Zbulohen dy pistoleta të fshehura në BMW-në e Mark Frrokut, arrestohet shoferi personal i tij

2 Minuta Lexim

Dy armë zjarri pistoleta janë gjendur dhe sekuestruar në makinën BMW-në me targë AA 008 EJ, të ish-deputetit Mark Frroku.

Gjatë kontrollit të makinës, ish-deputeti nuk ka qenë në makinën e tij, teksa mjeti drejtohet nga shoferi personal Albert Prendi.

Ky i fundit është arrestuar në bazë të operacionit të koduar “Bulevardi”

Por pavarësisht se armët e zjarrit janë gjetur në strukturën e brendshme të makinës, dhe jo në trupin e Prendit, ai ka pranuar gjatë marrjes në pyetje nga organi i akuzës se armët i përkisnin atij.

Policia kriminale, ka kërkuar kryerjen e ekspertimit balistik dhe daktiloskopik të dy armëve, me qëllimin e vetëm për të mësuar nëse ato janë përdorur në ngjarje kriminale.

Por edhe për të zbuluar nëse këto dy armë i përkasin personave të tjerë, që mund të kenë lënë gjurmë biologjike apo gjurmë gishti.

Kujtojmë se mandati si deputet i Mark Frrokut u la përgjysmë pas akuzave dhe më pas dënimit me burg për një vrasje në Belgjikë.

Emrin e tij në listën e PKD-së për deputet e pasonte i vëllai, Arben Frrok, cili rezulton ende në kërkim nga drejtësia shqiptare pasi Apeli i Krimeve të Rënda e ka dënuar me burg për jetë në lidhje me vrasjen e Komisarit, Dritan Lamaj.(Ora News)

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull