(Portret i paautorizuar i hedhëses së famshme të Grupit të Pilurit, Eleni Mërkuri Vero)
Aleksandër Çipa
Në fillim të viteve ’70, Eleni Mërkuri ishte vajza më trendi e Pilurit. Një gocë që thyente tabu dhe shfaqej me krejt elegancën e mendjes dhe trupit, duke u bërë protagoniste e thyerjes së kufizimit që kishte shoqëria e vogël piluriote edhe për arsye të izolimit nga qytetet dhe zonat urbane të Jugut.
Në Pilur, në atë kohë, poeti Lefter Çipa i rikthyer nga Vlora, i kishte dhënë emrin e pazhbëshëm Grupit të Pilurit.
Unë isha fëmijë, por sapo kisha nisur të kuptoja botën e Atit tim, botën që po krijonte me artin e vet Grupi i Pilurit dhe po fitoja njohjen e njerëzve artistë amatorë, artistë unikë, artistë të ardhur nga natyra, të bërë profesionistë prej punës dhe të destinuar për të udhëtuar në një ngritje rritëse në artin dhe interpretimin e tyre unik. Brenda gati një dekade kohë ky Grup, kishte arritur sukses me tri gjenerata këngëtarësh dhe po shumështonte repertorin e vet të larmishëm, i cili fatkeqësisht, nuk është regjistruar i gjithi. Ai trashëgohet vetëm në memorie dhe në tekste të ruajtura, por interpretime të humbura.
Grupi i Pilurit qysh prej viteve ’70-deri në vitin 1991, kishte një regjim të përgatitjes, krijimit dhe ushtrimit të polifonisë që për çdo ditë zgjaste nga pesë deri në 9 orë. Punohej me një pasion, përkushtim, sakrificë dhe ambicie prej “kampionësh” . Provat ditore të Grupit të Pilurit ishin brenda një regjimi, disipline dhe kanunoreje të pacënueshme. Hierarkia dhe dëgjueshmëria artistike në këtë regjim përgatitës kapërcen modelet e njohura teorike të konservatoreve apo akademive skrupuloze të njohura nga literatura. Ky nuk është ekzagjerim, por një e vërtetë e pohueshme nga të gjithë ata që rrojnë dhe nga të gjitha ato familje që prisnin mbarimin e provave të Grupit, për të patur paskësaj, mundësinë për punët e tjera të shtëpisë apo të jetesës si pjestarëve të familjeve të tyre.
Në të gjitha daljet, pjesëmarrjet apo konkurimet, Grupi i Pilurit kishte përgatitje, kërkim, gjetje, prurje, interpretim dhe në përgjithësi, sukses të shtuar. Ndodhte kjo, si për festivalin zonal, për ato të rrethit, festivalet kombëtare e sidomos, për koncertet jubilare dhe veçanërisht ato për paraqitje në audicione të Kinostudios “Shqipëria e Re” apo për premiera në TOBK dhe në RTSH.
Me këtë histori të pashkruar dhe magjike, u mor deri në ditët e fundit të jetës së vet, Lefter Çipa, si krijues dhe udhëheqës artistik i kësaj trupe, duke lënë në dorëshkrim pjesën e rëndësishme të monografisë së Grupit Polifonik të Pilurit.
Por ky Grup ka një histori trupe dhe protagonistësh, artistë të tij.
Në kohë u bënë shumë dhe u shtuan, duke qenë shtues të vlerës dhe karrierës.
Njeri apo njera të ndryshëm nga tjetri, njeri apo njera, të shquar ndër të shquar, që veçohen dhe imponohen për t’u mbajtur mend, prej talentit individual dhe atë harmonik brenda grupit, për interpretimin veçmas nga njera këngë në tjetrën, nga njeri interpretim tek tjetri. Askush prej tyre nuk ishte statik. Të gjithë ishin unik në harmonizimin e tyre, në harmoninë vetiake të zërit dhe zërave dhe sidomos në rolet interpretuese dhe bashkuese brenda grupit, për seicilën këngë.
Ndër këta protagonistë, u shpallën me njohjen e madhe publike që nga Katina dhe Erimioni (Muço) Mërkuri, Vasillo (Lapa), Koka, Vangjel Gjiçali, Qirjako Bala, Polo Çipa, Qirjakulla Bala, Marika Çipa etj., etj..( të gjitha përmendjet listuese janë të mangëta!)
Por mes tyre, ( për vetë rolin specifik si hedhëse), njera, Eleni Mërkuri Vero, ishte dhe mbetet unike. Si e tillë, (edhe kur tashmë jeton në trishtin e shpërndarjes së Grupit), por pa u shkëputur nga vijimësia tek Grupi “Bejkë e Bardhë” i Pilurit që kryeson si krijues dhe udhëheqës artistik poeti Kristo Çipa , Eleni mbetet në lartësinë e talentit të saj.
Po shkruaj për hedhësen e famshme dhe të përjetësuar në këngën piluriote, artisten Eleni Mërkuri Vero.
Zëri dhe aftësia e saj si hedhëse, janë mishëruar në një repertor unik, të bollshëm dhe selektiv. Ky kontribut individual i artistes është atipik. Interpretimet e saj çdoherë dhe në çdo krijim të Grupit të Pilurit, veçmas, janë pjesë e një materieje vokale që ka tërhequr maksimalisht vëmendjen e publikut, veçanërisht adhuruesve dhe njohësve të polifonisë shqiptare brenda dhe jashtë vendit. Mijëra dhe pse jo edhe milionë shijues të zërit interpretativ të Eleni Mërkurit shenjojnë vlerësimet dhe përcjellin urimet për talentin aq specifik që shpërfaq ajo. Në aktet e realizuara të këndimit, Eleni është bërë jo vetëm zëri si pjestar i shqueshëm i zërave të Grupit të Pilurit, por artistja që shumëfishoi befasueshëm modulet e veta vokale të hedhjes.
Realizimet e saj në atë Grup formësojnë akte të papërsëritshme dhe të paimitueshme të hedhjes në polifoninë shqiptare.
Nuk është vetëm aftësia dhe talenti që realizon lojën interpretuese, përmes kapriçiove virtuoze të hedhjes së këngës. Nuk është thjesht talenti i saj për të epërsuar me vokalin e vet hedhës mes Grupit, në kreshendot e këngëve të njohura, nuk është aftësia e saj për të shënuar kulmime melodike dhe harmonish si zë i vetëm në zërat e unifikuar të isos piluriote, por është inteligjenca artistike e saj, së bashku me intuitën interpretative për t’i dhënë këngës piluriote atë nivel, lartësi dhe cilësi melosi, aq të shumëçmuar e të shumëvlerësuar nga kategori dhe grupe studiuesish të polifonisë dhe krejt etnokulturës shqiptare në këtë lëmë.
Hedhësja e këngës së Pilurit duket sikur mishëron epistolatin e Senekës, sipas të cilit ( omnis ars naturae imitation) “Çdo art imiton natyrën”. Në kulmimet me zërin e saj tek kënga “Bilbil i vendeve të mia”,” “Këngët e atdheut tim” e shumë e shumë të tjera, ajo spikat si unike dhe me aftësinë vetiake për të mbushur dëgjuesin me një forcë inspiruese dhe për ta tërhequr atë magjikisht në asosacione si në pasazhe simfonish apo koralesh antike. Ngjitjet dhe zbritjet e hedhjes së Eleni Mërkurit në interpretimet e Grupit të Pilurit, kanë aftësinë për ta rrëmbyer dëgjuesin dhe për ta hedhur atë në “honet, vargjet e maleve, fushën e deteve” dhe në tërësinë e formave që shpërfaq natyra në dijeninë dhe shqisat perceptuese të njeriut. Një aftësi të tillë sirenike, Eleni nuk e humbi kurrë, por përkundrazi e pasuroi nga kënga në këngë dhe nga sjellja në sjellje tek tërësia e repertorit të këtij grupi. Tek hedhja e saj kanë shtratin pjesë simfonish dhe shëmbëllesa erinish mitike.
Duke u rikthyer edhe një herë tek fillesat e marrëdhënies së parë të një fëmije si unë dikur, me këtë këngëtare që po shfaqej imponueshëm në Pilur dhe Himarë, nuk mund të mos ta them se më la perceptimin e heterateve që përshkruhen tek Plutarku. (Si figura që simbolizonin konceptimin e artit që krijohej aq me sukses në Pilurin tonë mbi det që lindën natyralisht nga vetë ajo natyrë dhe brendi njerëzore).
Eleni është një artiste dhe interpretuese popullore e kultivuar si rrallë polifone apo këngëtare shqiptare. Me një prirje genetike drejt estetikës dhe pasionit si kreativitet ligjërues dhe interpretues. Përmes zërit të vet, Eleni ka lënë shkëlqim të pabjershëm në polifoninë shqiptare.
I vetmi që ka mundësuar si bashkëkohës në rrallësinë dhe brilantësinë prej talenti, është solisti i njohur dhe këngëtari i paharrueshëm Hyso Xhaferi ( Solist i Ansamblit Shtetëror të këngëve dhe Valleve). Seicili në talentin vetiak, janë plotërorë të së rrallës në hedhjen dhe interpretimin e këngës polifonike shqiptare.
Eleni Mërkuri është një zonjë e artit polifonik shqiptar që tashmë e ka ndarë jetën mes vetiakes dhe shpalljes së parreshtur publike. Tek e para, pra jeta private, po përballet me mundimet e veta sizifiane. Në akte sakrifikante amësie, por edhe qëndrestare e dinjitetshme, duke mos pritur kurrë honore institucionale, por duke shijuar dhe adhuruar si ajo pëlqimin dhe meritat e njohura prej publikut. Dinjiteti i saj në këtë aspekt është modul i fisëm zonjeje. Këtë jetë të zakontë e “mban në këmbë” në një fshat afër qytetit të Vlorës, por shpirtin e vet fluturak dhe pasionin e saj me aq talent, prej dekadash e ngre dhe e mban të mbërthyer në visin e lindjes dhe të origjinës së saj, në Pilur. Tamam si ajo teka e pulëbardhës që nuk rresht së adhuruari gjirin më të kaltër të detit, apo si thëllëza që bëhet e padukshme vetëm në malin e saj.
Eleni Mërkuri Vero është zonja që e ka hipotekuar shqueshmërinë e vet, tek kënga e Pilurit si hedhësja që bën dhe do të bëjë diferencën, në të gjitha garat dhe festat e bukura të polifonisë shqiptare.