Gazetari sportive Fatjon Baze, ka komentuar disfatën që kombëtarja shqiptare ka pësuar në kompeticionin e Ligës së Kombeve, duke mos arritur objektivin që ishte përcaktuar, i cili ishte vendi i parë në grup.
Në emisionin “Sot, live në Shqipëri” me gazetarët Migena Sotiri dhe Nertil Agalliu, gazetari u shpreh se përgjegjës për këtë gjëndje ku ndodhet sot ekipi kuqezi nuk është vetëm e stafit teknik, por dhe e krerëve të Federatës Shqiptare të Futbollit.
“Kemi marrë një disfatë zhgënjyese në sfidën e luajtur pardje përballë Izraelit, ku edhe pse ishte fryrë se do arrinim një fitore të sigurtë, duke iu referuar deklaratave të lojtarëve, stafit, dhe krerëve të FSHF-së, me qëllim arritjen e vendit të parë.
Ishin disa deklarata jo korrekte, duke e bërë fakt të kryer fitoren, ndërkohë që pak muaj më parë Izraeli na dha një leksion të pastër duke na mposhtur në “Air Albania” me përmbysje rezultati. Është një humbje që natyrisht kërkon marrjen e përgjegjësisë jo vetëm tek trajneri, por edhe më sipër.
Përgjegjësia e dështimit duhet parë dhe tek ata persona që caktojnë stafin teknik, që në këtë rast është kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit ai që ka përzgjedhur këtë staf teknik që ka dështuar. Trajneri Edi Reja padiskutim që ka përgjegjsitë e tij për këtë disfatë dhe gjëndjen ku ndodhet ekipi jonë përfaqësues, por gjithashtu përgjegjësi ka dhe presidenti Duka, i cili para ndeshjes shfaqej e premtonte para për lojtarët dhe që e kishte bërë fakt të kryer fitoren, pas humbjes është zhdukur duke mos bërë asnjë reagim dhe ka oranizuar gjithë njerëzit e tij në media ashtu që dështimin ta dërgojnë vetëm tek stafi teknik dhe vetë mos të marrë asnjë pergjegjësi, ndërkohë që është ai njeriu kryesorë që ka përzgjedhur këtë trajner dhe staf drejtues në krye të kombëtares.
Nuk ke se për çfarë e fajson Edi Rejën, i cili ishte një trajner që e kishte mbyllur karrierën e tij, dhe ishte pikërisht presidenti i Federatës Shqiptare te Futbollit që e mori dhe e solli në krye të ekipit tonë kombëtar.
Pesha me e madhe bie mbi presidentin e FSHF-së që solli në krye të ekipit një trajner që ka dështuar me rezultatet që ka korrur me përfaqësuesen tonë. Ndaj nuk duhet fajësuar vetëm trajneri, por dhe ata që i sjellin në krye të Shqipërisë”, u shpreh gazetari sportive Fatjon Baze.
Në vijim ai shtoi se Shqipëria ka në gjirin e saj futbollistë mjaft cilësorë që luajnë në kampionatet më të forta në Europë dhe keqmenaxhimi ka bërë që këta elementë nuk po arrijnë që të japin maksimumin e tyre tek skuadra përfaqësuese.
“Ky është grupi i lojtarëve më i artë që skuadra jonë përfaqësuese. Është grup edhe më i mirë nga ai që na mundësoi kualifikimin për në kampionatin Europian. Por nuk kemi stafin dhe drejtuesit e duhur që të arrijnë të krijojnë që këtë lojtarë të japin maksimumin”, u shpreh gazetari, i cili foli më pas dhe për mundësite që Shqipërinë ta drejtojë një trajner shqiptar si dhe për sfidën e nesërme që do luhet në “Air Albania” kundër Islandës.