Për fitoren në zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit Partisë Socialiste iu desh vetëm 1/5 e parave që shpenzuan partitë opozitare.
Në bilancet e dorëzuara në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, rezulton se për fitoren në Durrës, Lushnjë, Rrogozhinë, Vorë dhe Dibër, Partia Socialiste shpenzoi për fushatën 5.58 milionë lekë.
Ndërkohë për opozitën bilanci financiar për fushatën e 6 marsit peshon shumë. Partia Demokratike që nuk mundi të fitojë asnjë bashki dhe vetëm në Rrogozhinë doli e dyta, rezulton që për 6 marsin të ketë shpenzuar 13.48 milionë lekë.
Shumën rekord të shpenzimeve për fushatën e 6 marsin e mban Lëvizja Socialiste për Integrim bashkë me koalicionin “Shtëpia e Lirisë” me 13.77 milionë lekë.
Mënyra e shpenzimit të parave të shpenzuara në raportin e dorëzuar LSI ndryshojnë nga PS dhe PD. Duke qenë se me logon “Shtëpia e Lirisë” në garë ishin kandidatët e mbështetur nga Sali Berisha, edhe shpenzimet në pjesën dërrmuese janë mbuluar nga vetë kandidatët. Sipas bilancit të dorëzuar në KQZ, 9.52 milionë lekë i shpenzuan kandidatët, ndërsa vetëm 4.15 milionë lekë ishin shpenzime që u mbuluan me fondet e partisë Lëvizja Socialiste për Integrim.
Në raportet e dorëzuara në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve partitë dhe kandidatët i kanë harxhuar paratë për banera, mitingje, zyra elektorale dhe rrjete sociale.