Genc Demiraj
Landi i usta Etemit, i thonë ! Késhtu thërrasin të gjithë në Vlorë, paçka se edhe vetë sot është një usta i vërtet në profesionin e tij si muzikant.
Roland Mato e ka në letra, por duket se i është sinkronizuar më bukur kështu emri, Landi Etemit…!
I është ngjitur organikisht emri i madh i të jatit, usta Etemit të famshëm, që të famshëm në Vlorën e asaj kohe nuk e bëri vetëm virtuoziteti si muzikant por edhe ustallëku i tij për riparimin e veglave muzikore.
Besoj se e mbani mend atë dyqanin e vogël të riparimit të veglave muzikore dikur nga vitet ’70-’80…! Atë dyqanthin e mbushur me firzamonika, klarineta, violina, kitara aty në muradie, përbri ish klubit të gjuetarëve e përballë gastranomit…?!!
Aty ku usta Etemi u rijepte jetë sazeve muzikore duke i ujdisur, e mandej ja ndizte si për provë, po aty, në një mini spektakël virtuozësh së bashku me kolegët e tij…!
Landi ja ka marrë të gjitha të jatit, edhe virtuozitetin si muzikant, edhe ustallëkun si riparues i veglave muzikore, usta i vërtet dhe i vetmi në Vlorë…! Por ama nuk do kurrësesi ti flasësh usta Landi, por vetëm Landi i usta Etemit.
Autodidakt i ka mësuar të gjitha Landi, edhe firzamonikën edhe zanatin.
Në Portugali, organizatorët kishin planifikuar në fund të festivalit një koncert të përbashkët, e duhej që edhe në orkestrën e përbashkët të ishte edhe Landi si instrumentist që do të luante një pjesë…! Ndaj një ditë para i lanë në dorë një partiturë me të cilën ai do të mësonte pjesën…! U vu në siklet Landi, sepse për të ishte vërtetë një sfidë, pasi ai nuk i njihte notat…! Por talenti dhe shqisat e tij nuk e zhgënjyhen, mjaftoi që e dëgjoi disa herë se si luhej dhe me disa prova të vullnetshme çdo gjë kaloi në perfeksion…!
Landi Etemit përveçëse një nga firzamoniçistët me vlerë të sazeve të Vlorës është dhe i veçantë në pasionet, në hobet, në njohuritë, në kuriozitetet, në informacionet, në miqësitë përmbledhur mrekullisht brenda natyrës së tij tepër të pastër e të sinqertë…!
Është personazh i bukur usta Landi, apo Landi i usta Etemit…!