhe të vërtetës, më kishin thënë, se krijimtaria ime poetike i ngjante së tepërmi asaj të Faslli Halitit. Duke nënkuptuar, gjithëfarsoj, se, për shkak të moshës dhe vlerave, unë isha ai, që duhej të vetëpyetesha për këtë. Nëse kishim të bënim vetëm me përngjasim. Madje, një miku im i afërt, që ia dua njësoj poezinë dhe miqësinë, më kish befasuar me shakanë e tij: “E rrope Halitin… Ngjani si dy pika uji! Duhet të ndryshojë disi kjo gjë!”
Në të vërtetë, nuk kisha lexuar, gjer atëherë, asnjë libër të poetit në fjalë. Vetëm ndonjë cikël, s’di se ku, të cilin, ngaqë nuk e kisha parë me interes, më dëftonte një poet mesatar, nga ata të shumtit, që kisha lënë pas, kur kisha ikur nga Atdheu.
Nëse mund të akuzohesha për “plagjiaturë”, kjo mund të ndodhte me poezinë kontemporane greke, pas së cilës, pse ta fsheh, isha i magnetizuar i tëri. I ardhur nga letërsia e kufinjve të realizmit socialist, poezia greke e ditës, e poetëve të zakonshëm, më kishte mrekulluar me atë lirinë dhe përditshmërinë e saj, me atë thjeshtësinë dhe fabulën që përmbante jetë, gëzim, humor, humanizëm dhe optimizëm bashkë. Por të akuzohesha për diçka, që nuk e njihja?!
U interesova, nga kureshtja dhe nga pezmi, dhe gjeta disa libra të Faslli Halitit, edhe ato më të fundmit. Pashë se kisha gabuar. Kisha të bëja me një poet të madh, jetësor, mjeshtër të fjalës dhe vargëzimit, i cili asgjë nuk u linte borxh poetëve grekë të ditës… përkundrazi, ishte një risi poetike. Dhe konstatova, vërtet, diçka të përbashkët: proliksitetin dhe mënyrën e mbylljes së poezisë. Mbase kjo që them mund të tingëllojë si mëndjemadhësi, nga ana ime (nuk gjej fjalë tjetër, për të shprehur raportin e duhur të modestisë). Por ja që ky ishte realiteti që konstatova…
Dhe le të vijmë tek takimi në fjalë, përjetësuar në këtë fotografi.
I thashë:
“Profesor! Më akuzojnë që “vjedh” mënyrën tuaj poetike. Ju lutem, pranoni këtë librin tim më të fundit (“Udhëtoj Brenda vetes”) dhe më thoni, nëse dëshironi, nëse ndodh kjo gjë…”
“Kush ju akuzon për këtë? Të sinafit tonë?”, më pyeti poeti i nderuar dhe kur mori përgjigje pohuese, shtoi: “Kujtoju historinë e Magdalinisë. Kur e stisën në mur, për ta vrarë me gurë, për shkak se kishte vjedhur paligjshëm dashurinë e burrave, Krishti u kujtoi burrave të pranishëm: “Do ta qëllojë me gurrë, ai që nuk e ndjen veten fajtor…”
Në fakt, nuk e kuptova aso kohe, se ç’donte të thoshte. Biles e kuptova mbrapsht dhe nuk e zgjata…
Disa kohë më vonë, kur bisedoja me të telefonikisht, për shkak të një ftese që më kishin bërë nga Fieri, për të marrë pjesë në një veprimtari poetike, që organizonte Bashkia e këtij qyteti, Faslli Haliti iu referua bisedës sonë të dikurshme:
“E lexova librin tënd, miku im. Nuk mund të të akuzoj, për shkak se e duan miqtë e tu dhe të mitë. Kemi të bëjmë me reminishenca të zakonshme poetike. Përngjasime, në kuadrin e një metode të caktuar vjershërimi, të cilën, nuk e shpikëm as unë, as ti. Elioti thotë se kopjonte poetët frëngë të asaj epoke. Por unë nuk shikoj asnjë “plagjiaturë” në lidhje me ta. Ai është nobelisti dhe ata “poetë të mirë të kohës së tyre”. Thjesht, kemi të bëjmë me reminishenca poetike, të cilat i kanë të gjithë, pa përjashtim, për shkak të preferencave. Nuk bëhet ndryshe, asgjë nuk lind nga asgjëja. Të mbarojmë me këtë…”
Të mbarojmë me këtë… Asgjë nuk mbaron, profesor. Përsëritet…

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull