Vinit po i ndryshken gërshërët!

5 Minuta Lexim

Dr. Endrit Shabani

Shkova tek Vini* për t’u qethur këtë fundjavë. Hyra dhe pashë sallonin bosh.
-“Vini, çkemi vëlla, a ke radhë?” – e pyeta.
Qeshi!
-“Hajde se kam gjithë ditën që flas me pasqyrat dhe gërshërët”- më tha.
Nuk kishte pasur shumë punë gjatë ditës sot mesa kuptova. U ula dhe nisa ta pyes sesi i ka shkuar puna. Po më tregonte se ishin rritur kostot e mbajtjes së biznesit. Paguante rreth 100 mijë lekë për fiskalizimin në vit, rreth 230 mijë lekë i’a merrte ekonomisti që i bënte bilancet ndërsa rreth 220 mijë lekë i shkonin taksat e tjera.
Thënë ndryshe, Vinit i duhet të punonte 3 muaj të vitit vetëm për të paguar detyrimet që i ka vendosur qeveria. Ishte detyruar të marrë kredi me një normë interesi të lartë për të mbuluar këto shpenzime por dhe të tjera si; qira, energji, apo edhe mirëmbajtje biznesi.
-“Mirë që shteti me taksa, po më rritën dhe qiranë e dyqanit”-më tha.
-“Po pse nuk blen një dyqan tëndin – e pyeta – dhe shpëton”.
-“Me ça ta blej o Endri, të shes gërshërët apo krehërat? – më tha. “Nuk kam mbyllur akoma kredinë që mora parvjet kur ishte pandemia, më këputën fare se u mbyll puna”.
Në fakt kishte të drejtë. Në Tiranën ku ndërtohen kulla pa leje, ku qendra është betonizuar e ku një metërkatror kushton sa qimet e kokës, për njerëz punëtor si Vini nuk ka shance të barabarta për të pasur një dyqan të vogël tijin. Ndërkohë, politikanët, oligarkët dhe ata të cilët kanë investuar para të paligjshme, kanë nga 10 shtëpi që i mbajnë bosh… qëllimisht bosh.
As me inspektorët e tatimeve nuk i kishte punët mirë. I shkonin çdo javë për “inspektim” por pa kryer inspektim. Shantazhi për të paguar gjoba arbitrare ose para nën dorë e kishte dekurajuar goxha.
-“Po punojmë për inspektorët -më tha- vijnë si cuba dhe nuk ngopen”.
-“Po a je i rregullt – e pyeta – çne që vënë gjoba?”.
-“I rregullt jam, por nuk duan t’ja dinë, do e shpikin një gjë kot për të marrë para” – më tha.
Këtë dimër vështirë do ta kenë bizneset edhe me çmimin e energjisë. Qeveria ka vendosur të taksojë me tjetër çmim ata që punojnë 7 ditë të javës, ndërsa për qendrat tregtare, kazinotë apo diskot në pronësi të oligarkëve, as faturistë nuk çojnë për të matur sa kanë shpenzuar. Vini mund ta ketë edhe ca më të vështirë me gjithë këto halle që po më tregon – mendova.
-“Sa energji harxhon mesatarisht Vini?” – e pyeta.
-“Po në dimër mesatarisht 100-120 mijë lekë (të vjetra), varet”.
-“Kujdes – i thashë – do ta paguash pesëfish më shtrenjtë po vendosën fashën”.
-“Po ta vendosin – më tha – edhe unë me shokët pastaj, me vizë pune ose kamion.
Si shumë profesionistë të tjerë, si çdo i ri, si çdo sipërmarrës i vogël, kuptova që dhe Vini ishte dekurajuar. Ka një pabarazi kaq të madhe sot saqë shqiptarët punojë me mish e me shpirt çdo ditë, e nga ana tjetër një grusht njerëzish shohin llogaritë bankare çdo ditë. Edhe Vini ndihej i papërfaqësuar.
-“A more ndonjë ndihmë financiare gjatë kohës së krizës? – e pyeta – Si të duken këto paketat e Ramës?”
-“Nuk merrem fare me politikë – më tha – por lekë nuk kam marrë, kush të jep?”
Nuk ka si të ndodhë ndryshe, qeveria ndihmoi 300 oligarkë gjatë kohës së krizës me dy paketa financiare. Për Vinin dhe biznesin e vogël që punëson 150 mijë njerëz nuk mendoi askush, përkundrazi u bëjnë presion me taksat, me çmimin e energjisë dhe me zbrazjen e xhepave të shqiptarëve të cilët reduktojnë marrjen e shërbimit. Teksa bluaja në kokë këto mendime, Vini kishte përfunduar.
-“Me shëndet Endri” – më tha.
-“Rrofsh Vino, dhe dëgjo, mos u dorëzo kaq kollaj. Po ikëm të gjithë mbeten mbrapa vetëm prindërit tanë të moshuar” – i thashë.
-“Mirë e ke vëlla, por babait tim u ndryshkën gërshërët nga puna, mua po më ndryshken ngaqë nuk po lëvizin gjithë ditës”.
*Jo emri real, sepse historia e tij përfaqëson problemet e mijëra të vetëpunësuarve në Shqipëri.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull