Agjencitë ligjzbatuese në Malin e Zi kanë ndërmarrë të enjten një operacion masiv kundër një grupi personash që dyshohen si agjentë të spiunazhit rus.
Autoritetet lokale kanë deklaruar se forcat speciale, nën drejtimin e Agjencisë për Sigurinë Kombëtare dhe Prokurorisë së Posaçme, kanë arrestuar dhjetëra persona në Podgoricë.
Sipas burimeve zyrtare, të arrestuarit janë kryesisht shtetas rusë, por edhe malazezë, mes të cilëve një funksionar i administratës shtetërore.
Në reagimin e tij, kryeministri në ikje, Dritan Abazoviç ka vlerësuar operacionin e institucioneve duke deklaruar se bëhet fjalë për një aksion të tipit ndërkombëtar, i kryer në bashkëpunim me vendet partnere të Malit të Zi.
Marrëdhëniet diplomatike mes Malit të Zi dhe Rusisë janë përkeqësuar që prej vitit 2014, kur Podgorica zyrtare mbështeti sanksionet e Perëndimit ndaj Moskës për shkak të aneksimit të gadishullit të Krimesë.
Së fundmi, shteti i vogël ballkanas ka mbështetur edhe masat ndëshkuese të BE-së në dëm të Kremlinit për shkak të luftës në Ukrainë.
Gjithashtu, në 6 muajt e fundit autoritetet malazeze kanë dëbuar nga vendi 6 diplomatë rusë, për kryerjen e aktiviteteve që bien ndesh me Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike.