Arben Kallamata
(Dy fjalë për vëllimin “Transplanti i Paganinit” e Ylli Pangos)
Për të bërë transplant duhet bisturi. Kjo është pikërisht vegla që përdor Ylli Pango jo vetëm në tregimin titullmbajtës, por përgjatë gjithë vëllimit “Transplanti i Paganinit”, një përmbledhje rrëfenjash, skicash, ndoshta edhe tregimesh i cili i ngjan një seriali të zhvilluar në një teatër kirurgjik. Aty është Pango me një bisturi të mprehtë në dorë që merr njëri pas tjetrit personazhet e tregimeve të tij përpara një lampe të madhe ndriçuese. I shtrin dhe pa iu dridhur dora fare ua hap sheshit karakteret në dysh. Pastaj fillon t’ua analizojë “rropullitë“ e psikikës një nga një, disave që nga dita kur kanë lindur e deri sa vdesin (ndoshta procesi me këta të fundit quhet “autopsi psikologjike”), të tjerët në çaste të caktuara të jetës.
Pango nuk duket se e vret mendjen shumë për formën e tregimeve, apo rrëfenjave, apo skicave – quajini si të doni. Ai nuk duket i shqetësuar për vëllimet, standardet, kallëpet. Madje duket se nuk ndikohet fare nga ata që e ndjekin nga pas shpine për të parë se ç’po bën. Ai thjesht është i përqëndruar në punën e tij klinike për t’i hapur, zbuluar dhe shpalosur karakteret ashtu si janë. Në fund fare, pasi ka mbaruar punë, ai nuk e merr mundimin t’i “qepë“ e t’i mbyllë si duhet. Thjesht i le aty, që të vazhdojmë të merremi me ta ne të tjerët që kemi kapur librin ta lexojmë,.
Si shumë nga ne që ende marim frymë, Pango ka jetuar (me shprehjen e tij) në bërryl të kohës. Domethënë është nga ata që ka parë edhe ç’kishte para kthesës edhe çfarë erdhi pas saj. Për të parë kanë parë të gjithë, po jo të gjithë kanë marrë vesh ç’bëhet. Janë disa që as ia kanë idenë se ekziston bërryli. Ka të tjerë që deri para kthesës nuk merrnin vesh ç’bëhej. Të tjerë akoma që kanë qënë të bindur se kthesa ishte thjesht rasti për ta nxjerrë maskarallëkun sheshit. Pango është nga të paktët që i ka njohur dhe kuptuar të dyja periudhat, prandaj ato që shkruan kanë vlerë. Jo vetëm i ka njohur, por edhe në disa nivele, me maloret dhe me dishezat që ka sjellë rruga.
E, meqë përmendëm rrugën, udhëtimi i tregimeve te “Transplanti i Paganinit” zgjatet e vërtitet jo vetëm përmes Shqipërisë, por edhe nga Parisi dhe Boston, nga Afrika në Azi, nga Stamboll në Bali. Është një përvojë jetësore që Ylli Pango nuk ngurron aspak ta ndajë me të tjerët.
Herë pas herë Pango bën nga një pushim të shkurtër, lë bisturinë dhe del nga salla e operacionit. Janë çaste kur sheh një tjetër anë të tij, paksa sentimentale – Nëna ime, Emrat e kosovarëve, Një film i mrekullueshëm, që nuk jua rekomandoj ta shihni…, Coni, Xhafa e Lymi. Aty, jashtë sallës kirurgu duket sikur thotë: “Mos harrojmë se s’ka vetëm karaktere të sëmurë. Ka mirësi plot.” Dhe kjo është shumë e rëndësishme.
Kur ma nisi librin Ylli më shkruante: Mos e merr me frikë, se lexohet shpejt. Unë u nisa ta lexoja shpejt dhe e kuptova që ishte nga ata libra që po të duash edhe mund t’i lexosh shpejt, por që më e mira është që të mbash pak vrullin dhe të përpiqesh t’i kuptosh mirë.
Është për të ardhur keq që libra të tillë botohen me tirazh të kufizuar (37 kopje thotë “Transplanti i Paganinit” në paraqitjen që i bën vetvetes në Facebook). Por, ç’ti bësh? Këto kohë kanë ardhur. Pasi kaluam “1984” to Orwellit ku nuk na lejohej të lexonim, kemi mbërritur te “Botë e re guximtare” e Haksleit, ku i kemi të gjithë librat por injoranca na ka mbytur në atë shkallë saqë nuk duam të lexojmë. O njerëz, kërkojini të paktën një kopje elektronike autorit, se krejt falas do të gjeni shumë gjëra për të mësuar.