Ambasada amerikane në Moskë ka lëshuar një paralajmërim, duke u kërkuar qytetarëve të saj që të largohen menjëherë nga Rusia.
Në një deklaratë, ambasada amerikane tha se qytetarët me dy nënshtetësi mund të thirren për t’u bërë pjesë e mobilizimit të qeverisë ruse në mbështetje të pushtimit të saj në Ukrainë.
“Rusia mund të refuzojë të njohë shtetësinë amerikane, të mohojë aksesin e tyre në konsullatën e SHBA-së, të parandalojë largimin e tyre nga Rusia dhe të rekrutojë këta shtetas për shërbimin ushtarak,” thuhet në deklaratën e tyre.
Ambasada paralajmëroi se qytetarët e saj nuk duhet të udhëtojnë në Rusi dhe se ata që banojnë në vend duhet të largohen menjëherë.