Ministri i Jashtëm kinez Wang Yi në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së(Foto:MPJ)
Java që sapo lamë pas ishte kulminacioni diplomatik i vitit. Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara,(eventi vjetor që mbledh në Nju Jork udhëheqësit dhe delegacionet e të gjitha shteteve), u rikthye pas pandemisë tashmë në normalitetin e saj të takimeve në person. Pashmangshmërisht shkëmbimet e drejtpërdrejta në platformat e ndryshme të diskutimit, por edhe takimet e rëndësishme bilaterale shërbyen për të ripërcaktuar disa prej shqetësimeve, pozicioneve dhe problematikave të rëndësishme që prekin vendet respektive, por edhe globin. Konteksti në të cilin mblidhet ajo dhe piku I disa zhvillimeve të rrezikshme në arenën ndërkombëtare, e bëjnë këtë event më shumë se kurrë të rëndësishëm.
Kina u përfaqësua në Asamblenë e Përgjithshme nga Ministri i Jashtëm Wang Yi dhe sikurse u pasqyrua, agjenda e tij ishte tejet e ngjeshur me takime, duke filluar që nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB Antonio Guterres, Sekretari Amerikan i Shtetit Antony Blinken, Ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock, etj.
Në dialogimet zyrtare, përfaqësuesi i lartë i diplomacisë shtetërore kineze artikuloi qëndrimet principiale dhe ato të interesit, por edhe ritheksoi caqet ndaluese për aspekte të integritetit territorial, për rendin multilateral, për sfidat e sigurisë globale dhe Iniciativat e Zhvillimit Global si dhe për nevojën e komunikimit dhe marrëveshjeve përmes dialogut dhe konsultimeve për kundërshtitë e turbulencave dhe luftën në momentet kruciale të riskut prej “hapjes së kutisë së Pandorës”. Autoriteti i Kinës, ripërmendi në komunikimet e veta me përfaqësues të ndryshëm faktin se : “Diferenca në sistem nuk duhet të përdoret si justifikim për të krijuar ndarje; aq më pak demokracia dhe të drejtat e njeriut duhet të përdoren si mjete ose armë për të arritur qëllime politike”. Ndërsa duke pranuar rolin e ndërmjetësimit për vendin e vet, kreu i diplomacisë nënvizoi se: “Kina vepron si një vend përgjegjës që eksploron qasje të zbatueshme për zgjidhjen e këtyre çështjeve.”
Në fjalimin e vet zyrtar në sesionin e 77 të Asamblesë së Përgjithshme, zoti Wang, potencoi edhe kontributin e vendit të tij në kuadër të organeve të Kombeve të Bashkuara, si aktor kryesor në zhvillimin global, si një mbrojtës i rendit ndërkombëtar, ofrues i të mirave publike dhe ndërmjetësues i çështjeve të nxehta.
Ministri i Jashtëm kinez Wang Yi takohet me Antony Blinken(Foto:MPJ)
Ministri i Jashtëm kinez Wang Yi takohet me Jens Stoltenberg(Foto:MPJ)
Bilanci i kontributit kinez përfshin edhe përpjekjet e bashkërenduara për sigurimin e stabilitetit në tregun botëror të energjisë si dhe për çështjet e eksporteve dhe të ushqimit në kuadër të Nismës së njohur.
Një nga temat kryesore që dominoi fjalimet në Asamble, por edhe diskutimet bilaterale, ishte sigurisht lufta në Ukrainë dhe përpjekja për të risjellë paqen në Europë pas zhvillimeve dramatike në Ukrainë dhe rreziqeve të ngrehura në nivel ndërkombëtar. Diskutimet diplomatike në Nju Jork për këtë çështje ishin të specifike. Kërkesa adresuar të gjitha palëve për të praktikuar përmbajtje, thirrja ndaj komunitetit ndërkombëtar për rol konstruktiv në zbutjen e tensioneve si dhe për frenimin e efekteve të përhapura të çështjes së Ukrainës mbeten qasja rigoroze e këtij vendi si dhe thelbi i qëndrimit të Kinës si në takimet bilaterale ashtu edhe në Asamble.
Më qartësisht u artikulua përgjatë takimit që ministri Wang realizoi me ministren e Jashtme gjermane Baerbock, ku e vuri theksin te fakti se komuniteti ndërkombëtar duhet të bëjë përpjekje të përbashkëta për të promovuar armëpushim të shpejtë. Veçanërisht të theksuara në atë takim ishin nevojat urgjente humanitare të popullit të Ukrainës dhe efektet negative të përhapjes së krizës.
Gjithaq i rëndësishëm ishte dhe takimi i përfaqësuesit më të lartë diplomatik të Kinës me Sekretarin e Përgjithshëm Guterres. Në deklaratën pas bisedës, Kina shprehu vlerësimin për ndërmjetësimin e Sekretarit të Përgjithshëm. Pohimi i ripërsëritur nga ana e këtij përfaqësuesi i pozicionit të kujdesshëm të Kinës për promovimin e bisedimeve të paqes dhe të përpjekjeve për të luajtur një rol konstruktiv drejt tyre, mbartte vlerën paralajmëruese për hapat e aktorëve në përshkallëzim mes tyre.
Ministri i Jashtëm kinez Wang Yi në mbledhjen e OKB-së mbi çështjen e Ukrainës(Foto:MPJ)
“Katër detyrimet”, të paraqitura nga presidenti Xi Jinping, përbëjnë deklaratën më autoritative që Kina ka bërë për çështjen e Ukrainës dhe janë parimet themelore që Kina ndjek gjatë trajtimit të çështjes, i tha Wang homologut të tij ukrainas Kuleba, duke precizuar konceptin dhe qëndrimin e shtetit të Kinës..
Ky përcaktim pozicionues vjen në një moment të rëndësishëm, mbi të gjitha në kontekstin e deklaratës dhe vendimit si fakt të kryer tashmë, të presidentit rus Vladimir Putin.
Kjo çështje u ezaurua si temë diskutimi edhe në takimin që Ministri i Jashtëm kinez Wang Yi pati në Nju Jork me përfaqësuesin e lartë të BE, për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë Josep Borrell. Në fakt, edhe në deklaratën pasuese të takimit, u vu në pah fakti se Brukseli është shumë i shqetësuar për përhapjen e mundshme bërthamore dhe se shpreson që Kina do të ushtrojë ndikimin e vet për zgjidhjen ose vënien në kontroll të këtij problemi. Në fjalën e vet autoriteti i diplomacisë kineze theksoi prerazi se: “Nuk duhet lejuar asnjë provë dhe gabim në çështjen e sigurisë së objekteve bërthamore. Ne duhet të parandalojmë çdo rrezik aksidenti”.
Ky fakt është thelbësisht i qartë për çdo aktor të përgjegjshëm në arenën ndërkombëtare dhe duhet kontributi i të gjitha shteteve dhe, mbi të gjitha, lidershipi i fuqive të mëdha, për t’a bërë të qartë . Një hap i tillë, do të ishte shkatërrues jo vetëm për një vend, por edhe për sigurinë e përbashkët dhe ndoshta dhe të të gjithë njerëzimit. Për këtë arsye momentalisht, diplomacisë i kërkohet kontributi më madhor dhe aktivizimi më maksimal në një në një ҫast të rrezikshëm.
Aleksandër Çipa