Kontributet militare janë fatkeqësi, ato për humanitet investim për paqe

7 Minuta Lexim

Raportimet e medias botërore për katastrova natyrore si: tërmete, përmbytje, ndryshime tektonike në segmente të fuqishme infrastrukturore, parqe, qytete dhe bregdete si dhe tjetërsimet klimaterike, janë gati të përditshme. Këtij cikli të paparashikueshëm dhe të pandalshëm, u shtohen edhe akte të tjera të konsiderueshme me pasoja dhe ndikime shumëplanëshe si dhe përmbysjet e regjimeve të prodhimit në fusha të mikroklimave,  bujqësisë dhe blektorisë në skaje dhe vende të ndryshme të Botës. Këto të gjitha së bashku, shkaktojnë pasoja dramatike e fatale si lokale, kombëtare dhe globale.

Në këtë cikël vijues shqetësimesh e pësimesh, duket se përkujdesi dhe përgjegjësia globale nuk shfaqet dhe dëshmohet në kapacitete dhe me forcën e duhur institucionale.

Institucionet dhe organizmat ndërkombëtare, (ato që janë pjesë e infrastrukturës dhe arkitekturës kujdestare të globit), ose e kanë humbur ndjeshëm autoritetin, ose po vuajnë asimetrinë e qëndrimeve dhe interesave të grup-shteteve apo shteteve, (kryesisht atyre më të fuqishmëve), në këtë botë. Në këtë kontekst, duket se kujdesi global dhe investimi në këtë dimension për humanitetin, për kujdesin dhe mbrojtjen e botës njerëzore prej kësi pasojash, po bjerren dhe po bëhen mjaftueshmërisht jo përballuese.

Kombet e Bashkuara prej kohësh përmes autoriteteve të tyre konfirmojnë pakënaqësitë dhe rënien e krediteve publike për kësi arsyesh. Kapacitet burokratike, (por specifikisht ato financiare), për emergjencat apo ndërhyrjet, qoftë shpëtuese qoftë edhe parandaluese, po bëhen më të pakta.

nga VCG

nga VCG

Administratat shtetërore të vendeve anëtare në këto organizma, në jo pak raste diversitetin dhe mosmarrëveshjet e tyre për kontribute të pabarabarta dhe asimetrike e shpallin jo vetëm në seancat e njohura të seksioneve të OKB-së, por edhe në samite dhe forume të ndryshme ndërkombëtare qoftë në nivel rajonal, kontinental apo edhe më gjerë.

Bota po e redukton kapacitetin kontribuues të saj në financime dhe asistencë për këtë kategori pasojash dhe ndikimesh që janë të lidhura me natyrën dhe të papriturat e saj dhe që ndikojnë drejtpërsëdrejti në krizat humanitare dhe epidemitë apo pandemitë si dhe fatkeqësitë natyrore. Indekset vjetore të OKB-së dhe raportet periodike dëshmojnë qartazi diferencat dhe rëniet financiare mes shteteve kryesore.

Mjafton të sjellim në vëmendje përmbytjet masive të ndodhura së fundi në Pakistan dhe vihet re se sa i pamjaftueshëm është solidariteti financiar dhe ai me kontribut ndihmash humanitare prej këtyre organizmave dhe superstrutkurës institucionale globale dhe atyre ndërshtetërore.

Pasojat e kësaj fatkeqësie në Pakistan, ku ende gati një e treta e territorit ndodhet nën ujë, janë ende të pallogaritura. Plani emergjent ende nuk ka filluar të ekzekutohet sistematikisht, ndërkohë që qasja e shteteve të mëdha ende dëshmon avashllëk dhe dobësi kontribuese.

nga VCG

nga VCG

Përkundër kësaj qasjeje, qeveria e Kinës deklaroi si fuqi e parë, kontributin prej 300 milionë Juanë shtesë, pas ndihmave emergjente dhe vlerës prej 100 milionë juanë që lëvroi si grant të parë. Kjo ndihmë është paraprirë prej një kontributi të shpejtë humanitar  i përbërë prej mjetesh, ushqimesh dhe veshmbathjesh prej autoriteteve kineze. Ndërkohë që raportimet mediatike jo vetëm nga Pakistani por edhe prej atyre ndërkombëtare që e kanë në fokus realitetin e pasojave prej fatkeqësisë natyrore, dëshmojnë një situatë problematike e cila po përshkallëzohet pothuajse ҫdo orë dhe që parathotë një dramë shumëplanëshe për  kushtet dhe jetën e ardhme të disa milionë banorëve.

Rasti i Pakistanit nuk është i vetmi. Përvoja se si u nda gjatë pandemisë administrata ndërkombëtare kryesisht ajo e OKB-së dhe OBSH-së, jo vetëm për arsyet e shkaqeve dhe burimit të shpërthimit të pandemisë, por për përballimin e saj dhe sidomos për kostot financiare dhe pasojat që shkaktoi ajo mbi ekonominë globale, flasin qartë se ndërgjegjja institucionale globale dëshmon neglizhenca të rënda shërbimi dhe gatishmërie në fushën e përkujdesit dhe mbrojtjes së jetës njerëzore.

Kjo provë e keqe e investimit  të pamjaftueshëm ndërkombëtar për pasojat mbi jetën njerëzore  dëshmohet në shumë vende dhe merr provë negative prej shumë rastesh të fatkeqësive që kanë ndodhur në Afrikë, në Lindjen e Mesme, në vende aziatike dhe kontinente e shtete të tjera.

Solidariteti  politik ndërkombëtar ka diferencë me solidaritetin e konkretizuar financiar dhe kontribuues prej organizmave dhe shteteve të fuqishme.

Kina dhe qeveria e saj sipas statistikave të pohuara ndërkombëtarisht, por edhe sipas transaksioneve reale financiare të kryera prej saj, po dëshmohet si një shtet i fuqishëm që po e shton specifikisht dhe kontribuitivisht solidaritetin për arsye dhe destinacion humanitar nëpër vise të botës.

nga VCG

nga VCG

Ndërkohë që në aspektin tjetër, kapacitetet dhe mobilizimet e kushtueshme financiare, për regjime të prodhimit mbrojtës dhe ushtarak, për tensione, konflikte dhe zhbërrje të rendit ndërkombëtar, po investohen në shuma marramendëse që shumëfishojnë jo vetëm shqetësimin global, por edhe frikën masive njerëzore.

Mekanizmat dhe institucionet financiare globale, po e braktisin strukturën e deritanishme që në gati tri dekada gjeneroi qetim të planetit dhe lokalizime të mundësive për konflikte dhe luftëra.

Sot nuk është më kjo klimë dhe aspak, kjo prirje ndërshtetërore. Sidomos në marrëdhënien me institucionet dhe organizmat e fuqishme ndërkombëtare. Pasiguria dhe zhvillimet gjeopolitike si realitet i ri i dominencave multilaterale, po e zbehin unitetin e botës. Po shtohet kriza për më tepër humanitet dhe kujdestari ndaj fateve dhe ndihmesës së njerëzimit në raste fatkeqësish dhe katastrofash. Kjo është një prirje ogurzezë dhe lënie në mëshirë të fatit, kryesisht të popujve të vegjël dhe sidomos atyre që kanë kushte specifike natyrore më në risk në vendet dhe territoret e tyre.

Nismat e diplomacisë ndërkombëtare dhe rishqyrtimi i strukturave unifikuese e koordinuese në këtë aspekt, do të bënin të mundur të rikonfirmonin logjikën e paqes së duhur globale. Kjo ndodh nëse vendimmarrësit politikë dhe protagonistët e qeverisjes globale rikthejnë në ndërgjegjen e tyre maksimën e së vërtetës  se kontributet ushtarake dhe luftarake janë fatkeqësi për botën dhe njerëzinë, ndërsa ato për humanitet dhe ndihmë shpëtuese, janë investim për paqe të sotme dhe të ardhme.

 

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull