Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla thotë se nuk do të tërhiqet nga çështja e privatizimit të ish-kompleksit sportiv, ‘Partizani’. I ftuar në emisionin “Now” në “Euronews Albania”, Balla deklaroi se ka ndihmuar me aq sa ka ditur, në mënyrë që të zbardhet një nga aferat më të mëdha korruptive.
Ai shton se kanë dalë prova të reja në lidhje me këtë çështje e se nuk ka ndërmend të tërhiqet.
“Një gjë është të fillosh një hetim dhe tjetra është t’i shkosh deri në fund. Kërkesa jonë e vazhdueshme nuk është të çojmë 3 letra dhe të themi se po hetojmë. Hetim është të kërkosh të gjithë dokumentacionin referues çështjes. Besimi im te dosja e kompleksit Partizani, duke qenë se mundësia të shkoj aty, kam parë që zonja prokurore ka punuar me themel.
Duke qenë se është një çështje që kam 10 vjet që i rri nga mbrapa dhe nuk tërhiqem, duket që e kishin kuptuar fabulën e çështjes. Unë kam ndihmuar me sa kam ditur për zbardhjen e një prej aferave korruptive të ish-kryeministrit deri në vitin 2013. Dolën prova të reja dokumentare. Unë jam nga ata që nuk heqin dorë kurrë nga një çështje. Dy gjëra janë thelbësore. Në Shqipëri janë me qindra dhe mijëra ish-pronarë të cilëve nuk iu është kthyer prona.
Është rast unik që në një kohë procedurale tepër të shpejtë, një pronë në qendër të Tiranës është kthyer. Unë kam bërë një kallëzim penal, kam shkuar vetë në prokurori. Institucioni i SPAK-ut sot është shumë serioz. Kam shumë besim që prokurorët e çështjes e kanë kuptuar fabulën korruptive, sesi ka mundësi që një ndërtesë në qendër të Tiranës, e rikonstruktuar në vitet 95′ me disa qindra mijëra dollarë, në vitin 2012 u shit për 100 milionë lekë të vjetra”, theksoi Balla.
Më 17 nëntor 2020 Kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, ka dorëzuar një kallëzim penal në SPAK, për privatizimin e kompleksit “Partizani”. Balla ka ngritur akuzë ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha, ish-ministrit të Mbrojtjes Arben Imami, anëtarë të tjerë të qeverisë së drejtuar nga Berisha, Jamarbër Malltezi dhëndrin e Sali Berishës, përfitues direkt i kësaj prone si dhe drejtues të shtabit të ushtrisë shqiptare bashkë me administratorët dhe aksionerët e dy kompanive ndërtuese në atë kompleks. Çështja është regjistuar për veprën penale të parashikuar nga neni 287 të Kodit Penal që parashikon ‘pastrim të produkteve të veprës penale’.