Nga Thoma Nika
Ka disa mënyra për ta parë veten brenda kësaj Dite Botërore. Saranda e shënoi me një takim të konceptuar si miniguidë nëpër asetet më të arritshme të Qytetit të Turizmit. Miniguida ishte me ata që, për 30 vite e më shumë, guidojnë turistët, kryesisht të huaj, në statusin e brezit të parë të udhërrëfyesve, prezantuesve dhe promovuesve të atraksioneve turistike të Sarandës e më gjerë, në gjithë rajonin e jugut shqiptar. Një rajon i tërë, të cilin ata e njohin të gjithin si “shtëpinë” e tyre.
U ndjenë mirë, u ndjenë të vlerësuar e të emocionuar, teksa u fol për ta. Edhe ata folën për veten. Të zbulohej një botë, një jetë dhe një profesion, të dëgjoje Thimjo Çohon, Afërdita Bitunin, Vangjel Xhanin, Qazim Hadon, Loreta Zanin, Shpresa Shahun, Zhuljeta Rexhon, Polikseni Ikonomidhin, apo episodet e Spiro Angjelit.
Mes emocionit të tyre, të gjithë përcollën emocion, teksa rrëfyen për vështitësitë e fillimeve të tyre, tek sfida e kapërcimit të tyre, deri në performimin me profesionalizëm e kompetencë.
Është një lloj i veçantë pasioni dhe dashurie, t’u rrëfesh të huajve Sarandën, Ksamilin, Muzinën, Konispolin, Delvinën, Finiqin. Ata ia dolën ta bëjnë, secili më vete.
Pas disa dekadash shërbimi të tillë, ishte e para herë që e panë njeri-tjetrin bashkë, në një event që pati ata për protagonistë dhe tërë prozhektorët e vlerësimit dhe nderimit bashkiak, ranë mbi ta.
Ishte ndoshta gjetja më e mirë për t‘i bërë të ndjehen kryefjalë dhe kryevlerë, njerëzit që janë në skalionin e parë të të bërit turizëm. Pa patur hotel a restorant, pa patur stacion plazhi. Duke patur e shpërndarë me dashuri e korrektësi, vetëm dije dhe informacion turistik.