Kë po kërcënon Koreja e Veriut me lëshimet e fundit të raketave balistike?
Mëngjesin e të martës, miliona banorë në Japoninë veriore u zgjuan nga gjumi të tronditur pas lajmërimeve nga autoritetet vendase se një raketë koreano-veriore do të fluturonte sipër tyre dhe si rezultat u duhej të gjenin strehë sa më parë.
Pavarësisht se një skenar i ngjashëm ka ndodhur edhe rreth 5 vite më parë, duket qartë se ndërkohë që në Europën lindore luftohet, një realitet i ri po thuret në pjesë të ndryshme të botës – sidomos në vende të cilat kanë çfarë përfitojnë nga një klime politike e trazuar në mbarë globin.
Paqëndrueshmëria dhe pasiguria me të cilën përballet bota duket se po i japin Koresë së Veriut një mundësi për të provokuar fqinjët në rajon. Por cilat janë realisht qëllimet e saj?
Ditën e enjte, Koreja e Veriut lëshoi 2 raketa balistike me rreze të shkurtër – duke e çuar totalin në 10 të tilla në vetëm 12 ditë – duke pretenduar se lëshimet e tyre të paparalajmëruar ishin “masa të drejta kundërveprimi” ndaj stërvitjeve të kombinuara ushtarake midis Koresë së Jugut dhe SHBA-së në rajon.
Lëshimet e fundit të raketave thuhet se erdhën gjithashtu si një veprim i dukshëm ushtarak kundër vendosjes së një aeroplanmbajtëse amerikane pranë Gadishullit Korean ditën e mërkurën.
Në kundërshtim me rezolutat e shumta të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, 2 raketat balistike u lëshuan gjithsesi, vetëm disa orë pasi Këshilli i OKB-së thirri një takim urgjent rreth lëshimit të së martës nga Koreja e Veriut të një rakete balistike të dyshuar me rreze të mesme veprimi.
Por çfarë janë këto teste dhe kujt i drejtohen?
Mesa duket mesazhi i Koresë së Veriut nuk ishte aspak i drejtuar për Japoninë, por për Shtëpinë e Bardhë.
Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong-un, ka paralajmëruar vazhdimisht për strategjinë e vendit të tij kundër “politikës armiqësore të SHBA-së”, duke shprehur synimin e tij për të marrë masat përkatëse kundër SHBA-së dhe Koresë së Jugut.
Siç është rasti me çdo shfaqje tjetër të madhe të fuqisë ushtarake të Koresë së Veriut, synimi kryesor është mesazhi që përcjellin armët e saj, të cilat po bëhen gjithnjë e më të avancuara teknologjikisht – dhe gjithmonë e më kërcënuese.
Koreja po ‘teston ujërat’
Më saktë, ajo po teston limitet. Lufta në Ukrainë ka shërbyer jo vetëm si katalizator i një krize të madhe ekonomike në rang global, por ajo ka ngritur edhe moralin edhe guximin e shumë prej liderave autokratikë përkundrejt Amerikës.
Me anë të këtyre lëvizjeve, Koreja e Veriut tregon se është aty, dhe se çuditërisht, njësoj si Putin, nuk është e frikësuar nga ndonjë paketë e ardhshme sanksionesh perëndimore si pasojë e testeve të saj të paparalajmëruara.
Lufta në Ukrainë ka bërë pikërisht këtë.
Ajo ka lejuar vende si Kina apo Koreja e Veriut të marrin shembull nga Rusia dhe të kërcejnë vallen e palloit duke i ‘treguar puplat’ ose në këtë rast forcën Shteteve të Bashkuara.
Përveç kësaj, lufta ka krijuar edhe terrenin perfekt për aleanca mes shteteve autokratike. Nëse gjatë administratës Trump, takimet diplomatike dhe marrëdhëniet SHBA-Kore e Veriut ishin paqësore madje edhe me nota miqësore, aleancat e reja mes Putin dhe Kim Jong-Un po provojnë se bota po bëhet një vend gjithnjë e më hostil dhe i përçarë, dhe se një ‘Luftë e Re e Ftohtë’ nuk është më pjesë e fantazisë së regjisorëve distopik.
Carl Schuster, një ish-drejtor i operacioneve në Qendrën e Përbashkët të Inteligjencës të Komandës së Paqësorit të SHBA-së në Hawaii, tha gjatë një interviste për CNN se udhëheqësi i Koresë së Veriut ka në mendje audiencën vendase dhe rajonale me këto testime.
Kim po u thotë njerëzve të tij: “Ne mund të përballemi me çfarëdo kërcënimi që mund të vijnë nga Perëndimi, SHBA dhe Koreja e Jugut”, tha ai.
“Ai po u thotë gjithashtu koreano-jugorëve se nëse e kalojnë cakun, ai mund të lëshojë mbi ta shkatërrime marramendëse. Ai gjithashtu po i sinjalizon Japonisë: “Unë mund të vijë edhe deri tek ti dhe nuk kam aspak frikë ta bëj këtë”.
Problemi kryesor që analistët e mbrojtjes amerikane kanë vënë në pah është se një sjellje e tillë nga Kim – që përfshinë teste të shpeshta dhe të paparalajmëruara raketash, rrezikon t’i paraprijë diçkaje shumë më shqetësuese – dhe ajo është testimi i një arme bërthamore.
Zyrtarët e Koresë së Jugut dhe të SHBA-së kanë paralajmëruar që nga maji se Koreja e Veriut mund të përgatitet për një provë bërthamore, duke publikuar imazhe satelitore që tregojnë një rritje të aktivitetit në vendin e saj të testimit nëntokësor.
Nëse Koreja e Veriut kryen një provë të tillë, ky do të ishte testi i shtatë nëntokësor bërthamor i vendit dhe i pari në gati 5 vite.
Në mes të frikës se edhe Rusia mund të jetë duke u përgatitur për një test të sajin bërthamor, askush nuk mund ta parashikojë ‘Kutinë e Pandorës’ që ky test nga Kim Jong-un do të mund të hapte pikërisht në situatën ku po jetojmë.