Mehmet Elezi
U nënshkrua në Nju Jork “Marrëveshja për Bashkëpunimin në politikën e jashtme” midis Moskës e Beogradit, dhe m’u kujtua Edi Rama.
Mos i kërkoni Vuçiçit t’i vërë sanksione Rusisë. Është kërkesë e tepruar. E pamundur të realizohet. Do të ishte katastrofë. Edhe për Ballkanin Perëndimor.
Sapo ia kishte përsëritur këtë “këshillë” Perëndimit, përmes një radioje angleze.
Vuçiçi s’e përkrah Putinin, vijoi Rama. Ka votuar tri herë kundër tij në OKB. Edhe për ta përjashtuar Rusinë nga Komiteti i të Drejtave të Njeriut.
Votat, për të cilat flet Rama, janë thjesht alibi. Edhe “për”, edhe “kundër”, ato vota s’ndryshonin gjë.
Ndërsa sanksionet e Serbisë do t’i dhimbnin Putinit.
Me gjuhë popullore, ato vota të Vuçiçit në OKB janë lëngu, sanksionet janë thela.
Vuçiçi i ofron lëngun botës së qytetëruar. Thelën e le për Putinin.
Për të mbrojtur mikun (disa thonë padronin!) Vuçiç, Rama këmbëngul: lëngu është thelë!