Dashnor Kokonozi
Këtë verë u shkëputa për pak ditë nga pushimet dhe zbarkova në Tiranë, kryesisht për të ndjekur disi jetën teatrore, shfaqjet që ishin aktualisht në skenë. Besoj i pashë të gjitha dhe dora-dorës në ditët e ardhshme, do të jap ndonjë mendim.
Nga të parat që pashë ishte komedia “Vdis duke qeshur” e autorit anglez Paul Eliott. Ishte një punë e Tatrit të Korçës në bashkëpunim edhe me aktorë të tjerë, si Luiza Xhuvani e Olta Daku, mbase edhe me ndonjë tjetër, por nuk i njoh e nuk gjeta informacion. Regjia e Ilir Bokshit.
E pashë në skenën e Turbinës dhe meqë jemi në një sferë emocionesh, më duhet të përmend trishtimin e madh që më la ajo anë e Tiranës. Nuk njihja më asgjë, nga rruga e bukur Sami Frashëri. Ishte zhdukur çdo hapsirë, kudo pirgje me tulla. Për të qenë I sinqertë, u detyrova të pyes kalimtarët, që të kuptoja ku isha dhe të gjeja ku desha të shkoj.
Pata përshtypjen se befas rrëshqita në një nga periferitë e frikshme të Kajros, diku andej nga banditët ndajnë prenë e vjedhur. Nuk dua ta zgjas më shumë.
Shfaqja m’u duk “interesante” dhe gjithçka mbyllet këtu. Luiza Xhuvani është aktore e mirë, por nuk ishte për atë rol. Duket Korça e kishte ftuar më shumë si vlerë e sigurt artistike, në rast se…
Që me psikoplastikën e saj të themi, me fytyrë të ngurtësuar dhe sy të rrudhur, unë kisha frikë se do të fillonte të qante midis komedisë. Roli jepte dorë për më shumë, por ajo e kishte pranguar në një vizion të vetin. Përkundrazi, Zamira Kita bënte më shumë se sa kishte roli i saj. Dhe gjithçka që bënte mbi të, ishte e panevojshme. E ekzagjeronte dhe nuk ndalonte me teprimet e saj pa tërhequr të qeshurat e spektatorit. Se dukej, qëllimi aty ishte.
Olta Daku, që e shihja për herë të parë, kishte krijuar më shumë “intimitet profesional” me rolin e saj, e zotëronte mirë si batutën, por edhe pauzat, heshtjet. Madje, u jepte atyre vlerën e një batute të mirë. Ndihej e familjarizuar me rolin dhe e sigurt në gjithçka. Shkurt, kishte krijuar një karakter. Ishte ajo që shkaktonte më shumë ilaritet në sallë. Gjë që është gjithnjë pozitive, se për të zbavitur kemi shkuar aty.
Por shpesh kjo ishte pasojë edhe e përdorimit të mirë e me “rendiment” të lartë të batutave me konotacione të hapura e të forta seksuale. Ajo bënte çmos që të transmetoheshin te spektatori në mënyrë sa më “neutrale”.
Pjesa në vetvete ishte interesante dhe u ofronte aktorëve një sërë rrethanash e situatash të bukura që të evoluonin me personazhin e tyre, por në ndonjë rast, sidomos nga fundi, më dukej si një skeç i zgjatur. Për regjisorin, pres të shoh edhe ndonjë shfaqje tjetër që të kem një opinion më të plotë.
Më bëri përshtypje spektrori, salla. Ishte plot dhe shumica ishin gra të reja,të bukura, që dukej sikur sapo kishin lënë punën dhe i kishin lejuar vetes të kalonin një mbrëmje në atmosferën gjithnjë magjike që shoqëron teatrot.
Tirana ka një spektator dashamirës, të shkëlqyer. Në tërësi jeta artiske e Tiranës m’u duk se kishte hyrë në ritme të mira, kishte një ofertë efektive për spektatorin, sado ende kufizuar.