Deputeti i PD, Enkelejd Alibeaj është takuar këtë të mërkurë me anëtarin e Bundestagut gjerman, Gunther Krichbaum, pjesë e CDU-së gjermane.
Në një postim në rrjetet sociale, Alibeaj ka ndarë fotot dhe disa nga temat e diskutuara në këtë takim.
“Një takim miqësor dhe i hapur me z. Krichbaum
Bashkëbiseduam mbi çështje të rëndësishme të procesit të Integrimit Europian të Shqipërisë, përmbushja e parakushteve dhe rrugën që duhet të ndjekë politika shqiptare në këtë proces, si dhe sfidat që prekin sistemin e drejtësisë ndër vite, lufta ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, si garantues të demokracisë funksionale.
Reformat e ndërmarra nga PD në shërbim të qytetarëve, reforma Administrativo-Territoriale dhe reforma Zgjedhore janë hapa konkretë qe duhet dhe do të sjellin produkte të prekshme për shqiptarët.
E siguruam z. Krichbaum për qëndrimin e palëkundur dhe vendimet e marra pa kthim pas të PD në rrugën e saj drejt të ardhmes, me fokus në shërbim të qytetarëve dhe demokracisë”, shkruan Alibeaj.
Kujtojmë që CDU gjermane, aleate e PD, njeh Alibeajn si përfaqësues të PD.
Kohë më parë, Krichbaum, tha në emër të CDU, se ata nuk do të bashkëpunojnë me PD, nëse drejtimin e saj e merr Sali Berisha.
Dhe këtë po bëjnë, pasi nuk po e presin Sali Berishën në asnjë takim, duke njohur Alibeajn si përfaqësues të PD-së.
Çfarë deklaronte Krichbaum
“Neve nuk na takon të ndërhyjmë. Por kjo do të thotë edhe për ne dhe për mua personalisht, se unë do të vazhdoj të punoj dhe ta mbështes PD-në vetëm nëse jepet një sinjal largpamës në përzgjedhjen e kryetarit. Nëse nuk do të jetë kështu, por do të ketë kthim në të djeshmen, në mos të pardjeshmen, atëherë kjo nuk mund të gjejë mbështetjen time personale. Në një rast të tillë, unë do të angazhohesha që të pezulloheshin procedurat për anëtarësim në nivel të Partisë Popullore Evropiane. Sepse ne, si parti Parti Popullore Evropiane duhet të ecim përpara”, shprehej Krichbaum për Deutche Welle.
Pra, ju do ta refuzoni PD-në, nëse në krye të saj vjen Sali Berisha?
Besoj se u shpreha qartë ashtu siç e thashë. Partia lipset të marrë një vendim të mençur dhe të marrë parasysh efektin në planin ndërkombëtar, nëse në të vërtetë ndjek pretendimin se jo vetëm dëshiron të bashkëpunojë në nivel ndërkombëtar, por edhe të marrë në dorë drejtimin e vendit. Ky është qëllimi legjitim i një partie në demokraci: që të vijë në pushtet e të formojë qeverinë. Unë mendoj se amerikanët kanë gjetur fjalë të qarta dhe mendoj se partia bën mirë që fjalë të tilla të mos i lërë pa i dëgjuar.