E dashur Jonida !

2 Minuta Lexim

Viktor Zhusti

Kur dy mendje, ne distance kontinentale, kanë dhe ruajnë brenda vetes të pa shlyer të njëjtën ëndërr, vetëm dashuria dhe pasioni mund t’a mbajnë gjallë e të pashuar zjarrin në shpirtrat e tyre. Dhe kur, pas kaq e kaq vjet ndarjeje, pas “fjalës së dhënë”, vjen çasti që gjithçka të marrë formë e dritë, nuk mund të shpjegohet ndryshe, veç se “u puqet ylli”
Shume vjet më parë, shfaqëm adhurimin e përbashkët për “Mbretin Lir”, por, ndërmjetësuan largimet, pandemia, jeta ne shtete e probleme te ndryshme, që fashitën gjithçka.
Dhe, ndërsa po bëhesha gati të të këndoj motivin “besën, moj që s’e tret dheu, vall’ ç’e bëre, ku e çove”, më erdhi, çuditërisht papritur, lajmi i madh !
Është rol i ëndërruar nga çdo Aktor i moshës së tretë. Është ndër rolet më të komplikuara, me mbingarkesë të jashtezakonshme vokale dhe emocionale, që vështirë se gjendet i dytë, ne repertorin shekspirian.
Çdo rol, e bën aktorin të vuajë e djersijë, Liri, të çmend e të rraskapit. Çdo ditë me të në skenë, nuk është prove, por ndeshje dhe çdo shfaqje, betejë rraskapitëse. Dhe, të gjitha, i kaluam bashkë, besuam fort tek njeri-tjetri dhe me modesti e përkushtim, besoj, ia dolëm.
Sa e mundëm te Madhin dhe të Marrin Mbret, do të na gjykojnë artdashësit, kolegët, kritika, ndërsa më duhet të pohoj se, për mua, ka qenë një pervojë e çmuar dhe një dhuratë e mrekullueshme e TEATRIT METROPOL, në këtë vit moshe, të njejtë me të 80-at e Mbretit !
Asgje nuk do ish e mundur të arrihej pa kujdesin dhe përkushtimin e gjithë kolegëve, ansamblit krijues dhe ekzekutues te Metropolit, të cilët i falenderoj me mirënjohje, për ndihmën e pakursyer. Kurse për ju, e nderuara Regjisore, shumë e shumë falenderime, përgëzime e përqafime !
Dashuri e respekt !

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull