Eseja jonë për promovimin sot në Elbasan të veprës letrare në fjalë, (pas promovimit mbrëmë në Tiranë).
DURIM ÇAÇA
Lexim i “Atman”, tregime nga Laura Olldashi
Ndërkohë që politikanëve iu takon të matin realisht fuqitë e disponueshme dhe të zgjojnë energjitë thelbësore për një luftë të mirë, të besueshme e magjepsëse, artistit i takon të njohë, në mënyrë krijuese, skutat e botës brenda së cilës fshihet tjetërsimi i jetës njerëzore si dhe botët e reja thelbësore, ku mund të njohim vetveten, të jetojmë dhe të organizohemi, mes valës së re të përparimit që na përpin, -siç vë re artisti bashkëkohës italian, Francesko Matarrese, – për t’i bërë ballë virtuales, arratisjes së rrëmbyer nga realiteti i shoqërisë së spektaklit, këtij supozimi të civilizimit të argëtimit që ka në themel braktisjen e shpirtërores, edhe në art, pa arritur një trupëzim frymëzimi.
Përballje që ndërmerr dhe shkrimtarja jonë e re tregimtare, Laura Olldashi, si një mision artistik humanist, me publikimin e përmbledhjes së saj të parë, botuar nga “Klubi i poezisë”, Tiranë, 2022, “Atman”, titull ky që vjen nga një fjalë e sanskritishtes, me një domethënie nga tradita shpirtërore indiane e hinduizmit që, (ndryshe nga egoja, “uni” i shfaqur, si mendje dhe ekzistencë e mishëruar), ka të bëjë me vetveten e brendshme, të pangjashme, veten universale, shpirtin, vetëdijen e pastër, ndërgjegjen dëshmuese, esencën ekzistenciale të qenies së pashfaqur tonë e të të tjerëve.
Ekzaltime këto në brendësi të qenies, si një ndriçim e vizion në këtë botë të pandjeshme, si ekstazë e rrënjëve të ekzistencës me tensione të mëdha që prekin botën dhe frymëzimin e që i japin vlerë jetës. Vetvete që përpiqet të shpërfaqë autorja në fjalë, si një përpjekje për të qenë absolutisht jo konvencionale, përballë transformimit të marrëdhënieve dhe bjerrjes së vlerave.
Ngaqë është gjithmonë diçka transhendente veprimi ynë në të tashmen. Gjall’ arti i kësaj prozatoreje që projektohet si një gjest guximi letrar e shoqëror. Se vetëm gjesti arrin të shprehë jetën, edhe të vetvetes së vërtetë, si kuintesenca e brendshme, e fshehtë, e pashfaqshme e qenies, kapur në një çast ekzistence, mes shumë vetesh tona të tjera të shfaqshme që janë, si në personalitetin e çdokujt, modelime të ngjashme, të jashtme: familjare, shtetërore, arsimore, tradite, fetare, etnike, morale,etj.). Në këtë kurajo për të zbuluar nga thellësitë e brendshme, veten, atmanin e vet, ku shpërfaqen flakë shpirtërore idealesh humane e estetike.
1. Përputhshmëria midis stilit e shoqërisë.
Stili i shkrimit eksperimental dhe eklektik, larg çdo metode kompozimi tekstualiteti, si një narrativë fiksionesh dhe etydesh, me një ligjërim të copëzuar, herë psikanalitik e herë poetik, frazash eliptike ëndrrash dhe imazhesh obsesivë dhe një gjuhë e mjegullt, siç vjen nga subkoshienca, paraqiten si teknikë e shprehësisë letrare të Olldashit.
Tekstura literariteti që shpërfaqen në struktura të luhatshme të së pavetëdijshmes e perceptimesh realiste e ironike, monologimesh ekstatikë e depresivë, sekuencash dramatizimesh, dialogimesh imagjinarë surealë, poetizimesh çastesh të bukurisë si besim te njeriu, vetëreplikimesh situatash jetike, pyetjesh retorike, sentencash substancialiteti të realitetit si urtësi e dhembjes të kësaj kohe morbide.
E gjitha kjo, për të dhënë ndiesi të thella të një makthi, dyzimi, ekztaze, asgjëje, përçmimi, inspirimi të lartë, mizantropie, frymëzimi, etj. të një shoqërie të gjymtë, si ajo shqiptare, të shfytyruar nga pushtete të gjatë shtypës totalitarë dhe tranzicioni të gjatë pseudodemokratik, autoritarist, përballë botës së sotme të globalizuar të demokracisë liberale, (me në qendër liritë dhe të drejtat e njeriut),- rendit të ri botëror, që zëvendësoi komunizmin dhe kapitalizmin klasik. Kështu, pamje dilemash mes partnerësh, bukuri të vrara prej një kohe të dhunshme të shkuar persekutimesh biografike, dashuri të pajetuara, me fjalë të pathëna, puthje të padhëna, që rëndojnë në shpirt si kube të ftohtë inertë të një jete të munguar; portrete bukurish në piktura vajzash-modele dinjitoze, përballë njerëzish të tjetërsuar; çmenduri meskine çnjerëzore në panikun e pandemisë; të dashuruar me fytyrën e bukur të pritjes, si kuptimi i thellë i një dashurie; të lexuarit e letrave pa adresë të të panjohurve apo të njerëzve të ikur në amëshimin e vdekjes, si një mënyrë për të njohur njerëzoren e vetes; mesazhe virtuale ndjenjash të zbrazëta intimiteti, pamje fantazmagorike pizhamesh të bardha e të zeza internimi politik e takimesh sureale me këngëtaren klasike Tefta Tashko Koço dhe Yllkën, vajzën e re gjakovare, dëshmoren 17-vjeçare, vrarë nga pushtuesit serbë, në betejën e Çabratit, shpërfaqur si një klithmë e trefishtë lirie; dialogë sendërgjimi me ty, (që nxjerr telefonin e, si heremit, futesh brenda shpellës së teknologjisë), me veten, me njeriun; letra dashurie spitali, në çastet e fundit të jetës; vajza që kërkojnë më kot, me buzëkuqin në dorë, dashurinë e djemve shfrytëzues egoistë e arrivistë; erotizëm on-line me sfonde virtuale magjike, si një jetë e asgjësë; mëdyshje të një dashurie ku vajza qëndron më lart, me veten e saj, se me djalin meskin; sytë e përmalluar të gruas që nuk ndryshojnë nga sytë e përmalluar të burrit; gjysmëvathi i vajzës shpirtërore që gërvish trupin e burrit materialist për pasuri, në një marrëdhënie intime neverie; qielli i kaltër me re të reja që shfaqet si një mik entusiazmi në përditshmërinë e mediokritetit, etj.etj.. projektohen me një intensë dramatike.
Si imazhe traumash të një shoqërie e të një realiteti ku idealistët politikë, herojtë e lëvizjeve çlirimtare, luftëtarët për të drejtat e njeriut përfundojnë në spitale psikiatrike, në burgje, në mërgim dhe vetëm hamësit e pushtetit, të parave dhe krimit të organizuar, duket se lëvizin haptas, duke humbur kështu solidaritetin tonë njerëzor, pa të cilin asnjë shoqëri nuk mund të jetë koherente:
“…Shqipëria më ka nxjerrë nga ulërimat e dhimbjes së saj dhe ato ulërima janë ngjitur brenda e jasht meje. Jeta ime kishte formën e një ulërime. Por jo kur u linda, sepse u linda si një dritë e vogël. Që sa më shumë i largoheshe, aq më shumë ndriçonte…
Buzëqeshjen do ta vinin para një muri dhe mijëra plumba do t’i drejtoheshin. Por a zihet në çark buzëqeshja? Buzëqeshja e syve si vritet?…
Të dish dhe të mos mundesh ta ndryshosh botën, është si ajo bërtitje brenda vetes që t’i thyen të gjithë muret e xhamave të shpirtit…
Çfarë zhurme ka ulërima? Zhurmën e të vetmes pikë loti që rrëshqet mbi faqe në kërkim të një prehjeje. Ku prehen lotët? Te shpirti.
Dal një moment në dritaren e makinës (së varrimit).Me atë qetësinë e një të vdekuri iu them (burrave, të ngritur në këmbë): Uluni, ju lutem, përpara se të respektohet vdekja, mësoni të respektoni jetën!…
Në atë mbrëmje kur kupton se bota është tërësisht e mbaruar, e fundosur përfundimisht në errësirën e interesave dhe të pakteve të shpirtrave mediokër, kupton që askujt nuk i plas për individin…
Mos m’u afro. Të shoh ngjyrën e fytyrës. Je pozitiv. Ashtu vihet maska? Unë nuk vdes për ty!
Ai tërheq kokën nga shpella e ajfon-it duke spostuar sytë e tij nga jeta e asgjësë së pasur virtuale..
Çfarë do t’i mbesë akoma të shpikë njeriu për zhdukjen e vetvetes?!
Teori koti, inate të stërholluar, llogje kudo, shpëtimtarë nga çdo cep i botës dhe bota digjet nga flakët që i vënë shpëtimtarët…
Të them dhe një gjë tjetër: nuk është vdekja që vret, por indiferenca. Indiferenca që kemi për jetën e të tjerët…
Ndërsa unë ku isha? As e kam idenë ku isha. Si kjo kohë. Lesh e li. Kudo.”
Pamje dhe imazhe që përshkohen si nga një lejtmotiv, prej ligjit të jetës: ai që refuzon gëzimin e pastër të aktivitetit të ndershëm, nuk mund të ndiejë veçse gëzimin e tmerrshëm të vesit. Dhe që jehojnë nëpër prozën e Olldashit, me një fuqi shkundullime të dhembjes e revoltës, si njeri e grua me ndjeshmëri të thellë, si mjeke spitali e dhembshurisë e si artiste idealiste, me një jetë të dyfishtë mes Shqipërisë dhe Italisë.
Parë kjo përpjekje letrare, ky “kaos” impresionues (mbresëlënës) stilistik, si një përputhje e pasqyrim të një shoqërie kaotike, në këtë kundrim tonë, përmes intersubjektivitetit, (koncept i teoricienes hollandeze, Mieke Bal), pra, si një veprimtari e përbashkët e natyrës demokratike të analizës, përshkrimit dhe interpretimit të veprës artistike, si një tekstualitet tre shtresimesh: të tekstit narrativ, “historisë” që rrëfehet dhe fabulës së ngjarjeve që parashtrohen. Shikuar kështu ky proces studimi, si një fenomen kulturor, si një nga proceset e kulturës me të cilët jetojmë.
2. Forma të lira nyjesh ritmike
Një vuajtje si nga një pafundësi e brendshme dhe nga një tension i skajshëm të një të jetuari me intensitet sa që ndien një sfilitje për shkak të jetës, një përvojë të dhembjes, prej asaj ç’fsheh ti në vetvete e ç’fsheh bota rreth teje dhe ku subjektiviteti yt të mundon si në një vorbull, në vetminë e qenies, (ngaqë, siç thotë Bart, nuk ka botë të jashtme, përtej shkretëtirës së përditshme), vorbull në të cilën vërtiten dhe fatet njerëzorë të protagonistëve të rrëfimeve të Olldashit, ku vetëm afshi i absurdit mund të hedhë një dritë të errët mbi një kaos shkaqesh, përçudnish e idealesh morale e sociale.
Projektuar e gjitha kjo në një shkrimësi të lirë estetike, të një eklektizmi marramendës tekstesh të larmishëm tipologjikë. Kështu, që nga mizanskena simulimesh flirtesh, arkitektura skenash të jetës, etyde eseistike për kuptimin e dashurisë, proza poetike për qiellin, përsiatje metafizike për vetveten, ditarë intimë, tekste epistolarë lamtumire, gjer te fejtone ironike të groteskes, monodrama të vogla të “atij” dhe “asaj”, projeksione të letrarizuara psikanalitike, eskize (skicime) filozofike për dinjitetin e jetës dhe vdekjes, meditime linguistike me poetin e përtej jetës, etj. etj. mbushullojnë këtë përmbledhje narrative:
“…Trupi futet në mugëtirën e mëngjesit. Jam sensacion i çuditshëm. Herë-herë humb veten. Më harrohet. Më bie. Më zhduket identiteti: Kush jam? Ku jam? Përse jam? Kush më thotë që jam? Rris ritmin e vrapit. I them vetes: Mos mendo. E urdhëroj të qëndrojë mbi çastin…
(Triumfoj mbi botën që zhduket. Fitoj mbi klimën globale. Jam më e fortë se lufta në Afganistan. Fitoj mbi ethet hemorragjike të Marburgut. Fitoj mbi zjarret e Siberisë. Triumfoj. Por në ç’ditë jam sot?)
Nga ta di, kur nuk kuptoj kush jam? Kush më thotë që ëndrra nuk është realitet dhe realiteti nuk është ëndërr?…
Ju thashë që unë quhem Shqipëri! Pra, unë jam ju! Si vritet vetvetja? Nga vetvetja! Si vritet i pafuqishmi? Nga i pafuqishmi, nën dhunën e të fuqishmit! Si vritet i dobëti? Nga i dobëti nën dhunën e të fortit!
Unë që jam kaq bosh. Kaq me frikë. Kaq i vetëm; i sfilitur nga gjërat që zgjasin gjithmonë, sepse vetëm asgjëja zgjat përherë.
Kam lindur e lirë dhe vetëm Zoti mund të m’i shohë lotët. Të tjerët janë jasht meje: në udhëkryqe të ngatërruar të ekzistencës së tyre…
Jemi të lirë kur nuk kemi frikë, kur nuk kemi më çfarë humbim…
Çfarë është jeta? Kërkim, për të njohur vetveten…
Përse të duhej buzëkuqi kur zemra të shkërmoqej çdo ditë? Që të tjerët ta dinin që unë isha e fortë, e bukur dhe rezistoja…
Nuk qau vdekjen, por mosdinjitetin e vdekjes.. “
E gjithë kjo larmishmëri tekstuale kulturologjike, si një performancë e plotë artistike, dhënë përmes nyjesh (pasioni, vetmie, flirtimi, dhembshurimi, zhgënjimi, absurdi, guximi, pezmi, ndriçimi), ritmike që kumbojnë nëpër frymë e ëndrra ditësh e netësh, Ritme hovesh, vrullesh, heshtjesh, ekstazash, përbuzjesh, frymëzimesh, përçmimesh, përmalljesh, ditirambesh të së bukurës, shfytyrimesh moraliteti, shpërbërjesh të dinjitetit, hymnesh të së lartës shpirtërore, që hyjnërojnë e humnerojnë jetë njerëzore të kohës sonë. Në këto proza, endur herë-herë, me fraza melodike, të përpunuara e të copëzuara, me thyerje e repriza strukturash të tyre, si një muzikë xhaz, e ashpër dhe e rrëmbyer, ndërthurur si me kaba të buta, të shtruara e të qeta përmetare, me shkapërcime të lira tonalitetesh, drejt një poliritmie, eksperimentimi dhe improvizimi, improvizim ndonjëherë transgresiv, – kundërshtisë së sistemit social-politik të botës së sotme, (sa që të duket sikur letërsia e saj është shkruar brenda kufjesh të një muzike të pafund).
3. Dashuria si forca që na bën të dobët
Përveç vegimeve të fëmijërisë dhe vdekjes, s’ka si të mos shpërfaqet dhe dashuria, (tri kryetemat e përjetshme dhe universale të artit e letërsisë nëpër kohëra), në shumë nga prozat (rrëfime, sinopse narrative, përsiatjeje të stilizuara estetike, etj.) të përmbledhjes së autores që po kundrojmë.
O Zot, ti je njohja e të dashurve, do të këndonte, në këtë rast, poeti.
Dashuria që nis me vrojtimin e përkuljes së një shpine, të zgjatjes së një vetulle, fillimin e një buzëgazi ëndërrimi, tek sa ndodh që prania e një qenieje tjetër, shndërrohet në shend, gjersa bëhet ai zë gjatë natës që thotë në fërgëllimë “Të dua”, ndërsa të turbullon qenien, gjersa arrin të vësh në dyshim tërë gjithësinë dhe humb ndiesinë e realitetit, teksa, (duke ndërmendur përshkrimin e eseistes libano-amerikane Etel Adnan), dashuria, me ato ditë të saj të freskëta e të ndritshme, me ato pasdite të nënshtruara e të argjendëta si gravura të kthjellëta, bëhet një lumë zjarri që zëvendëson gjakun në arteterie, ndryshon drejtimin e kohës dhe shndërrohet në jetë, aq sa humbja e saj e bën jetën të pakuptimtë e shkretëtore:
“…Doja t’ia mbathja vrapit, por nuk bëja asgjë. Ajo prekje më pëlqente, më bënte të mbaja frymën në ajër dhe të shihja sytë e një dielli të ri. I panjohur më parë dhe që djeg ëmbël…
Njëlloj si horizonti i një velloje të bardhë nuseje shpërhapur nga era. Pafundësiiii! Koha jonë është pritje. Shtrihemi mbi pritjen. Flemë me të. Dashurohemi…
Për sa pak gjëra kemi nevojë dhe për sa shumë guxim çmendurie…
Mendo sikur unë të kisha një emër tjetër. Si do të mund të dashuroja ty? Askush nuk mund të të puthë ty me një emër tjetër. Sepse ty vetëm dashuria di të të puthë…
Dashuria është prezantimi më i mirë i bukurisë dhe bukuria, sidomos ajo e shpirtit, nuk do të na lërë të fundosemi në baltën e kësaj bote. Nuk dyshoj te dashuria, por te njeriu, po, dhe i rri shpesh herë larg…
Të kam vështruar në këtë mbrëmje. Kam vështruar ecjen dhe ndalesën tënde. Nuk t’i dëgjoja fjalët, por të dëgjova sytë…Sytë kanë ngjyrë malli…
Fjala ime e parë dhe e fundit si në këtë kohë dhe si në çdo kohë, është dashuria. Ajo e bën ndryshimin e jetës…”
Në prozat liriko-psikologjike të Olldashit, kjo ndjenjë e epërme shpërfaqet herë si apoteozë lartësimi e frymëzimi, herë si fuqi entusiazte e të dashuruarve, herë si dhembje për poshtërimin e saj nga meshkuj seksomanë arrivistë, a si trishtim për venitjen e saj nga mediokrja e meskinia e njerëzve shumëfytyrësh. Ajo që na befason në trajtimin prej kësaj autoreje të kësaj kryeteme, është jo vetëm perceptimi i njohur i dashurisë si një forcë që na bën të fuqishëm e të paepshëm, por dhe (duke parafrazuar një varg të një poeti grek), të dobët, të thyeshëm, të brishtë. Dhe kjo, jo si dobësi e natyrës njerëzore, por si një fuqi e faljes, e dhembshurisë, e besimit tek njeriu në emër të dashurisë, të sublimitetit të saj, të madhërishëm e të përjetshëm.
Që te tregimi “Gjendje” (që hap vëllimin në fjalë), me simulimin, “provokimin” e një flirti, në një gjendje subkoshiente, të së pavetëdijshmes në ëndërr, të gruas ndaj burrit të dashur dhe të një flirtimi të përfytyruar të këtij të fundit me një femër tjetër e që, sërish, bashkëshorti i saj dinjitoz, mbetet më i admirueshëm, në raport me një partner tjetër simulant; gjer te fuqia e një vajze për të mos u ndier e poshtëruar prej një të dashuri filistin e voajerist (që e mendon marrëdhënien erotike të një femre, thjesht në shërbim të tij, tek rend nga njëra te një tjetër), por të besojë se një ditë mund të shohë aurën e ndritshme të dashurisë edhe në fytyrën e një tipi arrivist, si besim i një fuqie shenjtërie, në emër të forcës së ndjenjës së vërtetë.
Por është e kuptueshme që kulminacione të dashurisë së dy njerëzve, janë ato deri në sakrificë e vetmohim, si ajo e djalit me vajzën e internuar, punëtoren me kominoshe të ndërtimit, dashuri e përjetuar tragjikisht, me fijen e barit që djali i ngazëllyer ia vë si unazë gishtit të vajzës së dashur të tij, “armikes së partisë” që në lindje; apo arratisja e Sonjës, gruas me sëmundjen e pashërueshme, nga shtëpia, për të mos dëshpëruar familjen; apo letra e lamtumirës së burrit në prag të vdekjes. për t’i thënë gruas të blejë fustanin e ri që ka pëlqyer e të gëzojë jetën duke i uruar gjithë të mirat, etj. etj.. Kjo ngaqë, duke parafrazuar Emil Cioran-in, njerëzit e trazuar prej pasionit dhe një dinamizmi të brendshëm shpërthyes, që jetojnë në temperaturën e lartë të energjisë së tyre, janë të destinuar të bien (të rrëzohen) në fatin e tyre dramatik.
4. Shkrimtar është veç ai që ngazëllehet nga gjuha
Shkrimësia letrare e tregimtares që po vështrojmë paraqitet, në një pjesë të madhe të saj, si një hetim psikanalitik, si një gjurmim të vetvetes në thellësi deri në të pavetëdijshmen e vet dhe të të tjerëve, me një tension artistik të shpërfaqjes publike, tension i brendshëm shpirtërimi që të ndërmend “Librin e shqetësimit”, veprën e famshme të Fernando Pesoas (dhe të letërsisë portugeze), autorit të admiruar prej shkrimtares sonë.
Një tekstualitet postmodern, narrativa e saj tregimtare ndërthur ndiesi dhe përjetime të thella të vetes me intertekstualen. Madje që në titull, si një referencë e kulturës së lashtë vedike indiane, më tej me paralelizma imazhesh të metamorfozës së Kafkës, mbretit Lir të Shekspirit, personazhesh të Hygoit, Tolstoit, Flober-it, parafrazime poezish të Gëtes, Migjenit, metafora të Çestertonit, vargje të Tagorës, etj.. Ngaqë një vepër postmoderne ushqehet jo vetëm me lëndën që ia jep jeta por dhe me letërsinë që e ka paraprirë, duke mos qenë kështu një ligjërim i virgjër, sepse fjalët kanë kujtesën e vet.
Por jo vetëm intertekstualiteti, por, pothuaj, të gjithë elementët e një vepre të postmodernizmit i shohim të mishëruar në prozën e “Atman”-it, të kësaj autoreje të spikatur: kaosin stilistik dhe eklektik, ironinizimin e së shkuarës, ars kombinatorikën me ndërthurje llojesh, zhanresh, gjinish e tipologjish të ndryshme shkrimi: rrëfim, ese, etyd, poezi, fiksion, fejton, monodramë, reportazh politik, etj..
Por dhe ndërthurje artesh të ndryshëm: të muzikës, (këngëtarja italiane Mina, reper-i Xheson Mraz, gjer te folku etnik, kënga shkodrane, potpuria e jugut, muzika e Shqipërisë së Mesme “Vika deti, o tallaz-tallaze”); të piktures, (që në kopertinë, me Rëne Magrit-in, me imazhet surealiste të Salvador Dali-së, në përshkrime gjendjesh psikologjike); apo fushash të tjera të jetës shoqërore, si: politika e ditës, me Putin-in, Bajden-in, etj.
Ngaqë në postmodernizëm, ku zhduken kufijtë mes jetës së përditshme dhe artit, siç shprehet në një sintezë të tij, poeti dhe studiuesi i ri prishtinas, Ag Aplloni, gjithhçka është e mundur dhe asgjë e sigurtë, me sloganin ”gjithçka shkon, gjithçka lejohet”. Sepse shkrimësia postmoderne, ky fenomen interaktiv planetar i gjysmës së dytë të shekullit të 20-të, nuk synon origjinalitetin e veprës, por autorësinë e një performance të re estetike.
Ashtu si dhe narrativa e Olldashit, që shndërrohet në një lojë artistike polifonike shenjimesh e kombinimi tekstesh memuaristikë, epistolarë, publicistikë, poetikë, aforistikë, përmes procedimit fiksional e faktografik, në një tekst të vetëm pastish-i e performimi. Me personazhe ambiguidë, të paemër, pa identitete individuale e sociale, që kapen në çaste të tensionuar dilemash ekzitenciale të shpërbërjes, rënies apo ringritjes shpirtërore. Me shkallëzime dhe kombinime të stilit të zhdrejtë dhe diskursit, pra, të tipit të rrëfimit homodiegjetik, ku rrëfimtari dhe rrëfimi njësohen, (tregimi “Bukuri në pantallona”), të tipit heterodiegjetik, ku rrëfimtari është i shkëputur nga personazhi dhe rrëfimi, (në shumë prej prozave të përmbledhjes në fjalë); në ndonjë rast, të tipit autodiegjetik, (autobiografik), ku autorja, rrëfimtarja, protagonistja identifikohen, madje, dhe me të njëtin emër, shenjim identitar, Laura, në një fiktion sa ireal aq dhe faktografik, (tregimi”Ëndrrat”, ku gjejmë, madje dhe elementë të një metafiksioni dhe të një hiper-realiteti, në të cilin nuk paraqitet realiteti, por një modelim i tij dhe ku, në mënyrë krejt të pavetëdijshme, historia dhe fiksioni ndryshojnë vendet: historia (me Larën e internuar, këngëtaren lirike Tefta Tashko dhe dëshmoren 17- vjeçare gjakovare, Yllka, bëhet fiksionale dhe fiksioni bëhet historia e vërtetë); si dhe në ndonjë prozë ku rrëfyesi nuk vetëkuptohet dhe veprimi narrativ merret përsipër nga ky apo ai personazh që, pa u bërë narrator i një historie që është jetuar apo që është duke u jetuar, ndërton qendrën rreth së cilës organizohet perspektiva e rrëfimit, ku gjithçka shihet nga kjo pikëpamje, (tregimi “Buzëkuqi”).
Teksa projekton një reflektim kritik për historinë, duke e rimarrë dhunën totalitariste të dramës politike të familjes së vet, në një kontekst ironik për t’u mbrojtur nga nostalgjia e së shkuarës. Por, gjithashtu, Olldashi paraqet realitetin e sotëm të demokracisë liberale, si një parodi të idealeve të kësaj demokracie. Duke modifikuar dhe organizuar me letrarësinë e saj një formë të re ndjeshmërie. Duke realizuar kështu atë që shpresohet nga një vepër arti, – tejkalimin e kontekstit të saj, drejt një magjepsjeje të lexuesit, për t’u ndier si në shtëpi të tij, brenda mendimit të tjetrit.
Ngaqë në këtë lojë letrariteti me gjuhën, gjërat janë si me shenjimet matematikore, luajnë veç me veten e tyre, pa shprehur gjë tjetër veçse natyrën e tyre të jashtëzakonshme, siç vë re Roberto Kalaso dhe, pikërisht për këtë, janë shprehëse. Ashtu siç e shohim tek arti rrëfimor i kësaj prozatoreje, ku na shpërfaqet, herë-herë, një fluks i vazhdueshëm fjalësh rreth gjuhës, sa që të krijohet përshtypja se është vetë gjuha që flet, ku gjuha dhe ligjërimi arrijnë në një afrimitet të kënaqësisë së tekstit. Sepse shkrimtar është veç ai që ngazëllehet nga gjuha, nga shija e formës, të thithur nga pasioni i vrulltë i së bukurës, i së çuditshmes, piktoreskes, saqë nocionet e së drejtës dhe të së vërtetës zhduken dhe ngjajnë si një ushtri metaforash në rendje:
“…Ndonjëherë duket sikur nuk gjen fjalën. Kopshti, ku shkon ta vjelë, është larg. Dhe zgjatet një tjetër heshtje. Dëgjohen hapa që ecin. Ndihet kërcitja e fjalës kur këputet nga dega. Bien germat, pastaj të tjera. Fjala fillon të marrë rrjedhshmri dhe tek ajo vjen ideja e një shporte që mbushet.. Vetëm atëhere flet qartë mendimi…Ti më ke shpjeguar që, të jesh, do të thotë të ndjesh! Dhe të ndjesh, do të thotë të jesh! Të tjerat janë përralla të një ekzistence false…
Buzët gjysmë të mbyllura me një diftong që ishte përgatitur për të dale, por akoma nuk ndihej gati për të marrë fluturimin e shqiptimit… Në mendje imagjinon grirjen e letrave pa adresë prej postës, dhimbjen e fjalës, të shpirtit që kishin germat…
Ti tërhiqje trupin tënd si figurë gjeometrike. I ke provuar të gjitha kostumet e tyre. Kur jeta të rrotullonte, ti bëheshe rreth. Kur ishte e egër, shpatullat e tua krijonin drejtkëndëshin. Kur grushtet goditnin stomakun, ti bëheshe katror akulli, e ftohtë, pa dhembje. Trekëndësh të shndërrohej mendja, kur arsyetimi eliminonte zemrën…
Këtë herë kërkoj shumë kujdes në zgjedhjen e germave, sepse e di që fjala duhet të vijë si një re e bardhë, si një bletë që di të gjejë nektarin edhe tek e vetmja lule, e mbështetur në shkatërrimin e botës…
Germa të mrekullueshme që vezullojnë vaj bukurie. Rrëshqas në të tjera botë, fluturoj në imagjinata perlash të vogla, të bardha, xixëlluese…
Burri kërkon t’i thotë vajzës që ka përballë: Të kam zemër! Por zanoret ulën kokën para se të dilnin. U dëgjua vetëm “zmr”. I them vajzës: Nuk të duhet një burrë me zanore të humbura. Burri më dëgjon shtrembër. Kilet e tij të dhjamëta ulen poshtë dyshemesë së bar-kafesë duke u vënë në kërkim të zanoreve. Që ishin të rrëzuara në dyshemenë e zemrës së vet…”.
Sepse shkrimi, te kjo autore, është jo vetëm çlirim nga tensioni i brendshëm, por dhe si një depërtim në thellësi të vetes. Dhe, të shkruash, është si të vendosësh në dyshim ekzistencën, botën e vlerave, por dhe të kërkosh të shkruash mirë, të kërkosh të mirën. Aq sa arti, siç na kujton Blansho, shndërrohet në një vend ankthi e sigurie, vetëshkatërrimi, shpërbërjeje të pafundme, por dhe lumturie e përjetësie.
5. Lavd së bukurës t’estetikës shpirtërore.
“…Gugugugu…Zgjohen mëngjeset e Elbasanit. Këngët e kumërive. Aroma e simiteve mbushur me petët e gjalpërosura.. Vjollcat me kokën sipër. Mielli i misrit i ballokumeve. Mulliri i vjetër ku deriçka e vogël i rrotullohet tokës. Muzika shkodrane “I ke faqet e kuqe si molla”…
Njerëzit e ndërlikuar si unë kënaqen me gjëra të thjeshta: me shiun që lag, me parfumin e luleve të portokallit, me kërcimet në ajër bashkë me Rudin, qenushin, dhe me zërat tanë që mbushin atë copëz kohe…
Kaq vite jasht vendlindjes dhe zakoni i njëjtë i gatimit të bukës. Miell, ujë, kripë. Ngjeshja e duarve në brumë. Terapia e stresit. Era e bukës që piqet. Parfumi i shtëpisë së vjetër, nostalgjia e fëmijërisë, stufa me dru, tubat e lyer me varak, kolla e vjetër. I zbret një lot në faqe. Nuk e fshin. Ka lirinë dhe arsyen të ekzistojë…
Takoj hënën e bardhë. Por qielli i errët më trishton, prandaj marr penelin dhe e lyej me një të kaltër të lehtë, vezulluese. Ndërsa diellit i përgatis një të kuqe veze të freskët, me pak sheqer dhe ia jap ta pijë si çaj, përpara agimit…
Jeton dhe punon në Milano, (ti, Laura). Larg botës mondane dhe artit. Profesioni yt (mjekësor, spitalor) ka të bëjë shumë me motivin e vdekjes. Dëgjon pa fund muzikë. Shkruan, të pëlqen e bukura, je gjithmonë në zbulim të estetikës shpirtërore…
Bora e parë…Drita të vogla ndizen. Zëra fëmijësh. Fluturza dashurie. Merr fluturimin drejt saj. Është kohë për t’u jetuar…
Plagët e mia i vesh çdo ditë me flamur entusiazmi, për të rithënë për të miliontën herë, të vetmen frazë që kurrë nuk e mohoj: jeta është e bukur dhe për kështu si është. Por jetës i duhesh Ti. Jetës i duhemi Ne.
Nuk jam mësuar të kem kaq shumë. Fus lugën në trupin tim, e mbush me diell dhe filloj t’ia dhuroj njerëzve. Grija e tyre ëmbëlsohet në të kaltër. I thërras qiellit me aq zë sa kam në kokë: – Çfarë është lumturia? – Çaste!
Pardje, kur një tjetër vdekje të kaloi para syve, të pashë që u fshehe poshtë një tavoline, ku askush mos të t’i shihte lotët që derdhe për njeriun…
Në mbrëmje, kur iki të vadis tokat e pajetuara, pikërisht në atë vend ku bie hija e hënës, lëshoj ondet e verdha dhe ia marr valles. Më pëlqejnë potpuritë e ngadalshme të jugut. Të hedh këmbën lehtë, të tund belin, të mbyll sytë dhe të ngre krahët lart si shqiponjë. Edhe kur muzika ndalon, vazhdoj të vallëzoj me notat imagjinare të fishkëllimës tënde, brenda çmendurisë sime. A do të kishte qenë ndryshe jeta me ty?
Të kam marrë për supesh dhe të kam thënë: bëhu sa vetja jote e bukur…”.
(Pasazhet tekstualë në këtë parashtrim janë marrë nga të 19 tregimet e përmbledhjes në fjalë: ”Kube të pajetuar”, “Vetes”, ”Piktura”, “Dialog me ty, me veten, me njeriun”, “Jetëvdekja”, “Sytë”,, “Qielli është miku im”, etj., gjer te proza e fundit “Kafe me Pesson,(Pesoan), pas vdekjes”).
“Çdo gruaje që banon në shpirtin tim”, është kushtimi i autores në hyrje të kësaj vepre të saj të parë narrative. Si për t’i dhënë kurajo drejt një shkalle më të lartë emancipimi. Por dhe çdo njeriu, mund të shtonim ne, që jeton në jetën e saj dhe të vet të bukur të njerëzores, si për t’i dhënë një lartësim shpirtërores së përditshme, “që ndjen, prek, beson sinfoninë e ngjyrave të dritave ( të saj), si ravgime mbi shpirtin”. “A e njoh vetveten?,- shpreh ajo kredon e vet në një opinion on-line. Ndoshta ky është hapi i parë i revolucionit individual e, më vonë, i revolucionit shoqëror. Pa njohjen e vetvetes, të kopshtit me shkurre apo me trëndafilë që rritim, nuk mund të ketë zhvillim”.
Dhe vijon më tej, Laura: Ditët e para kemi qarë të dyja: unë me veten, aq sa prekja me dorë dhimbjet. I përkëdhelja gjatë dhe i jepja kuptim ekzistencës së tyre. Më vonë, mbas pastrimit të errësirës, shoh drita të vogla që marrin përmasa të konsiderueshme. Dhe, sa më shumë shkruaja, aq më shumë dashurohesha me ato dhe me zemrën time. Kuptoja që brenda meje kisha një ujëvarë bukurie të mrekullueshme. Do të thoni të gjithë, që kjo ishte dhe është magji. Ashtu e konsideroj edhe unë, por kishte edhe “jo-të” e veta. Unë shihja pak bukuri jasht meje. “Atje” kishte njerëz të dëshpëruar që viheshin në luftëra të kota me njeri-tjetrin, kishte errësirë që i bënin të vdisnin duke jetuar, kishte urrejtje, egoizëm, inate që përplaseshin edhe tek unë. Të themi që ndryshimi im nuk u kuptua dhe nuk u pranua. Kjo më bëri që të rrija gjatë me veten dhe të shkruaja me kohën që mblidhja. Komunikoja me figurat e mia imagjinare, me njeriun, me shpirtin, me rrëzimet, urrejtjen, deluzionet, dashurinë. Shumë kam ndejtur me puthjen. Pastaj i jepja tituj çfarë shihja brenda shpirtit dhe i shndërroja në tregime, mrekullitë që prekja aty.
Ja kështu linde ti, Ātman! Nga një kaos. Nga kurioziteti im për të parë në sy rrëzimin tim dhe për t’i dhënë një emër. Por nuk e kisha imagjinuar dashurinë që ti do më jepje. As kuptimin dhe shndërrimin e bukur që i bëre ekzistencës së jetës sime. Por kudo që do shkosh, kudo ku do ndalesh, kur lexuesi të jetë në faqen e fundit, ti do ta kesh bërë më të bukur! Do t’ia kthesh zemrën që, ashtu si unë një herë e një kohë, ia kisha harruar kuptimin. Udhëto bukur dhe lehtë, Ātman!
Dhe, më tej, në bashkëbisedimet e saj virtuale, perceptimi i kësaj shkrimtarje: “Shumë herë pyes veten: Çfare është shkrimi për mua? Është lartësi, më bëhet e domosdoshme të shprehem kur jam plot me jetën, është fluturim, është Liria ime më e madhe. Njoh pjesë të mia të reja dhe habitem nga bukuria e tyre, shkrimi është auto-stimë. Më rrit, Më bën të shoh horizonte dhe jo kufij, dritë dhe jo errësirë, bukuri dhe jo negativitet, arsyetim dhe jo arrogancë. Teksa përdorimi i njeriut si eksperiment durimi, më shtyn të përdor prozën si eksperiment abstrakt të të shprehurit. Herë-herë me një ironi deri dhe cinike, për të cilën ndoshta duhet të kërkoj ndjesë. Ngaqë shkrimi më vendos në kërkim: të gjej kuptimin e ekzistencës sime, kuptimin e jetës. Për të gjetur pyetjet që ne “njerëzit” kemi brenda, shkrimi bëhet gjithçka: herë burrë, herë grua; herë e re, herë plak, herë pa moshë, herë e pajetuar. Ndoshta jasht, në sipërfaqe, “Ne” jemi çfarë kemi realizuar në jetë, ndërsa brenda, në unin tone, çfarë nuk kemi mundur të bëjmë, dhe ato na bëjnë “Ne””!
Ilirian Shima, lexuesi intelektual, vë në dukje se kjo prozatore “zbërthen çdo të fshehtë të shpirtit dhe tenton të vërtetën deri në marrëdhënien atomike të strukturës, zhveshjen absolute të qenies që, nga të tjerët, jo të rrëfehet, por as që guxohet të mendohet…”.
Për poetin dhe eseistin Dan Tuzi, (emri artistik i publicistit Shinasi Rama): “Ky asht nji libër që duhet lexue me kuptue veten dhe tjetrin, të përvojave të dhanuna artistikisht që e kanë bindë autoren se po gjen Atman, vetveten e saj të vërtetë dhe atë që i duhet në jetë. Në rrugë e sipër në shpalimin e librit, në rrëfimet e tjera, autorja asht vetvetja, por gjithëherë në jetët e tjerakujt. Rrugëtim i nëndheshëm, nga dëshira te modelet me kenë e lirë, te shpërfillja e shoqnisë, te zhgënjimi dhe nga zhgënjimi te ndamja (për me mbetë në kafe me nji Pessoa, që as ai vetë nuk e ka ditë cili personazh i veti ka kenë dhe as heroina nuk e din se me cilin personazh të tij po jep e merr), më duket mue, asht boshti i këtij libri. Drama personale e heroinës, që asht kaq e shtresëzueme dhe e shpërndame në detaje, në dukje të thërmueme në rrëfimet, duhet me thanë se asht procesi i formësimit, ose ma mirë, i rigjetjes së Atman-it të vet.”
Në admirimin e poetit, publicistit, botuesit të njohur (dhe, në këtë rast, dhe të redaktorit) të veprës letrare në fjalë, Rexhep Shahu, “në këto vizatime dashurie në lëkurën e fatit, na shpërfaqen tregime të botës së asgjësë, të botës pa letra dashurie, tregime që kanë shumë poezi brenda tyre, që kanë përsonazhe të çuditshme të zënë me jetë, në luftë me kotësinë, shtruar cepave të lagta e të mykta në kartona të jetës e të mbuluar me diell… që për një minutë dashurohen e u duhet një jetë ta kuptojnë ç’është dashuria. Se e ka të pamundur njeriu të shohë veten e tij dhe vetja e tij e ka të pamundur ta shohë njeriun. Aq afër e afër, si sytë, është dhe njeriu e vetja e tij, në një janë, në një kokë, në një trup, të mbështjellë me një lëkurë ku vizatohet fati si në pergamenë e nuk shihet… Duke lexuar tregimet e saj bëhesh ajo, bëhesh dikush tjetër, mbetesh pa vete, pa veten tënde, fillon e harron veten, pastaj kërkon veten dhe nuk e gjen, sa nis të vajtosh për veten, të shfaqen dhjetëra vete të tjera, fillon e kuvendon me to, vallëzon me to, miqësohesh e armiqsohesh me to…..Sa shumë do të ndriçohet lexuesi po të lexojë këtë libër, sa shumë do të lehtësohet, sa shumë udhë do t’i çelen, sa bukur do të ndjehet me veten sy për sy.”
Një letrarësi ligjërimore, do të përmbyllnim ne, e artit të të bërit dialog në monolog, mes së vetëdijshmes së realitetit dhe të pavetëdijshmes surealiste, gjithë me një furi të qashtër impulsive e forcë të gjallë impresioniste! Të shkrimit jo vetëm si çlirim i tensionit të brendshëm, por dhe si shpërfaqje e vetes së fshehtë. Një lavd së bukurës t’estetikës shpirtërore! Sepse, për të kapërcyer atë që dëshiron të kundërshtosh, për t’u frymëzuar për atë që kërkon të ndryshosh, të duhet fuqia e duhur dhe organizimi i forcës, si kur je me të tjerët, ashtu dhe kur je vetëm, si prozatorja jonë e re, Laura Olldashi, me fuqinë dhe organizimin e energjizmit të ndritshëm e fisnik, shpërfaqur nga thellësitë e vetvetes, të kuintesencës së qenies, të “Atman”-it të saj, kësaj aventure të ethëshme letrare, si një vrundull brafullitës me një flakëritje të paepshme…
Referenca bibliografike: Mieke Bal: “Narratologjia”, botimet Artini, 2021, Prishtinë. Roberto Calasso: Letërsia dhe zotat, Alef, 2018, Tiranë. Ag Apolloni: “Comentum, 1”, Bard books, 2019, Prishtinë.