Pse emri i tij sot problematizohet? Motivet janë të natyrës gjeopolitike. Partia Levica vetëm formalisht përdoruri ikonografi komuniste për të kundërshtuar një shoqatë që mban emrin e një antikomunisti.
Shkruan: Xhelal Neziri
Partia opozitare pro-ruse Levica, e cila numëron dy deputetë në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut, të premten organizoi protestë në Ohër kundër hapjes së një shoqate joqeveritare të bullgarëve etnik të vendit. Zyrtarisht u tha se shkaku i kësaj proteste është emërtimi i organizatës me emrin e Car Borisit të Tretë, mbretit të fundit bullgar para fillimit të Luftës së Dytë Botërore.
Protestën e përkrahu edhe partia më e madhe opozitare VMRO-DPMNE, ndërkohë që figura e Car Borisit në media gjerësisht u vendos në kontekstet më të errëta të historisë së njerëzimit – atë të bashkëpunëtorit të nazismit dhe të Adolf Hitlerit.
Në mungesë të debatit të argumentuar nga historianët, u tha dhe u shkrua gjithçka që do të satanizonte Car Borisit e atëhershëm, kurse u përdor një gjuhë implicite e urrejtjes ndaj bullgarëve etnikë.
Opinioni i gjerë mbeti pa informacionin e nevojshëm me bazë shkencore, mbi të cilin do të ndërtonte qëndrimin e duhur ndaj kësaj figure historike. Propagandistët sikur arritën ta ndërtojnë narrativin se Car Borisi ka qenë bashkëpunëtor i Hitlerit, se ka deportuar mijëra hebrenj drejt llogoreve të vdekjes dhe se ka qenë keqbërësi kryesor në kufijtë e Maqedonisë së sotme.
Ne jetojmë në një kohë globalizimi dhe digjitalizimi kur mendimi kritik, shkrim-këndimi mediatik dhe njohuritë politike janë të domosdoshme nëse dëshirojmë të mos manipulohemi nga mediat. Nëse më parë lajmet janë verifikuar nga redaksitë, sot ato duhet të verifikohen nga lexuesit.
Andaj, pyetja e parë është kush në të vërtetë ka qenë Car Boris i Tretë? Enciklopedia Britanika, një burim relevant dhe kredibil online, thotë se ai ka qenë mbret i Bullgarisë nga 1918 deri në 1943. Pavarësisht prejardhjes së tij katolike romake, ai u rrit në besimin ortodoks për arsye politike dhe dinastike. Ai e trashëgoi babain e tij Ferdinand si mbret i Bullgarisë në tetor të vitit 1918. Ka qenë figurë kryesore politike dhe ka rrëzuar disa qeveri, kurse në vitet e fundit ka marrë në dorë tërë pushtetin, duke qeverisur si diktator. Ka qenë antikomunist dhe në luftë të përhershme me komunistët bullgarë, të cilët i kishin bërë disa atentate të pasuksesshme.
A ka qenë bashkëpunëtor i Hitlerit? Është fakt se në vitin 1941 Borisi ka aderuar në Paktin e Boshtit (Gjermani-Itali-Japoni), por ka ruajtur një pjesë të pavarësisë. Ai ndihmoi forcat e Boshtit të pushtonin Jugosllavinë, por refuzoi të dërgonte trupa në frontin lindorë me Bashkimin Sovjetik dhe refuzoi të deportonte në llogoret e vdekjes 50.000 hebrenj bullgarë, përskaj insistimit të fuqishëm të Hitlerit. Në vitin 1943 Borisi i anuloi të gjitha marrëveshjet e dëbimit, por deri atëherë e kishin pësuar 11.000 hebrenj. Boris vdiq menjëherë pas një takimi të tensionuar me Hitlerin në po të njëjtin vit. Nuk dihet nëse vdekja e tij u shkaktua nga sulmi në zemër ose nga helmimi që mund t’i kishte bërë Hitleri si hakmarrje për mosbindjen ndaj tij.
Pse emri i tij sot problematizohet? Motivet janë të natyrës gjeopolitike. Partia Levica vetëm formalisht përdoruri ikonografi komuniste për të kundërshtuar një shoqatë që mban emrin e një antikomunisti. Qëllimi është pengimi me çdo kusht i zbatimit të Marrëveshjes së Fqinjësisë së Mirë, e nënshkruar në vitin 2017 midis kryeministrave të atëhershëm të Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, e që kishte të bëjë me pastrimin e dilemave dhe mosmarrëveshjeve të lidhura poashtu me historinë. Pengimi i zbatimit të kësaj Marrëveshjeje do të rikthente tensionet në relacionin Shkup-Sofje, do ta ringjallte veton bullgare për integrim në BE dhe do të rriste tensionet ndëretnike brenda Maqedonisë së Veriut. Një skenar i dëshiruar nga Rusia, e cila e di se ndikimi i saj në rajon është i barasvlershëm me thellësinë e ndasive që i shkakton.
Vitin e ardhshëm Maqedonia e Veriut duhet të ndryshojë Kushtetutën me qëllim të përfshirjes së bullgarëve etnikë aty. Kjo është një nga shtyllat e Propozimit Francez, i cili mundësoi heqjen e vetos bullgare, që për dy vite pamundësoi Maqedoninë e Veriut të nisë negociatat për anëtarësim në BE. Ky Propozimin në fakt ishte garanci se Marrëveshja e Fqinjësisë së Mirë do të zbatohet, pasi paraprakisht nuk ishte shënuar asnjë përparim në pastrimin e dilemave lidhur me figurat historike. Arritja e shumicës së dy të tretave (80 nga 120 deputetë) nuk po shkon si duhet, ndërkohë që procesi i skriningut pritet të përfundojë në qershor. Kjo pikë kthese gjithsesi se do të shfrytëzohet nga forcat pro-ruse për të vonuar sa më shumë procesin eurointegrues, njëjtë siç ndodhi në vitin 2018 me tentimet për pengimin e ndryshimeve kushtetuese për zbatimin e Marrëveshjes së Prespës me Greqinë, e cila hapi dyert e NATO-s për Maqedoninë e Veriut. Lufta në Ukrainë, ndërkaq, i bën këto ndikime edhe më të rrezikshme për sigurinë dhe stabilitetin jo vetëm të vendit.