Mehmet Elezi: me Standadin, pa Standadin, kundër Standardit…

20 Minuta Lexim

Sadik Bejko

1. Një kryqëtar kundër Standardit
Lexova në gazetën “Exlibris”, datë 1.10.2022, shkrimin e Mehmet Elezit mbi standardin e gjuhës shqipe, shkrimin me titull: “Kongresi i Drejtshkrimit pa grim”.
Prej një kohe të gjatë me libra e me fjalorë… Mehmet Elezi ka ndërrmarrë një kryqëzatë kundër Standardit, kundër variantit zyrtar të gjuhës shqipe të njësuar që prej 50 vjetësh, variant që e shkruajmë edhe sot, variant i kodifikuar nga Kongresi i Drejtshkrimit më 1972.
Ky kryqëtar i vrerosur kundër standadit, është një aristokrat në llojin e vet. Të fton në një duel për jetë a vdekje, por jo me shpata, me doreza të mëndafshta.
Në fund të shkrimit prej tri faqesh në gazetën ExLibris, ai shkruan (citat): “U bë si u bë, nuk shtrohet çështja me e zhba Standardin . Kjo nuk mund të bëhet dhe nuk duhet të bëhet. Këtij qëndrimi i jam përmbajtur përherë”.
Shkrim kundërthënës ndaj Standardit. Në thelb shkrim tipik asgjësues ndaj Standardit, por me fjalë, sa për sy e faqe, deklarohet pro Standadit.
Stil hileqar fund e krye.
E përkëdhel, e llaston në dukje, formalisht shprehjen, arësyetimin, por gradualisht… fshehtaz në fund ruan, rrit dhe shpraz helmin. Taktikë e njohur. Diktatori ynë monist kështu i telendiste nëpër mbledhje të gjata kundërshtarët e tij, u hiqte breroren e ndritur që u kishte dhënë pushteti. I diskreditonte para adhuruesve të tyre, i poshtëronte publikisht…dhe, kur moralisht, ishin katandisur në kufoma, i asgjësonte.
Kjo është dorashka “elegante” e M. Elezit. Duke mos e mohuar hapur, por metodikisht dhe me vepra, ai rreh ta bëjë një kufomë morale Standardin. Prej vitesh me vepra ai hap dhe thellon gropën, por formalisht me llafe deklaron të kundërtën… unë nuk jam me e zhba Standardin…
I sofistikuar na paska qenë?!
2. Një narcist që paralajmëron Kasandrën
Urrejtja, neveria e M E për Standadin, dalin kundër konkluzionit të tij, kundër asaj shprehjes që “nuk jam me e zhba Standardin”. Shkrim ‘Kongresi i Drejtshkrimit pa grim’ konkludon përzishëm për një situatë kulturore dhe gjuhësore të mbretëruar nga e keqja, për një gjëmë që ne të tjerët nuk e shohim, por ai i pajisur me ndërgjegjeje të lartë historike dhe i hapur për t’u shprehur, {jo si dikur Lasgushi i fshehur}, na bën një apel alarmant që të dalim nga e keqja. Nga buron e keqja? Sipas tij. e keqja na vjen nga Standadi dhe nga ata që janë në mbrojtje të tij. Këta mbrojtës na janë fanatikë. Ndaj kësaj të keqeje, ndaj flamës së Standardit, do shpërthejnë herezitë, rebelimi. Anarkitë . Kaosi.
Shkrimi “Kongresi i Drejtshkrimit pa grim’ mbyllet me tone anatemuese, kërcënuese, me paralajmërime prej kasandre: në kulturën e në gjuhën shqiptare po nuk u vu dorë, që të ndalet e keqja, priten katastrofa. Fanatikët që mbrojnë Standardin dhe që nuk i pranojnë sugjerimet e Mehmet Elezit, janë varrmihësit e së ardhmes sonë si gjuhë e kulturë.
Tone katastrofike. Alarme false të një narcisti që mendon se po nuk u bë si thotë ai, do të përmbyset bota…
3. PEN Internacional, Tokio 2010
Këtu po hap një parantesë.
Jam në Kongresin e 76-të të PEN Internacional në Tokio 2010. Në çdo ndërprerje të seancave zyrtare të Kongresit, në pritjet, në kafet, në ngrëniet, pushimet… shoqërohesha me dy përfaqësuesit e PEN Kosovës, me të ndierin poet Basri Çapriqi dhe mikun shkrimtar Milazim Krasniqin. Afëria jonë e përzemërt dhe e pandarë dikujt i kishte rënë në sy. Na afrohet një zonjë dhe na e thotë: Në seancat zyrtare të Kongresit ju jeni në vende larg njëri-tjetrit, (unë isha në krye te shkronja A, Albania, kosovarët ishin disa radhë më pas te K-ja) – por në situata informale ju shoh përherë bashkë dhe shumë të përzemërt. I thamë: Jemi shqiptarë, një kulturë, flasim një gjuhë, jemi miq. Atëherë, pse nuk jeni bashkë në një PEN? Një gjuhë, një kulturë, por politikisht jemi të ndarë në dy shtete.
Zonja e PEN-it spanjoll na tha se vendi i saj në atë Kongres përfaqësohej nga tri oraganizata PEN: nga PEN Spanja, PEN Katalonja dhe PEN-i Bask. Ne, tha ajo, i kthejmë shpinën njëri-tjetrit. Nuk rrimë bashkë si ju.
Në Tokio ishin dhe dy italianë që i kthenin shpinën njëri-tjetrit : Antonio della Roka, përfaqësuesi italian i PEN Triestes, dhe Sebatiano Grasso, përfaqësuesi zyrtar i PEN Klub Italia.
Nuk po them tjetrën …se në seancat informale serbët, maqedonët, boshnjakët, kroatët, sllovenët edhe sllovakët rrinin bashkë… (mbase për nostalgji nga Jugosllavia e dikurshme e Titos), por në seancat zyrtare ishin veç e veç dhe shpesh me qëndrime zyrtare të papajtueshme.
Ç’dua të them me këtë parantezë. Në PEN Internacional edhe sot përfaqësohen Romanshët, Çeçenët, Ujgurët, Okitanët, Kurdët… vijnë realitete dhe gjuhë që i kundërvihen asaj që është gjuhë Standarde, zyrtare e një shteti, që është gjuhë përfaqësuese në OKB, në OSBE, në NATO, në Bankën Botërore, …në gjithë organizmat e larta të kësaj bote.
Ne duhet të mësohemi që Shqipëria ka variantin e saj gjuhësor zyrtar që e prezanton në këto Zyra të Larta të botës së madhe.
Duhet të mësohemi që ndaj këtij Standardi gjuhësor 50-vjeçar ka dhe do të ketë kundërshtime. Edhe Spanja, edhe Italia kanë kundërshtime ndaj variantit qendror, zyrtar… ndaj standardes… Napoletanët nuk flasin e nuk shkruajnë në variantin zyrtar të Italishtes.
Nuk përmbyset bota nëse dikush thërret e ulëret…kundra Standardit. Në botë japin para, bëjnë projekte që të flasësh kundër. I financojnë ata të mendimit kundër. Jemi në demokraci.
Ai që mendon se po nuk u dëgjua mendimi i tij kundër, do të përmbyset bota, është akoma në paliri, në autarki.
Ndaj kushdo ka të drejtë të flasë, te kërkojë, por jo të kërcënojë.
4. Të humbasësh kujtesën
Autori i këtij shkrim të ngjan se shkruan mbi akull. Pa kujtesë. Kështu na fyen ne të tjerëve që na dhemb kujtesa. Shkruan sikur ka lindur sot, si një i pafajshëm që nuk e ka jetuar fare atë kohë.
M. Elezi ka qenë një ndër drejtuesit e Diktaturës, pjesë e Nomenklaturës më të lartë Komuniste..
Ç’mekanizëm psiqik ndodh me këta pinjollë të diktaturës… që sot flasin e shkruajnë me tru të shpëlarë, sikur luajnë në tabula rasa.
Por, të kujtosh, të flasësh për fakte të tilla, të hidhen në grykë. Të thonë: ka të drejtë të shkruajë… poet, gazetar ka qenë… dhe njeri shumë i mirë…
Dakord, dakord.. poet i mirë, gazetar i mirë (ka shkruar në Standardin që sot e anatemon, dhe atëherë të vriste po të ishe kundër standardit).
Pa kaluar në asnjë lumë që të lahet, në asnjë Purgator të Dantes, si na paska marrë pafajësi?
Mbase M. E. është një gjeni. Dhe duhet t’i falemi dijes së tij. Nuk e di të tillë. Lexoni më poshtë që ai nuk është gjeni.
5. Me kë e ke? Thonë në Shkodër
Cilat pjesë të shkrimit, sipas meje, të ngjajnë fare pa kripë?
M. E. pyet: si nuk u ftuan shkencëtarët nga diaspora në Kongresin e Drejtshkrimit të vitit 1972, si nuk u ftuan Camaj, Pipa, Resuli, Koliqi etj ? Kështu pyet zotëria. Vallë ka humbur kujtesën? Kujt, ne të kohës së tij na i shet lajthitje të tilla? Ai e di që komunistët e kishin të përjashtuar me ligj mendimin ndryshe. Këta të diasporës, armiq të shpallur të regjimit…po të vinin këtu, menjëherë i shkonin në hell.
Mbase me këtë pyetje ai do të hiqet mënjanë, do të na thotë se nuk ka qenë pjesë e diktuaturës. Ne të tjerët ishim, jo ai nuk ishte…
Me kë e ke? Thonë në Shkodër.
6. Komisia Letrare Shkodër dhe Standardi
Mehmet Elezi thotë që Komisia Letrare më 1916-18 vuri një standard. Pa asnjë argument. Kjo nuk është fare e vërtet. Shihni si shkruan: “Shqipëria e kishte tashmë gjuhën e njësuar. Të pranuar mirashejtaz prej të gjithë shqiptarëve në Jug dhe në Veri. Themelet qenë shtruar fill pas pavarësisë nga Komisia Letrare e Shkodrës (1916-18). Vepër e mendjeve më të ndriçuara nga Veriu dhe Jugu i Shqipërisë.” Ky është citat i plotë nga teksti i M. Elezit.
Më poshtë do të shihni se kjo tezë nuk qëndron. Shqipëria nuk ka pasur një standard gjuhësor të njësuar deri më 1972. Po të ishte ashtu, me Kongresin e Drejtshkrimit të vitit 1972 do të kishim zëvendësimin e një standardi me një tjetër.
Komisia letrare nuk pati kohë ta përfundonte misionin e saj .. e nisi punën, por nuk e kreu.
Më pas elbasanishtja e propozuar nga Komisia, por je e kodifikuar me ortografi, me fjalorë dhe me gramatika u njoh vetëm si variant gjuhësor i administratës shtetërore. Nuk u pranua nga ‘mendjet më të ndiçuara”, siç thotë M. Elezi.
Askush nga të diturit shqiptarë të fushës së gjuhës, as shkrimtarët nuk e njohën si standard elbasanishten.
Autorët shkodranë të kohës e tallnin variantin letrar të elbasanishtes. Nuk e pranuan, nuk e praktikuan në shkrimet e tyre, me shpoti e quanin “gjuhë mushke”.
Në tekstet shkollore, apo në shkrimet shkencore botuar në revista e gazeta të kohës, nuk u zbatua tej e tej elbasanishtja. Në Shkodër gramatikat e shqipes të at Justin Rrotës ishte gramatika të gegërishtes, në Jug, gramatikani Ilia Dilo Sheperi botonte për shkollat e mesme librin “Gramatika dhe Sintaksa e Shqipes sidomos të toskërishtes”, Vlorë, 1927. Xhuvani shkruante vetëm gegërisht. Ka artikuj, vepra shkencore të Çabejit toskërisht si “Për gjenezën e literaturës shqipe”, botuar më 1938-39 te “Hylli i dritës”. Edhe në një libër, tekst shkollor, si “Shkrimtarët Shqiptarë”, pj. 1, 2, Tiranë 1941, redaktuar nga Koliqi, Namik Resuli shkruante në toskërisht për Konicën. Tekstet (Fonetika, 1947, Gramatika 1949, Syntaksa 1952) të elbasanasit Kostaq Cipo janë në toskërisht.
Noli, Konica, Asdreni, Fishta nuk shkruanin në variantin gjuhësot të Elbasanit. Me përjashtim të Haxhiademit, asnjë shkrimtar tjetër nuk e shkroi elbasanishten.
Të diturit, shkencëtarët e Shqipërisë së kohës së pas Pavarësisë shkruanin në dialekt.
Sterio Spasse romanin “Pse?” fillimisht e shkroi elbasanisht, pastaj e botoi toskërisht.
Ne nuk kishim arritur konsensus kombëtar të të diturve për një standard gjuhësor të përbashkët deri më 1972.
Pa kodifikim shkencor në gramatika, në ortografi, në fjalorë… nuk ka variant letrar të ngritur në normë standardi.
Elbasanishten e kishte shkruar vetëm Kristoforidhi, por dhe ai shkruante një gegërishte më të përgjithësuar se elbasanishtja. Cilat ishin gramatikat, fjalorët, ortografitë ku ishte bazuar? Nuk kishte të tilla. Elbasanishtja ishte në libra, në përkthimet, në praktikën shkrimore të Kristoforidhit… Komisia mund ta gjurmonte, krijonte, por…Austria e humbi luftën.. bashkë me të dhe Komisia humbi punën.
7. A e kishim, a na duhej një Standard?
Edhe sikur ta kishim një Standard, me ardhjen e komunistëve më 1944, ç’do të ndodhte ??? Do ta pranonin komunistët Standardin e kohës së Mbretërisë ? Ata Mbretin e kishin shpallur të paligjshëm. Dhe gjithë aktet, ligjet, marrëveshjet e tij.
Nuk e kuptoj Mehmet Elezin kur thotë se komunistët mohuan Standardin (që nuk ishte), Standadin e një mbretërie, të një Komisie që ata nuk i njihnin.
Komunistët shpallnin se ishin Bota e re, Njeriu i ri, Mendimi i ri, Koha e re, e ardhmja e ndritur…etj, etj. Historia fillonte kur ata kishin ardhur në pushtet. Në logjikën e tyre…me ata në krye (edhe me shokun M. E.) gjuha letrare duhet të ishte e re. Një standard ri.
Dhe e bënë. Por jo se u zhduk një standard për t’u zëvendësuar nga një tjetër.
Çfarë është standardi? Është të marrësh një të folme lokale të një vendi dhe ta ngresh atë në nivelin e normës gjuhësore kombëtare. Kështu bëhet Standardi. Standardi është etatist, shtetëror. Shteti me atë variant gjuhësor zyrtar flet e deklarohet me idetitetin e tij origjinal në paradat e kombeve të tjera. Nënshkruan aktet ndërkombëtare, marrëveshjet, fitoret, shpalljet, humbjet e luftës, vijat kufizuese të kufinjve. Gjuha Standarde është vula identitare e shtetit. Ndaj atë e kanë vendosur mbretërit, Carët. E kanë bërë dhe dhunshëm si autokratë që ishin. Mbreti X vendosi që e folmja e Parisit do të bëhej gjuha e Francës dhe u bë, dhe frankofonia sot pushton botën.
Edhe Diktatori shqiptar mund të urdhëronte që Standadi i shqipes të vendosej me një dekret. Kush ia mbante dorën?
Por komunistët u kujdesën që këtij standardi t’i jepin statusin mbarëkombëtar. Nga diaspora erdhi arbëreshi papas Frangjisk Solano/Dushko Vetmo, mik i Martin Camajt dhe i Ernest Koliqit. Rexhep Qosja, Idriz Ajeti etj erdhën nga Kosova…
Shkencërisht Standardin e përgatitën shkencëtarët më të shquar linguistë që ka pasur Shqipëria ndonjëherë. Këta shkencëtarë punuan për gjuhën nën komunistët, por jo të gjithë (si artikullshkruesi) ishin komunistë. Ata, së pari dhe së fundi, ishin të mëdhenj si Gjuhëtarë.
Tani pas 50 vitesh ky Standard, pavarësisht si erdhi, është pasuria jonë e madhe. I mbetet shkëmb kulturës shqiptare.
8. Pro dhe kundër Standardit
A u vendos Standardi më 1972 me logjikë gjuhësore a jashtëgjuhësore? Kjo ha diskutim dhe le të diskutohet. Por ai u bë si në gjithë botën. Një e folme, në këtë rast toskërishtja, u mor për bazë të ngrihej në nivelin e Standardit.
Ka vërtejtje, ka libra kundër këtij Standadi? Siç thashë më lart, në gjithë botën ka mendime ndryshe.
Dikush këto ditë më shkruante se vendosja e Standardit ishte një krim kulturor, sepse prishi habitatin në të cilin ishte krijuar të paktën gjysma e letërsisë shqipe. Dakord. Kjo mund të thuhej edhe për toskërishten, po të merrej për bazë të Standadit gegërishtja. Të vendosësh një Standard punë e vështirë. Standardi është një bazë për zhvillimin e një kulture. Dhe anglishtja e frëngjishtja sot gjuhë botërore, kanë nisur nga kjo rrugë. Një e folme lokale u ngrit në Standard, mandej u kthye në gjuhë aq të përpunuar sa sot ato kulturalisht pushtojnë botën.
Mehmet Elezi që në krye të shkrimit e quan Kongresin e Drejtshkrimit “shtëpi politike me drtita të kuqe”. Gati sa nuk e quan shtëpi publike.
Të paktën për kohën, aty ishin disa nga shkencëtarët dhe shkrimtarët më të mirë. Disa janë të shquar për sot e të gjithë kohërat. Ata që flasin se aty në Kongres ca putana po bënin një krim kulturor, kanë mllef e urrejtje të pajustifikuar për disa nga më të shquarit burra të atij Kongresi.
Mehmet Elezi, ndër të tjera, merret me hartimin e fjalorëve të shqipes. Të merresh me hartime fjalorësh është fisnikëri.
Për mendimin tim, ai gabon kur na thotë se Standardi ka ngecur, se Standardi po i merr frymën gjuhës, kulturës.
Kjo nuk është aspak e vërtet. Standardi rezultoi një gjetje e qëlluar. Rezistoi 50 vjet se realizoi funksionet më bazë të një gjuhe moderne dhe të zhvilluar. Shkrimtarët më të mirë shqiptarë nga Shqipëria nga Kosova shkruajnë në këtë Standard. Disa me suksese ndërkombëtare. Librat e ribotuar me drejtshkrimin e vitit 1972 të shkrimtarëve Ismail Kadare, Petro Marko, Jakov Xoxa, Dritëro Agolli etj janë në qarkullim.
Qarramanët që thonë se vendosja e Standadit është fatkeqësi, nuk i ndihmojnë kulturës. Savantët, filozofët, shkrimtarët, statistët e mëdhenj janë përpunuesit e gjuhës. Ata e çojnë atë në lartësi të universales pa kufi. Jo ata që i thonë kohës ndal. Kthehu pas.
Standadi nuk është i përkryer. Por nuk është as ligjërimi nga një “shtëpi me drita të kuqe”. Me mëri kundër standardit mund të flasë cilido amator shëtitës në gjuhësi.
Madje sot ka një modë të flasësh kundër akdemisë. Veç librat e akademikëve të para 90-tës janë ende bazë e mësimit të gjuhës shqipe në të gjitha Universitetet shqiptare. Nuk kemi autoritete të tjerë.
Për fat të keq, sot nuk kemi gjuhëtarë akademikë të nivelit Çabej, Xhuvani, Demiraj, Domi, Camaj, Resuli, Riza…Idriz Ajeti, Kostallari, Jorgji Gjinari..
Me pak para, sot kushdo na e tund këmborën e prishur të librave të veta.
Grafomania nuk është gjuhësi.
Duhet të kesh “standard”, të merresh me Standardin.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull