Parlamenti Evropian (PE) pritet të kërkojë që vazhdimi i bisedimeve të anëtarësimit mes Serbisë dhe Bashkimit Evropian (BE) të kushtëzohet me vendosjen e sanksioneve nga Beogradi ndaj Rusisë.
Kjo kërkesë është pjesë e një draft-raporti për strategjinë e zgjerimit të BE-së të përgatitur nga Tonino Piculla, deputet socialdemokrat nga Kroacia, i cili është raportues i PE-së për këtë strategji.
Në propozime po ashtu thuhet se duhet “të bëhet prioritet përshtatja e vendeve nga procesi i zgjerimit me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë së BE-së dhe të vazhdohen negociatat e anëtarësimit me Serbinë, vetëm nëse ky vend i bashkohet sanksioneve të BE-së ndaj Rusisë”.
Serbia ka votuar disa rezoluta të Kombeve të Bashkuara që dënojnë pushtimin rus të Ukrainës, por deri më tani nuk u është bashkuar sanksioneve të bllokut evropian ndaj Moskës.
Edhe më herët, PE-ja ka kërkuar nga Serbia që t’i vendosë sanksione Moskës. Por, në këtë draft-raport për herë të parë përmendet kushtëzimi i bisedimeve për anëtarësim me vendosjen e masave ndëshkuese ndaj Rusisë.
Serbia, së bashku me Turqinë, janë shtetet e vetme që bëjnë pjesë në procesin e zgjerimit, që deri më tani nuk kanë mbështetur sanksionet e Perëndimit ndaj Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës.
Ditëve të fundit, në disa qarqe të BE-së është shprehur zhgënjim me sjelljen e Serbisë, pasi Beogradi javën e kaluar nënshkroi një marrëveshje për konsultime në fushën e politikës së jashtme me Federatën Ruse.
Edhe Shtetet e Bashkuara shprehën shqetësim për këtë marrëveshje, teksa ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, tha se në kohën kur pushtimi i Ukrainës po vazhdon, askush nuk do të duhej “të nënshkruante diçka me Rusinë”.
Por, Serbia ka thënë se një marrëveshje të tillë, Ministria e Jashtme serbe ka nënshkruar me Rusinë që nga viti 1996, çdo dy vjet.
Në draft-raportin e PE-së, për të cilin do të debatohet në tetor në Komisionin e Politikës së Jashtme, kërkohet që sa më shpejt të përmbyllet liberalizimi i vizave për Kosovën. Po në tetor, Këshilli Evropian ka vendosur në agjendë çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën.
Sipas dokumentit, kërkohet që BE-ja të angazhohet më shumë me autoritetet e Kosovës dhe Serbisë që përmes dialogut të ndërmjetësuar nga blloku, shtetet të arrijnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht të obligueshme për normalizimin e raporteve.
Aty po ashtu theksohet mbështetja për aspiratat evropiane të shteteve të Ballkanit Perëndimor, por edhe për Ukrainën, Moldavinë dhe Gjeorgjinë.
Përmes dokumentit të përgatitur nga PE-ja po ashtu bëhet thirrje që “të përshpejtohet procesi i integrimit i atyre vendeve që dëshmojnë orientim strategjik dhe përkushtim të palëkundur ndaj reformave evropiane, konsolidimit të demokracisë dhe harmonizimin me politikën e jashtme të BE-së”.