Çapajev Gjokutaj
Si të majtët ashtu edhe të djathtët tanë dinë të bëjnë më mirë vetëm dy gjëra: të vjedhin dhe të denoncojnë vjedhjet. Logjika thotë se kjo është e pamundur: s’mund të jesh njëkohësisht edhe hajdut edhe polic a gjykatës.
Po edhe këtë problem e kanë zgjidhur: vjedhin kur janë në pushtet, përflasin vjedhjet kur janë në opozitë. Qerratenj të mëdhenj na dolën.
Edhe shejtanbudallenjtë më të shquar të të gjitha kohrave po të mblidhje, vështirë se do shpiknin mënyrë më efikase për të qendruar pëjetësisht në pushtet.
Natyrisht herë njera palë e herë tjetra. Diçka si punë radhe a si te proverbi ‘ato maja rripa rripa/ herë ma hipe e herë ta hipa’.
Tamam kështu vetëm me një ndryshim të vogël. Nuk ia hipin njeri – tjetrit, krekosen gjithë kohën kalikiç mbi kurrizin tonë. Si tek kjo gravura e Francesko Gojës që diçiturën ia kanë shqipëruar: ‘Ti që për gjë tjetër i zoti s’je, mbana në kurriz se mirë e ke’