Dy persona kanë rënë në prangat e policisë ditëne sotme në Tiranë, pasi u kapën me disa doza kokainë, gati për shpërndarje.
Të arrestuarit janë identifikuar si Armando Behari 23 vjeç dhe Brunald Shakaj 33 vjeç. Mësohet se 33-vjeçari Shakaj akuzohet po ashtu se ka thyer masën e sigurisë “Arrest me burg”.
Sipas njoftimit të polcisë, 23-vjeçari administronte një qendër tatuazhesh, në rrugën “Sulejman Delvina”, në të cilën kryente edhe aktivitetin kriminal të shpërndarjes së lëndëve narkotike.
Njoftimi i policisë:
Finalizohet operacioni policor i koduar “Tattoo”, nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve.
Goditet 1 rast i veprimtarisë kriminale të shpërndarjes së lëndëve narkotike në doza, në një qendër tatuazhesh. Vihen në pranga administratori i qendrës dhe bashkëpunëtori i tij, i cili kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”.
Sekuestrohet lëndë e dyshuar narkotike kokainë, e ndarë në doza, gati për shitje.
Si rezultat i operacionit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:
– A. B., 23 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”;
– B. Sh., 33 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.
Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se shtetasi A. B. administronte një qendër tatuazhesh, në rrugën “Sulejman Delvina”, në të cilën kryente edhe aktivitetin kriminal të shpërndarjes së lëndëve narkotike, në bashkëpunim me shtetasin B. Sh.
Gjatë kontrollit fizik ndaj këtyre shtetasve dhe kontrollit në ambientet e kësaj qendre, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, lëndë të dyshuar narkotike të llojit kokainë, të ndarë në doza, gati për shitje.
Pas verifikimeve të kryera ka rezultuar se shtetasi B. Sh. kishte shkelur masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”, duke dalë jashtë banesës. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.