Sulmet kibernetike në Shqipëri, prokuroria: Ka ardhur nga i njëti burim, një profil në dy rrjete sociale me qendër jashtë vendit

6 Minuta Lexim

Prokuroria e Tiranës ka dhënë detaje në lidhje me hetimet që për zhvillohen pas sulmit kibernetik nga Irani.

Njoftim i Prokurorisë Tiranë në lidhje me hetimet e ndërmarra ndaj sulmit në sistemet kompjuterike të institucioneve të Republikës së Shqipërisë:

Më datë 19.07.2022, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka regjistruar procedimin penal Nr.5430 për kryerjen e veprave penale “Përgjim i paligjshëm i të dhënave kompjuterike”, “Ndërhyrja në të dhënat kompjuterike”, “Ndërhyrja në Sistemet kompjuterike” dhe “Keqpërdorimi i pajisjeve”, të parashikuara nga nenet 293/a, 293/b, 293/c, 293/ç, të Kodit Penal. Objekti i hetimit të këtij procedimi penal, është sulmi kibernetik ndaj institucionit shtetëror të AKSHI-it që përmbledh gjithë faqet zyrtare qeveritare në Republikën e Shqiperisë.

Po kështu, më datë 09.09.2022, është kryer tjetër sulm kibernetik në pajisjet dhe sistemet që administrohen dhe menaxhohen nga Ministria e Brendshme në Shqipëri.
Këto dy veprime duke qenë se janë kryer me të njëjtën tipologji dhe sulmi kibernetik ka ardhur nga i njëjti burim, po hetohen në një çështje të vetme.

Si në momentin e sulmit të parë, ashtu edhe në momentin e sulmit ndaj sistemit TIMS, Prokuroria ka qenë në çdo moment prezent në kryerjen e veprimeve të ngutshme duke operuar me vendimmarrjet urgjente që ka diktuar dinamika e veprimeve.
Në sistemet ku ka ndodhur sulmi është evidentuar një profil në dy rrjete sociale të ndryshme me qendër jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, që i përkiste autoreve dhe bashkëpunëtorëve të këtij sulmi.

Menjëherë, më datë 19.07.2022 me vendim të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, është urdhëruar sekuestrimi i këtyre llogarive në dy rrjete sociale të ndryshme dhe si pasojë e këtij vendimi, kompanitë përkatëse kanë reaguar duke mbyllur aksesin në këto llogari.
Si pasojë e mos aksesimit, autorët e sulmit kibernetit hapën një faqe tjetër, e cila u përdor për të shpërndarë mesazhe të ndryshme në lidhje me sulmin e kryer apo publikimin e të dhënave që janë vjedhur.

Prokuroria, në ushtrim të kompetencave të saj dhe në bashkëpunim të ngushtë me gjithë agjensitë ligjzbatuese dhe partnerët që asistojnë autoritetet shqiptare, ka kryer një sërë veprimesh hetimore duke përfshirë dërgimin e kërkesës për ndihmë juridike në disa shtete.

Po kështu, janë identifikuar të dhëna të ndryshme të nevojshme për hetimin për të cilat po punohet në bashkëpunim të ngushtë me partnerët.

Të dhënat e publikuara së fundmi përsa i përket informacioneve dhe të dhënave policore të klasifikuara apo informacioneve dhe të dhënave të marra nga partnerët të klasifikuara, informacione mbi procedimet penale etj.., janë konsideruar nga Prokuroria si prova që kanë lidhje të drejtpërdrejtë me veprat penale në hetim dhe si veprime që cënojnë rëndë veprimtarinë e institucioneve shtetërore si dhe sigurinë kombëtare apo marrëdhëniet ndërmjet shtetasve.

Postimi i këtyre të dhënave sekrete, jo vetëm cënon privatësinë e çdo individi, cënon Sigurinë Kombëtare të Republikës së Shqipërisë por janë edhe sekret hetimor në kuadër të hetimeve të ndërmarra nga organi procedues.

Për këtë arsye, për shkak të rëndësisë, qëllimeve dhe autorëve në shërbim të të cilëve  po ndodh ky veprim kriminal, për shkak të detyrimit ligjor për të mbrojtur të dhënat e çdo individi si edhe Sigurinë Kombëtare të Republikës së Shqipërisë dhe si rrjedhojë për shkak të urgjencës dhe domosdoshmërisë për marrjen e një vendimi të menjëhershëm nga ana e Prokurorit, mbështetur në nenet 103, 208 e vijues, 304 të K.Pr.Penale nga ana e Prokurorisë u vendos:

Sekuestrimi i të dhënave të publikuara dhe atyre që do të publikohen në vijim nga faqet objekt hetimi i procedimit penal në fjalë dhe në vijim bllokimin e publikimit të çdo lloj informacioni nga mediat e shkruara, audivizive, mediat online.

Për zbatimin e këtij urdhëri u ngarkua Njësia “C” Hetimi i Krimeve Kibernetike e Drejtorisë Vendore të Policisë së Shteti, Autoriteti i Mediave Audiovize (AMA) dhe Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) të cilët, duhet të grumbullojnë gjithë informacionin e tanishëm dhe të ardhshëm të të dhënave objekt sekuestrimi si edhe të urdhërojnë ndalimin e publikimit të çdo të dhëne të botuar nga autorët e sulmit kibernetik, kjo konform nenit 103 të Kodit të Procedurës Penale, nga mediat audiovizive, të shkruara dhe online, si edhe në rrjetet sociale apo të çdo forme të publikimit apo transferimit të të dhënave që postohen nga autorët e këtij sulmi.

Vendimi i Prokurorisë është ndërmarë në ushtrim të kompetencave të saj, duke synuar gjithashtu edhe pengimin e ardhjes së pasojave të mëtejshme të këtij veprimi kriminal.
Sqarojmë së një vendim i tillë, nuk ka për qëllim pengimin e veprimtarisë së Medias por është kryer në kuadër të një procedimi penal ku publikimi apo shumëfishimi mediatik i informacioneve të klasifikuara dhe sensitive (që është në vetvete qëllimi kriminal i këtij sulmi), informacione këto të vjedhura, do të cënonte rëndë si ecurinë e hetimeve, ashtu dhe sigurinë e çdo qytetari të Republikës së Shqipërië.

Hetimet në lidhje me këto raste janë komplekse dhe janë në vijim duke garantuar se Prokuroria Shqiptare është maksimalisht e angazhuar dhe do të kryejë çdo veprim hetimor me qëllim zbardhjen e plotë të kësaj veprimtarie kriminale.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull