Ministrja Kushi: Gjetëm një sërë shkeljesh në shkollën jopublike “Mehmet Akif Ersoy”.

3 Minuta Lexim

Ministrja e Arsimit e Republikës së Shqipërisë, Evis Kushi ka sqaruar opinionin publik rreth rastit të heqjes së licencës dhe mbylljes së shkollës jopublike “Mehmet Akif Ersoy”.

Kushi ka theksuar se, ky vendim është rezultat i konstatimit nga Ministria e Arsimit dhe Sportit të një sërë shkeljeve të legjislacionit në fuqi nga zotëruesit e licencës në fjalë.

Mes tjerash ministrja ka sqaruar se, në respekt të ligjit dhe në mbështetje të 160 nxënësve dhe të familjeve të tyre, do të marrë të gjitha masat e nevojshme për të transferuar nxënësit në shkolla që përmbushin kriteret dhe standardet e funksionimit.

Njoftimi i plotë:

1. Kanë filluar procesin mësimor 2022-2023 në një vendndodhje dhe mjedise të tjera, të pamiratuara nga MAS, pra pa certifikimin ligjor përkatës të standardeve të godinës.

2. Nuk i kanë plotësuar më tej kriteret ligjore edhe pse nga ana MAS është kryer dy herë verifikimi i tyre.

3. Në kushtet e ushtrimit të veprimtarisë jashtë kritereve përkatëse licenca duhet të revokohet.

Ministria e Arsimit dhe Sportit në çdo rast ka përgjegjësinë për garantimin e standardeve, sigurisë dhe mirëqenies së nxënësve. Prandaj, në respekt të ligjit dhe në mbështetje të 160 nxënësve dhe të familjeve të tyre, do të marrë të gjitha masat e nevojshme për të transferuar nxënësit në shkolla që përmbushin kriteret dhe standardet e funksionimit.

Ndërkohë Ministria e Arsimit dhe Sportit nënvizon se revokimi i licencës në fjalë nuk ka asnjë lidhje me spekulimet e ndryshme rreth shkaqeve të këtij vendimi.

Gjithashtu, Ministria e Arsimit dhe Sportit sqaron të gjithë të interesuarit për këtë çështje, se në këtë fillimviti shkollor nuk janë vënë re raste të tjera shkeljesh të së njëjtës natyrë dhe kriteret e standardet ligjore janë të përmbushura për të gjithë nxënësit e tjerë të shkollave jopublike.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull