Nga Ennio Flaiano
Fashizmi është demagogjik, por në mënyrë urdhëruese, retorik, ksenofob, urrejtës i kulturave, përbuzës i lirisë dhe i drejtësisë, shtypës i të dobtëve, shërbëtor i të fortëve, gjithmonë i gatshëm t’u hedhë të tjerëve shkaqet e pa-aftësisë, apo të humbjes së tij.
Fashizmi është lirik, gerontofobik (gerontofobia – është një frikë ose urrejtje jonormale ndaj të moshuarve ose ndaj idesë për t’u plakur- shpjegimi im L.P), huligan kur ia lyp nevoja, gjithmonë budalla, por i shkathët, kopjac, me karakter të dobët. Ai nuk e do natyrën, sepse e identifikon natyrën me jetën e fshatit, domethënë me jetën e shërbëtorëve; por ai është fshatar harbut, pra ka fodullëkun e një shërbëtori të pasuruar. I urren kafshët, nuk ka ndjenjën e artit, nuk e do vetminë, as nuk e respekton fqinjin, i cili nga ana tjetër nuk e respekton atë.
Ai nuk e do dashurinë, por zotërimin. Nuk ka ndjenjë fetare, por e sheh fenë si mburojë për të penguar të tjerët të vijnë në pushtet. Ai beson në mënyrë intime në Zot, por si tek një entitet, me të cilin ka krijuar një marrëveshje të ndërsjellë, do ut des (do ut des – është një shprehje latine që do të thotë diçka për diçka, për të nënkuptuar një shkëmbim reciprok,- shpjegimi im L.P). Ai është supersticioz, dëshiron të jetë i lirë të bëjë atë që i pëlqen, veçanërisht nëse u shkakton dëm ose bezdi të të tjerëve. Fashisti është i gatshëm të bëjë gjithçka vetëm e vetëm që të pranohet që ai të jetë padroni, babai.
Pjesë të zgjedhura: ENNIO FLAIANO, Mos harro, 1976 (Shkrimet pas vdekjes, Milano, Bompiani 1998).
Përktheu nga origjinali:
Laureta Petoshati