Kompania koncesionare e aeroportit ndërkombëtar të Tiranës ka regjistruar këtë muaj një ndryshim të ri të pronësisë direkte.
Mbështetur në dokumentacionin e Qendrës Kombëtare të Biznesit, kompania Tirana International Airport është shitur nga Kastrati Group te Kastrati Aviation Holding. Kompania blerëse është themeluar në prill të këtij viti dhe kontrollohet në masën 100% nga i njëjti pronar i Kastrati Group, biznesmeni Shefqet Kastrati.
Në parim, transferimi i pronësisë mes dy kompanive që kanë të njëjtin pronar apo përfitues nuk është praktikë e panjohur dhe mund të ketë arsye apo qëllime të ndryshme.
Në kontratën e shitjes, argumentohet se “është bërë gjithnjë e më evidente se realizimi i synimit për një aeroport modern e bashkëkohor, kërkon përveç kapaciteteve financiare edhe njohuri të posaçme menaxhimi e drejtimi, të lidhura ngushtësisht me industrinë e aviacionit civil, e për këtë arsye, e bën të domosdoshme që administrimi i veprimtarisë së lidhur me koncesionin e TIA, të realizohet nëpërmjet një shoqëri me objekt të posaçëm aktiviteti, të lidhur ngushtësisht dhe vetëm me fushën e aviacionit civil”.
Ekspertët e konsulencës financiare të pyetur nga Monitor shprehen se transferimi i pronësisë mbi një kompani brenda të njëjtit përfitues në teori mund të bëhet për arsye të ndryshme, duke filluar nga nevojat e menaxhimit, sigurimi i financimeve, ofrimi i garancive, diversifikimi i rreziqeve, etj.
Çmimi i shitjes i përcaktuar në kontratë ka vlerën e 45 milionë eurove, që në pamje të parë duket i pazakontë për një transferim pronësie të aksioneve mes dy shoqërive që kanë të njëjtin përfitues. Në raste të ngjashme, zakonisht ndryshimi i pronësisë mbi kuotat bëhet nëpërmjet një marrëveshje transferimi të bazuar në shitjen me një çmim simbolik ose dhurimi.
Në kontratën e shitjes thuhet se “çmimi i shitjes…do të paguhet prej blerësit në disa këste, përmes burimeve ekonomike të cilat do të realizohen nga blerësi, të gjeneruara kryesisht si rezultat i veprimtarisë ekonomike të TIA. Palët me një marrëveshje të veçantë mund të detajojnë mënyrën e pagimit të çmimit të përcaktuar në këtë kontratë.”
Kastrati Group e pati blerë kompaninë TIA në fund të vitit 2020, për një çmim prej 71 milionë eurosh, ndërsa sot po e rishet tek një kompani me të njëjtin përfitues, për një çmim më të ulët, 45 milionë euro.
Aksioneri i vetëm, Kastrati Group, ka raportuar në bilancin e vitit 2021 dividendë të përfituar nga TIA për një vlerë të përgjithshme prej afërsisht 4 miliardë lekësh (rreth 33 milionë euro) nga fitimet e mbartura të TIA. Duke shtuar edhe çmimin e parashikuar në kontratë prej 45 milionë eurosh, Kastrati Group ka marrë tashmë mbrapsht rreth 78 milionë euro në më pak se dy vjet, rreth 7 milionë euro më shumë se çmimi i blerjes në vitin 2020.
Qeveria shqiptare, nëpërmjet organit shtetëror të autorizuar, ka miratuar shitjen e re të aksioneve të TIA. Në përgjigjen e tyre, ministret Belinda Balluku dhe Delina Ibrahimaj kanë shprehur dakordësinë e tyre për transferimin e aksioneve dhe kanë përsëritur gatishmërinë e Organit Shtetëror të Autorizuar për të vijuar bashkëpunimin në funksion të mbarëvajtjes së marrëveshjes koncesionare.