E quajti Erdoganin ‘mi kanalesh’, Turqia reagon ashpër ndaj zv.presidentit të Bundestagut

2 Minuta Lexim

Turqia ka shprehur zemërim për komentet nënçmuese të bëra nga zëvendëspresidenti i Bundestagut gjerman Wolfgang Kubicki kundër presidentit Rexhep Tajip Erdogan.

Ambasadori i Berlinit në Ankara u thirr për t’iu dorëzuar një notë proteste ‘e fortë’ lidhur me deklaratat, njoftoi agjencia shtetërore Anadolu.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme Tanju Bilgic dënoi ‘deklaratat fyese’ të Kubickit të bëra gjatë fushatës së tij zgjedhore në Saksoninë e Poshtme, duke pretenduar se ato ishin ‘të papranueshme’ dhe se politikani ishte ‘i papërshtatshëm’ për pozicionin e tij në parlament.

Ndërsa Ministria e Jashtme nuk bëri të ditur se cilat deklarata të veçanta tërhoqën vëmendjen e Ankarasë, disa media vunë në dukje se Kubicki i referohej Erdoganit si ‘mi kanalesh’, duke e fajësuar atë për krijimin e një krize tjetër emigrantësh në Evropë.

“Deklarata të tilla të pahijshme tregojnë nivelin e tij politik dhe moral dhe zbulojnë vulgaritetin e tij.” – tha Bilgic.

Kubicki që atëherë ka konfirmuar për Reuters se ai në fakt i është referuar Erdoganit si ‘mi kanalesh’ ndërsa i drejtohej një mitingu gjatë fushatës së tij zgjedhore.

Politikani gjerman, i cili është pjesë e Partisë Demokratike të Lirë, një nga partitë në pushtet në vend, tha se ai e bëri krahasimin ndërsa përpiqej të tërhiqte vëmendjen ndaj rritjes së numrit të emigrantëve të paligjshëm që lëvizin nga Turqia drejt Gjermanisë.

“Vala e refugjatëve përgjatë rrugës ballkanike nga Turqia po rritet përsëri, gjë që është një sfidë për politikën e jashtme dhe të brendshme gjermane.” – citohet të ketë thënë ai nga Reuters.

Sipas Guardian, Ankaraja ka lejuar mijëra refugjatë sirianë të mblidhen përgjatë kufirit midis Turqisë dhe Greqisë, të cilët pritet të përpiqen të kalojnë kolektivisht në BE.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull