Jani Malo
(Ngjarje e vërtetë e ditës së sotme, e diel 2 tetor, 2022)
Ai ngriti dorën në Orikum. Ora sapo kishte kaluar 16.00. Ndalova. Deri në Tiranë, më tha.
I bëra me shenjë dhe ai hipi. Ishte një mesoburrë me fytyrë të vuajtur. Por ishte i rruar dhe i veshur pastër. Kishte vetëm një çantë të vogël në dorë.
Sa u përshëndetëm më tha:
– Kthehemi dhe kalojmë nga rruga e re. Është një mrekulli. Ku vë dorë Edi Rama art bën, apo jo?
Kur e pa që unë nuk fola, heshti dhe ai. Zakonisht nuk marr njerëz të panjohur, por kisha nga Saranda deri në Orikum pa shkëmbyer fjalë me njeri. Si të thuash, më ishe tharë gjuha në fyt, prandaj dhe e theva rregullin tim të pashkruar. Dhe ja, u pendova pa bërë një kilometër me të.
Kur iu afruam Ujit të Ftohtë më pyeti:
-Nga të kemi?
-Këtej, – thashë pa saktësuar gjë.
-E ndjek Flamurtarin? – ndërroi muhabet.
-Dikur, – iu përgjigja prapë shkurt.
Te Rrapi në Ujë të ftohtë u duk makina e parë e policisë rrugore. Dy policë u bënin shenjë me dorë shoferëve që të nxitonim. Pastaj makinat e policisë u shpeshtuan, në çdo kryqëzim të Lungomares do shihje patjetër një makinë Policie dhe 2 ose 3 policë. Alternoheshin, herë policia rrugore dhe herë ajo bashkiake. Deri në të dalë të Vlorës, tek Pusi i Mezinit, numërova mbi dhjetë makina dhe 2 herë më shumë policë.
Ktheva kokën nga pasagjeri që kisha në krahë. Sepse më erdhi keq për të. Mos u tregova i pasjellshëm, mendova. Gjeta sebep prezencën e shtuar të policisë dhe, për të treguar se edhe unë isha nga ato anë, fola si vlonjat:
-Shoh shumë policë në të gjitha rotondot. Mos ka ndodhur gjë?
-Jo, vëlla. Asgjë. Ishte Edi këtej. Vjen fundjavave. Tani po ikën.
Fliste me një familjaritet për t’u admiruar për kryeministrin e vendit. Thashë ta ngacmoj.
-Duhet të jetë pajtuar me Rama me Lelin, – i thashë, – se i shoh bashkë policët e bashkisë me ata të rrugores.
Nuk foli. Ndoshta nuk i pëlqeu. Edhe unë nuk fola.
Patrullat e policisë vazhduan të shtuara gjatë gjithë rrugës, në çdo kryqëzim, deri te plepat, në Durrës. Dukej sikur ne të dy, secili për llogari të vet po numëronin makinat e policisë, ashtu sikurse luanim dikur kur numëronim makinat sipas targave të rretheve.
Në Gosë na parakaluan me një shpejtësi garash dy makina luksi. Njëra me ngjyrë jeshile të nikeluar dhe tjetra pis e zezë. Mbase qenë dy Ferrari.
-I paskemi rënë më qafë kot Edi Ramës, – thashë unë dhe shtova me ironi. – Policia duket se paska dalë për të siguruar garën e këtyre.
– Kështu flet Saliu, – tha me seriozitet. – Sipas tij policia është në shërbim të krimit. Pyll pa derra nuk ka. Po policia e Edit me atë të Salës janë si nata me ditën.
Prapë heshtëm. Dukej që ai nuk gjeti njeriun e duhur për muhabet, po as unë nuk doja ta shtyja më tej bisedën. Tek Shkëmbi i Kavajës pamë dy makinat e garave që kishin ndezur bllokazhin dhe kishin ndaluar në mes të rrugës. I parakaluam, po kjo zgjati vetëm pak çaste. Pa arritur tek Plepat ato morën revanshin dhe duke lënë prapa një zhurmë shurdhuese na humbën menjëherë nga sytë, duke bërë zig-zak sa në të majtë dhe në të djathtë të makinave.
Hapa radion për të thyer heshtjen. Për fat ishte një reklamë perdesh që zgjati dy minuta dhe përsëriste të njëjtë fjalë. Qeshëm të dy.
-Ku do zbresësh në Tiranë? – e pyeta.
-Ku të duash më lër, – tha, – nuk dua të të prish punë.
-Nuk më prish punë. Unë kaloj nga 21 Dhjetori…
– Aty më lër. Nesër do i gjej një vend për të fjetur vajzës, se nuk kishte dhoma në konviktin e studentëve.
U kujtova se gjithë rrugës nuk kishim folur për veten. Dhe, për ironi, prapë nuk patëm kohë të flisnim.
Kur po afroheshim tek Casa Italia, na parakaloi një eskortë. Me të njëjtën shpejtësi dhe arrogancë si ajo e makinave luksoze.
Shpresoj të mos ketë qenë kryeministri.