Në vend të një përshëndetje për shokët e mij nënujsa!

29 Minuta Lexim
Avis Gjyshja

Katastrofa e nëndetëses bërthamore ruse “Kursk”, e cila ndodhi më 12 gusht të vitit 2000, në Detin Barents, përveç se tërhoqi vëmëndjen e gjithë botës për jetët e humbura dhe mënyrën se si ndodhi, ngriti edhe shumë pikëpyetje lidhur me sigurinë e nëndetëseve të këtij fillim shekulli. Ndjeshmëria e publikut në mbarë botën përveç alarmit për forcën shkatërruese të armëve të tilla, drejtohej edhe në pamundësinë për të ndihmuar një nëndetëse kur ajo pëson avari.
Si gjithë të tjerët, por edhe si një ish nënujës, ky problem më ngacmoi edhe mua.
…Para pak kohe, duke kërkuar për materiale rreth tragjedisë së nëndetëses “Kursk”, ndesha në një histori e cila përveç të tjerave mu duk interesante për ta ndarë me ish shokët e mij të nënujit. Ishte një intervistë e habitëshme e një ish kadeti të Akademisë Detare të Leningradit, një hebre rus i quajtur Chayim Sheynin, i cili sipas të dhënave publike që gjënden lehtë në internet, rezulton që të jetë akoma gjallë dhe të jetojë në një shtet jo shumë larg meje, në Filadelfia të Shteteve të Bashkuara.
Intervista ishte realizuar nga gjigandi mediatik amerikan ”ABC News” dhe kjo kish ndodhur gjatë atyre ditëve të këqija kur bota kish mbajtur frymën dhe ndiqte fatin e ekuipazhit të nëndetëses bërthamore ruse “Kursk”, i cili mendohej se ishte akoma gjallë brënda nëndetëses së mbytur dhe kishte nevojë urgjente për ndihmë nga jashtë.
Në atë intervistë Sheynin, thoshte se edhe vetë ai ishte një nga të mbijetuarët e një tjetër aksidenti nëndetësesh ruse por këtë radhë i një nëndetëseje Whisky Class, e njëjtë me nëndetëset tona. Sipas intervistës, ky aksident, kishte ndodhur në Mars të vitit 1960 dhe po në ujërat e Detit Barents, diku midis Gadishullit Kola dhe arqipelagut Novaya Zemlya, çuditërisht po në të njëjtën zonë ku më 12 Gusht 2000, ndodhi edhe aksidenti i nëndetëses “Kursk”. Dhe çudia tjetër ishte, se sipas intervistës, edhe ai aksident, kishte ndodhur po nga një shpërthim siluri.
Efekti i asaj interviste duket se qe i madh për atë kohë. Edhe sot po të klikosh në internet emrin e Chaim Sheynin do të shohësh se intervista e tij me “ABC News” qe përcjellur edhe nga shumë media të tjera amerikane e të huaja. Për kureshtarët, në fund të këtij postimi po vë disa adresa elektronike ku mund të lexohen materiale origjinale rreth kësaj ngjarje.
I përkthyer dhe i përshtatur nga unë, materiali rreth kësaj interviste është përafësisht ky:
………………………..
“Në kohën e asaj ngjarje, Sheynin 22 vjeçar, ishte kadet në Akademinë Detare të Leningradit.
Siç ishte e zakonëshme në praktikat e shkollave detare ruse të asaj kohe, Sheynin bashkë me dy studentë të tjerë të Akademisë, qenë dërguar në një nëndetëse Whisky Class për një praktikë qitjesh me silurë. Por gjatë ushtrimeve stërvitore, për arsye të pasqaruara, ndodhi që një nga silurët të ngecte në aparatin e lëshimit.
-Ishte një gjë jo e zakonshme -thotë Sheynin – kështu që ne për të sqaruar shkakun u urdhëruam që ta nxirrnim silurën mbrapsh në local.
Ndërsa në lokalin e parë filluan veprimet për kontrollin e silurit problematik, të tre kadetët i larguan nga lokali i parë dhe i urdhëruan që të kalonin në lokalin e shtatë të nëndetëses për të ngrënë darkë. Pa filluar mirë të hanin, një shpërthim i tmerrshëm e i papritur metalik, i rëndë si një thyerje apo këputje e llahtarshme nervi u duk sikur e shqeu në copa nëndetësen. Gjithçka u shkund ashpër, pjatat fluturuan tutje, gjërat e palidhura dhe njerëzit u rrëzuan, ndriçimi u fik, ndërlidhja u ndërpre dhe nëndetësja filloi menjëherë të pjerrësohej në bash e të fundosej me shpejtësi…
-Nuk e di sa zgjati – thotë Sheynin në kujtimet e tij. -Kishte shumë panik por në fund ne kuptuam se qemë plasur në fund të detit, në një thellësi rreth 270 metra.
Të lemerisur e të pazotë për të menduar e vepruar, të mbërthyer nga paniku dhe pa një oficer që të mund ti udhëhiqte, situata degjeneroi pa kontroll e pa shpresë. Dikush filloi të ulërinte me histerizëm e të thosh se ishin varrosur për së gjalli dhe se do të vdisnin aty në fund të detit. Ky ishte dhe momenti kur njëri nga anëtarët më të vjetër të grupit nxori pistoletën, qëlloi në ajër dhe ulëriu se do të vriste në vend këdo që nuk do të bindej e që do të thoshte qoftë dhe një fjalë të vetme.
Askush nuk dinte dhe as që i shkonte në mëndje të pyeste në se 42 anëtarët e tjerë të ekuipazhit në lokalet e bashit të nëndetëses, ishin gjallë apo kishin vdekur. Sheynin thotë vetëm se 14 apo 17 burra (burime të ndryshme japin shifra të ndryshme!) që u gjëndën në lokalet e kiçit u mblodhën në lokalin e shtatë. Nënujësi që kish marrë komandën tha se rezerva e ajrit do të mbaronte shpejt, ndihmë nga jashtë nuk mund të kishte dhe e vetmja shpresë për mbijetesë ishte të tentonin daljen e avarisë përmes njërit nga tubat e silurave në lokalin e shtatë. Me nerva të hekurta e pistoletë në dorë, i gatshëm ti hapte trutë çdo njeriu që mund të shkaktonte panik, ai shpjegoi se si do bëhej kjo, tha edhe se për atë thellësi ngjitja do të zgjaste tre orë për çdo njeri, qartësoi se si duhej të numëroheshin goglat e litarit që do lëshohej me bovën plluskuese të avarisë nga nëndetësja deri në sipërfaqe, udhëzoi për shpejtësinë e lëvizjes dhe ndalesat në ngjitje, dhe tha edhe se kush nuk zbatonte rregullat e daljes nga thellësia do të vdiste pa një pa dy.
I gjithë grupi veshi kostumet e gomuara të cilët kishin nga brënda dhe një shtresë të trashë me lesh deveje për ti mbrojtur nga hypothermia, kontrolluan dhe vendosën gati për përdorim aparatet IDA-51M të frymëmarrjes për dalje nga thellësia dhe u rreshtuan para aparatit të silurave prej nga ku do të niste dalja.
Sipas shortit Sheynin ishte personi i shtatë në radhë që do të dilte nga nëndetësja.
Ishte pak të thoje se kjo mënyrë daljeje nga nëndetësja dhe nga ajo thellësi ishte e rrezikëshme. Shanset për mbijetesë ishin shumë fare të pakta për të mos thënë zero, por në rrethanat që ndodheshin, ajo ishte e vetmja rrugë e mundëshme dhe koha nuk priste…. Do futeshin një nga një në aparat, do mbyllej kapaku i përparëm, errësirë absolute, do fillonte futja e ujit nga jashtë, presioni brënda tubit do rritej gradualisht derisa të barazohej me të jashtëmin -për atë thellësi diçka më pak se 30 atmosferë- pastaj do hapej kapaku i jashtëm i tubit dhe njeriu që do dilte nga tubi do të gjente nëpër errësirë litarin, koka e të cilit e lidhur me bovën plluskuese prej tape të avarisë ishte lëshuar mekanikisht që brënda nëndetëses dhe kishte fluturuar 270 metra lart, deri në sipërfaqe. Pas daljes nga aparati i silurës, njeriu jashtë bordit do të fillonte ngjitjen e ngadaltë nëpër ujrat e akullta e më të zinj se nata, ndërsa nga nëndetësja do të mbyllnin kapakun e jashtëm të tubit të silurës, pastaj do e thanin, pastaj do hapej përsëri kapaku i përparmë, do futej njeriu njeriu i radhës dhe procesi do të përsëritej.
Të kapur pas litarit ata duhet të ngjiteshin duke numëruar goglat e vendosura në distanca të përcaktuara për të vlerësuar shpejtësinë e lëvizjes dhe kohët e pushimeve të detyruara, duke numëruar sekonda, minuta e orë të tëra pa patur orë për ta parë. Nëse do të ngjiteshe më shpejt se sa duhej do të vdisje në mënyrë të sigurtë nga barotrauma e mushkërive ose embolia gazore. Barotrauma e mushkërive është çarja e tyre nga diferenca e presioneve ndërsa embolia gazore ësdhtë krijimi I flluskave të gazit në gjak dhe indet e trupit, fenomene këto të pashmangëshme dhe absolutisht fatale për jetën e njeriut.
Dalja ishte njëlloj sikur të hyje në humnerën e vdekjes… Sheynin thotë se e kujton me saktësi kontaktin me ujin e akullt, dhëmbjet e tmerrshme nga ngritja e presionit, pastaj daljen, gjetjen nëpër errësirë të litarit të lidhur, krizën e panikut etj..
– Gjithçka për rreth ishte sterrë e zezë dhe akull. Asnjë rreze drite nuk depërtonte në ato thellësi- kujton Sheynin. -Dhe ne na kishin thënë se nga ajo thellësi duheshin jo më pak se tre orë për të arritur në sipërfaqe. Por presioni psikologjik, frika dhe ankthi na shtynin pandërprerë lart, dhe ne duhet të luftonim me to. Gjendja ime psikologjike, natyrisht, nuk ishte në më të mirën e saj dhe unë dola në sipërfaqe për rreth dy orë.
……….
Ai thotë se pasi doli në sipërfaqe nuk pa askund për rreth ndonjë shenjë të shokëve që u nisën para tij.
-Ishte mars – thotë Sheynin – dhe rajoni ishte i zhytur në një muzg të vazhdueshëm. Nuk e kisha idenë në se mund të kishte kaluar një ditë apo ndoshta pesë ditë..
Ndjeu dhimbje, shtypje në gjoks dhe shijen e gjakut në gojë. Vonë do mësonte se mushkëria e majtë i qe çarë dhe kishte gjakderdhje. Hoqi gojëzën e aparatit të frymëmarrjes mbylli bombolën e oksigjenit dhe humbi vetëdijen…
Një luftanije sovjetike që kaloi andej e gjeti dhe e mori në bord..
……………..
Sheynin,thotë se ai nuk e mësoi dot kurrë se çfarë ndodhi me shokët e tij.
-I gjithë informacioni që munda të merrja ishte i shkurtër -tregonte ai -Më thonin “janë në rregull!” dhe kaq!
Pas kësaj si rrallë ndonjë qënje tjetër në faqe të globit, Sheynin thotë se i kaloi tre muajt e ardhshëm i mbyllur në një dhomë barometrike nën presion, në një spital ushtarak, në bazën Polyarny të Flotës Veriore në Alexandrovsk të Murmansk Oblastit të Rusisë Veriore.
U desh të prisnin me muaj derisa presioni në mushkëri u ul dhe organi e kaloi gradualisht pjesën më të rëndë të traumës. Pas kësaj, Sheynin kaloi dhe shtatë muaj të tjerë në një spital detar në Leningrad dhe në fund mjekët i thanë se ai nuk ishte më i aftë për të shërbyer në marinë..
-Ata më urdhëruan që të heshtja -thotë Sheynin. -Disa admiralë, përfshi dhe komandantin e spitalit ushtarak, erdhën tek unë dhe më thanë që të mos e hapja kurrë gojën.
-Kjo ishte Lufta e Ftohtë. Ju e dini -thotë ai- se këto ishin sekrete të mëdha shtetërore dhe ushtarake.
-Ishte një mrekulli, ishte një mrekulli – përsërit ai. -Dhe ajo që bëmë ne ishte aq shumë e rrezikshme.
……………”
Kaq ishte intervista.
Në materialet e gjetura në internet, thuhet se pas atij viti të gjatë duke u rikuperuar nëpër spitale, Sheynin tashmë i pa aftë për shërbim në marine, filloi të studionte gjuhët klasike dhe semite. Si hebre që ishte, ai emigroi në Izrael në vitin 1972. Por në vitin 1979 ai la Izraelin dhe u transferua përfundimisht në Filadelfia të SHBA-së ku edhe mbaroi studimet e doktoraturës në Universitetin e Pensilvanisë në të cilin u specializua për gjuhët greke e latine, filologji klasike, gjuhë dhe letërsi semite, bibliografi dhe literaturë hebraike, paleografi hebraike, dorëshkrime hebraike etj dhe shpejt pas doktoraturës ai filloi punë si kreu i Bibliotekës së Referencës në Kolegjin Privat Hebre Gratz, në Melrose Park të Pensilvansë.
Sipas atyre që shoh në internet unë besoj se Sheynin megjithëse rreth 84 vjeç rron akoma dhe sot. Dhe sipas atyre që shkruan shtypi, trupi i tij vazhdon e ka akoma dhimbje, por “kjo -thotë ai -është një kujtesë e mrekullisë së mbijetesës së tij”.
Por nga intervista duket se as ai dhe as intervistuesi nuk i kanë njohuritë e duhura teknike për të gjykuar për nëndetësen “Kursk” dhe as për temën për të cilën flasin. Sheynin i referohej asaj që ai e quante eksperiencën e tij dhe thonte se situata e nëndetëses së tij kishte qenë edhe më e rrezikshme se sa ajo e “Kursk”. Por Sheynin dukej se vlerësonte vetëm thellësinë dhe jo shumë element të tjerë teknike e rrethanore që bënin diferencën dhe që vulosën dhe fatin e ekuipazhit të “Kursk”.
“Ishim shumë më thellë, patëm një shpërthim dhe nuk kishim asnjë oficer. Nëndetësja jonë ishte shumë më primitive, ishte një nëndetëse e Luftës së Dytë Botërore” – thotë ai në intervistë.
“Nuk mund ta imagjinoj – shtonte Sheynin- se përse nuk po dalin nga tubat e silurëve, nuk e njoh këtë nëndetëse, por po lutem me gjithë shpirt që të jenë mirë dhe të shpëtohen”.
Ai nuk e dinte që “Kursk” kishte vetëm gjashtë aparate silurash në bash dhe asnjë në kiç dhe se mënyrat e daljes nga ajo nëndetëse ndryshonin teknikisht nga ato të nëndetëses së tij.
-Në aspektin personal gjithmonë sa herë flitet për nëndetëse Wisky Class, Projekt 613, pra për nëndetëse të njëllojta me tonat, unë ndjej çangën e vjetër të kujtimeve e të nostalgjisë të fillojë të më gjëmojë në shpirt. Kjo gjë ndodhi edhe kur lexova intervistën e Chayim Sheynin. Në mëndjen time erdhën shokët dhe orët e lodhëshme të stërvitjeve rutinë të “Luftës për jetën” e bashkë me to natyrisht edhe detajet e opsionet e mundëshme teorike të daljes në rast avarie të nëndetëses.
Por pas entuziazmit të parë, ndjeva që intervista e tij, kishte edhe ca gjëra që e bënin të pabesueshme dhe që sa here i kthehesha aq më e pavërtetë më dukej.
E para gjë ishte se përse në atë intervistë nuk thuhej se cila qe ajo nëndetëse. Dhe si për ta ma bërë edhe më të dyshimtë këtë histori unë nuk munda të gjeja nëpër statistika asnjë rast katastrofe nëndetësesh që ti takonte Marsit të vitit 1960. Nga 215 nëndetëse Whiskey-Class të prodhuara gjatë gjithë historisë së tyre, janë regjistruar vetëm tetë incidente të rënda, ndërsa në gjithë periodën kohore të viteve ’60 ka vetëm një rast i cili i takon dates 27 Janar 1961, kur nëndetësja sovjetike C-80 u mbyt pa asnjë të mbijetuar në Detin Barents.
E dyta ishte se ai thoshte që doli nga thellësia 270 apo 275 metra.
Si një ish oficer nëndetësesh, unë i njoh procedurat teorike të daljes në rast avarie nga nëndetëset e atij tipi dhe bashkë me to edhe aparatet IDA-51M. Megjithëse unë nuk jam mjek, por nisur nga eksperieca dhe njohja, nuk mund ta pranoja për të vërtetë mundësinë e daljes nga një thellësi e tillë dhe as mënyrën se si ai thotë se ndodhi. Dalja më e thellë pa ndihmë nga jashtë prej një nëndetëseje të mbytur, e regjistruar dhe e përfshirë në Librin e Rekordeve Guinness, është ajo e Bill Morrison më 6 Mars 1945 në Loch Striven të Skocisë kur ai mundi që të dalë nga një thellësi prej më shumë se 60 metrash. Morrison, i cili vdiq më 11 Shkurt 2012, pati gjakderdhje të rënda nga hundët, veshët e goja si dhe dhimbje të forta koke, qafe e shpatullash të cilat i vazhduan edhe për shumë e shumë vite më pas.
Megjithatë duke e ditur se Marina Sovjetike e kish praktikë konstante mbajtjen sekret të të gjitha ngjarjeve e jashtëzakonëshme që ndodhnin atje gjatë Luftës së Ftohtë, thashë se ku i dihet dhe e shtzta vehten që të bëja edhe ca verifikime shtesë.
E para kërkova dhe pashë që Hayim Sheynin vazhdonte të ishte gjallë dhe pasi gjeta emailin e tij dhe bashkë me të edhe një faqe facebook-u të hapur po në emrin e tij, tentova disa herë të lidhesha me të.
Por për arsye që unë nuk i di, ai nuk ju përgjigj dëshirës time.
Duke e analizuar në detaje, e gjithë historia e treguar nga ai filloi gradualisht të më dukej si një tregim fantastiko-shkencor i tipit të shkrimeve të Jules Verne.
I pazoti për ta sqaruar këtë ngjarje me rrugë të tjera, mendova se mënyra më e mire për ta zbardhur do të ishte marrja e të dhënave nga vetë Marina Ruse. Për këtë shfrytëzova lidhjen time me Kapitenin Igor Kurdin, një ndër legjendat reale të nënujsave rusë, hero i vëndit të tij dhe njohës pa asnjë mungesë i historisë së tyre, bashkëautor i një libri dokumentar dhe filmi me emrin “Hostile waters” në të cilin përshkruhet historia e nëndetëses bërthamore sovjetike K-129, ku ai kish shërbyer deri pak ditë para se ajo të mbytej në vitin 1986 në ujrat pranë ishujve të Bermudas. Përveç kësaj Kapiteni Igor Kurdin, aktualisht në detyrën e Kryetarit të Klubit të Nënujsave në San Petersburg të Rusisë, në vitin 2020 ka botuar edhe librin “Kursk-20 let spustja” (Kursk- 20 vjet më vonë).
Dhe kështu, me gjithë ndrojtjen time se mos e bezdisja, i shkrova dhe pas kësaj nuk vonoi që në emailin tim të mbërrinte një përgjigje e shkurtër por plotësisht informuese e Zotit Kurdin:
“-I dashur Avis Gjyshja,
Kjo histori është e pabesueshme! Eshtë e pavërtetë!
Ndoshta kjo, është mbytja më 27 janar 1961, e nëndetëses С-80, Projekt 644, diesel -gjenerator me raketa e cila u mbyt në Detin Barents.
Sinqerisht, Igor Kurdin”
……………
…Pra e tërë ajo histori ishte fund e krye një mashtrim.
Duke mos u marrë më me arsyet pse Sheynin e trilloi këtë histori që ndezi shtypin amerikan, unë po tregoj këtu më poshtë diçka shkurt për katastrofën e nëndetëses C-80 historia e së cilës, besoj se vërtet ka shërbyer si një shtrat për këtë mashtrim.
…………………………………………..
-Nëndetësja C-80.
Fillimisht nëndetësja C-80, ishte një nëndetëse Diesel-Gjenerator, Projekt-613, e njëllojtë me tonat, e cila ishte futur në shërbim të Flotës Sovjetike të Veriut më 2 Dhjetor 1952.
Në fillim të Korrikut të vitit 1957, C-80 u dërgua në Kantierin Detar të Severodvinskit ku pas disa modifikimeve, u pajis me dy tuba lëshimi jashtë bordit për raketa anti-anije të tipit SS-N-3 Shaddock. Me këto ndryshime ajo u shndërrua në një nëndetëse Projekt- 644, e njohur nga NATO me emrin Whisky Twin-Cylinder.
Pas këtij modifikimi dhe provave përkatëse, nëndetësja C-80 u rikthye në shërbim, në prill të vitit 1959.
Natën e katastrofës, duke gdhirë data 27 Janar 1961, nëndetësja C-80, me 68 anëtarë ekuipazhi në bord, ishte në detin Barents ku po kryente një detyrë shërbimi duke lundruar në thellësinë e PDN siç i themi ne shqiptarët apo në thellësinë e Snorkelit (*) siç njihet në terminologjinë ndërkombëtare.
Frynte erë e fortë, forca e detit ishte më shumë se gjashtë ndërsa temperatura e ajrit luhatej nga -5 °C e poshtë.
Në orën 01:27 të asaj nate, nëndetësja, besohet nga dallgët, ra për një moment nën thellësinë e regjimit PDN, fenomen ky që në kushte normale duhet të kishte shkaktuar mbylljen e menjëherëshme automatike të valvulës së PDN për të penguar hyrjen e ujit të kripur në sistemin e ajrit të motorrave diesel. Por kjo nuk ndodhi sepse valvula ishte e bllokuar nga akulli për arsye se sistemi i ujit të ngrohtë që vinte nga diezelat dhe që duhej ta mbronte valvulën nga ngrirja, ishte gabimisht i stakuar.
Uji i kripur përmbyti sistemin e ajrimit të motorrave me naftë të cilët u fikën menjëherë. Njerëzit e lokalit të pestë të hutuar nga ngjarja nuk reaguan dot në kohë dhe kur ata tentuan, boshti i valvulës ishte deformuar dhe bërë i pakomandueshëm nga forca e ujit që po vërshonte në lokalin e pestë.
Shpejt nëndetësja filloi të pjerrësohej në kiç dhe kur pjerrësia kaloi 45 gradë, nëndetësja humbi lundrueshmërinë dhe mori drejt thellësisë derisa u plas në fund të detit në thellësinë 196 m….
…Do të kalonin shumë kohë dhe vetëm më 23 qershor 1968, një anije shpëtimi e quajtur “Altay” do të zbulonte rastësisht në koordinatat 70°01′23″ Veri dhe 36°35′22″ Lindje, në një thellësi prej 196 m, trupin e një nëndetëseje të mbytur.
Menjëherë pas kësaj kamerat e një batiskafi do ta identifikonin atë si nëndetësen C-80.
Një komision qeveritar studioi raportin dhe autoritetet sovjetike në nevojë emergjente për të zbuluar se çfarë ndodhi me nëndetësen C-80, urdhëruan fillimin e një operacioni i cili u quajt “Thellësia”, për nxjerrjen e mbetjeve të nëndetëses. Kantieri i anijeve Nikolayevsk ndërtoi për këtë qëllim një anije speciale shpëtimi që u quajt “Karpaty” dhe që qe e aftë për të ngritur një nëndetëse të mbytur nga thellësi jo shumë të mëdha.
Operacioni “Thellësia” u udhëhoq nga kapitenit i Rangut të Parë S. Minchenko. Më 9 qershor 1969, nëndetësja C-80 u shkëput nga fundi i oqeanit dhe duke u mbajtur në gjëndje të nënujëshme u transportua me kujdes në Mys Teriberskiy, një lokalitet rural në Oblast Murmansk, në bregun e detit Barents, në grykëderdhjen e lumit Teriberka dhe më 12 korrik pa u nxjerrur nga uji, u ul në një taban të studiuar në thellësinë 51 metra.
Më 24 korrik 1969, pas disa përgatitjeve shtesë, nëndetësja C-80 u ngrit në sipërfaqe. Gjatë gushtit të atij viti, një komision qeveritar nën udhëheqjen e Heroit të Bashkimit Sovjetik, zëvendësadmiralit Grigory Shchedrin, filloi studimin e rrënojave të nëndetëses për të zbardhur historinë e mbytjes së saj. Komisioni përcaktoi jo vetëm shkaqet e mbytjes së menjëhershme të nëndetëses, por edhe dy gabime të tjera që e kishin komplikuar aksidentin. E para ishte se ekuipazhi nuk qe përpjekur të stakonte muftat midis motorrave me naftë dhe atyre elektrikë për të futur menjëherë në punë motorrat elektrikë dhe për çudi e për më keq, as nuk nuk kishin tentuar çfryrjen e avarisë.
Lokalet e dytë, të tretë dhe të katërt qenë shkatërruar, ndërsa në lokalet e gjashtë dhe të shtatë kishin mbjetuar 24 anëtarë të ekuipazhit, mbetjet e të cilëve u gjetën me aparatet IDA-51 të veshura. Por përpjekjet e tyre për të dalë nga nëndetëseja e mbytur kishin dështuar dhe kështu që të 68 njerëzit e S-80 vdiqën pa asnjë të mbijetuar.
Fati i tyre kish mbetur i panjohur për shtatë vjet e gjysmë…
…………………………………..
Shënime:
(1*)Një “snorkel” nëndetëseje (shqip Shatë PDN-je) është një pajisje që mundëson marrjen e ajrit nga sipërfaqja dhe lejon një nëndetëse të lundrojë nën sipërfaqen e ujit duke përdorur motorrët me naftë. Ky ishte një koncept që u ideua nga disa inxhinierë holandezë dhe i njohur me emrin “Sistemi snorkel” (ne shqiptarët e quanim sistemi PDN/Formë e shkurtuar e shprehjes- Punojnë Diezelat nën Ujë) i cili ra në duart e gjermanëve kur këta të fundit pushtuan Hollandën. Në fillim nuk gjermanët nuk i kushtuan shumë rëndësi, por më vonë, gjatë vitit të fundit të Luftës së Dytë Botërore, kur e kuptuan se çfarë qe e sa shumë vlerë kishte, e përdorën gjerësisht në nëndetëset tyre U-boat. Por koha tregoi se Snorkelët, me gjithë të mirat e mëdha që kishin dhe pavarësisht se përdoren akoma në nëndetëset jo bërthamore, kishin dhe kanë kufizime e probleme të ndryshme.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull