“Mos e relativizoni krimin dhe ideologjinë komuniste, që të mos rikthehet retorika fashiste”

6 Minuta Lexim

Sebastian Zonja

Italia, për herë të parë, pas zgjedhjeve parlamentare të së dielës, mund të ketë një kryeministre grua – Giorgia Meloni.
Shumë editorialistë e cilësojnë ekstremiste të djathtë. Të njëjtë gjë bëjnë me këdo që s’u përshtatet kutit të progresivizmit. Ngjan si luftë ndaj konservatorizmit dhe identitetit kombëtar, më shumë se luftë ndaj fashizmit. Këta majtistët, në shumicë, kanë një epërsi të fortë morale sepse merren me teoria të mëdha për botën, kanë nga një kritikë për gjithçka, por kur vjen për të prekur realitetin e të shkosh në punë, t’i ndryshosh gjërat, nxjerrin një një mijë yçkla që pengojnë revolucionin, publiken, botën etj.
Pyetja sot është pse shoqëri të ndryshme po shkojnë te vota masive ndaj të ashtuquajturëve ekstremistë apo konservatorë?
Po në Francë, pse po votohet masivisht Le Peni?
Ideologjitë e tyre mund të jenë ekstremiste, por le të shohim cilët kanë përballë që mëtojnë të veshin lëkurën e qengjit dhe të progresivizmit.
Shkrimtari rus Slozhenjicin ishte nacionalist rus dhe antikomunist. Ai e hidhte fajin e shthurjes së kombit rus dhe vrasjeve masive në Rusi te Lenini dhe Trocki. Ai citon në një prej shkrimeve të tij urdhëresat e Leninit për të rinjtë:
“Lidhur me urdhëresën “ndero atin dhe nënën tënde”, Jo!… Ne udhëzojmë të rinjtë të nderojnë vetëm etërit që kanë pikëpamje të revolucionit proletar, ata që me vetëdije dhe me forcë mbrojnë interesat e klasës së proletariatit; prindërit e tjerë duhen edukuar nga fëmijët komunistë.”
Për Slozhenjicinin kjo ishte baza e rrënimit të Rusisë. Kjo ideologji që s’njeh asnkënd tjetër veç shokut e shoqeve të partisë.
Sot, fraksione të shumta të së majtës italiane dhe asaj evropiane kanë shkuar në pikën ku trumbetojnë se e ardhmja i përket “mitrave artificiale”. Ti mund të marrësh një mitër me qira dhe të prodhosh fëmijë sipas tekave. Kjo teori është normalizuar aq shumë, sa, po të thuash se të pëlqen familja tradicionale, quhesh i prapambetur.
Ja tek i keni leninistët e veshur sot me petkun e progresistëve. Problemet e familjes sot kanë të bëjnë me shtypjen e borgjezisë, sërish.
Faza e parë e zhbërjes se identitetit kombëtar, është ajo e zhbërjes se familjes tradicionale. Se, po qe se do famije dhe identitet kombëtar, sot quhesh fashist, fshatar, katundar, i prapambetur… prej falangave të komunistëve.
Një rast modern se si politika ndihmon në relativizimin e krimit është ai i dy kryeministrave francezë, Michel Rocard dhe Lionel Jospen, të dy të dalë nga radhët e Partisë Socialiste Franceze, që ndaluan me çdo mjet daljen përpara drejtësisë të Georges Boudarelit.
Pandëshkueshmëria e retorikës komuniste në Evropë, me shumë gjasë ka sjellë rikthimin e të ashtuquajturës retorikë fashiste.
Po përplasen dy ekstremizma. Të dy mendojnë se kanë të drejtë.
Ata që besojnë në Zot duan një familje tradicionale, këta që s’besojnë fare, por duan revolucione permanente, duan mitra artificiale.
Ata që vuajtën krimin dhe ideologjinë komuniste në Lindje të Evropës e barazojnë atë me nazizmin. Ata që jetuan në Perëndim, e që s’vuajtën një ditë nën komunizëm, kanë ideologë komunistë me shumicë nëpër katedra, e flasin për Stalinin e Enverin si pa të keq.
“U zbatua keq” – të thonë. Thua se ti ke 7 jetë dhe këta propagandistët duhet të bëjnë prova derisa të gjejnë komunizmin e përshtatshëm.
Ky komunisti francez, Boudarel, që e mbrojtën në kuadër të procedurës e të të drejtave të njeriut, e në kuadër të sa e sa tezave revolucionare, shokët anekënd Evropës, nuk ishte gjë tjetër veçse një kriminel i rëndomtë e propagandist i botës së re komuniste dhe njeriut të ri komunist.
Autori Yves Daoudal, në “Les proces Boudarel” shkruan se pas aktivizimit në celulat komuniste franceze, më 1948-ën, ai do zhvendosej në Vietnam, kur fillimisht do të punonte për radion franceze «Zëri i Sajgonit» për të forcuar qëndrimet antikapitaliste. Gjatë Luftës së Indokinës, tashmë anëtar i Partisë Komuniste Vietnameze i ngarkuar për propagandën, Boudarel do të kujdesej për “riedukimin” e ushtarëve francezë që kapeshin rob. Në Kampin famëkeq 113, sipas dëshmive të të mbijetuarve humbën jetën 278 njerëz nga 320 të burgosur gjithsej, ai kujdesej që nën tortura apo gjatë kohës së lirë, ai t’u lexonte shkrimet e shokut Stalin të burgosurve të brumosur me ide kapitaliste. I dënuar me vdekje në Sajgon, në vitin 1967 ai do të kthehej në Francë. Në emër të Revolucionit Botëror, Partia Komuniste Franceze dhe gjithë komunistët në Evropë, përfshirë dhe profesorë me emër, do ta mbronin Boudarelin në emër të revolucionit komunist botëror. Shoqata të shumta do të kërkonin daljen e tij përpar drejtësisë, por ai vdiq i qetë e i pashqetësuar, i adhuruar për kontributin e tij në revolucionin komunist, në vitin 2003, në shtëpi.
Mos e relativizoni krimin komunist që të mos rikthehet retorika fashiste!

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull