SHQIPËRIA ABSURDE E LEA YPIT

7 Minuta Lexim

Bardh Frangu

Libri i Lea Ypit “Të lirë” ose “Të rritesh në fund të historisë” si lloj i shkrimit më shumë i ngjet një ditari. Të thuash se ky është një roman, siç kanë pandehur disa, kjo nuk qëndron, nuk qëndron as fakti se ky mund të jetë një roman autobiografik, sepse i mungon ndërlidhje e faktit me fiksionin. Tjetër gjë është që ka shumë situata, të cilat na duken si surrealiste, meqë shkojnë përtej akceptimit të mendjes së shëndoshë, por që në fakt janë të vërteta. Ndoshta atij që nuk e njeh realitetin shqiptar të përshkruar në këtë libër edhe i duken situata të trilluara, por në fakt nuk janë të tilla, si bie fjala konflikti për kanaçen, tipi që bartë me karrocë një raketë RS-82, ose deputeti demokrat me çorapët socialiste. Këto vërtetë janë skena të një grotesku, por që i ka krijuar vetë realiteti shqiptar e jo autorja.
Një kapitull andej nga fundi i librit, të cilin e titullon “1997”, e përshkruan me data, përkatësisht me ditë. Në fakt këto data veç sa i mungojnë pjesës tjetër të librit për ta definuar si një ditar, brenda të cilit vlon koha e tranzicionit të përgjakshëm shqiptar.
Lea Ypi librin e fillon në formë prologu me kokën e Stalinit (heroin e saj të fëmijërisë) për ta përfunduar me epilogun, ku ndër duar ka “Kapitalin” e Marksit (brenda të cilit mbërthehet në fund të historisë). Mbase i gjithë prologu është një refleksion mbi filozofinë dhe pozicionin e saj në të, përkatësisht bindjet e saj ideologjike në favor të së majtës.
Posa lexon faqet e para të këtij libri ndërmend të vije libri i At Zef Pllumit “Rrno për me tregue” (përmendorja më e bukur e kujtesës sonë), ku përfshihet pjesa më e errët e historisë së Shqipërisë e kaluar në diktaturë, pjesa deri kur Lea është ende fëmijë dhe jeton kohën kur diktatori Hoxha ende ishte gjallë. Sheh tani se ndërsa At Zef Pllumi përshkruan Ferrin, Lea përshkruan Purgatorin, i cili në fakt është një si vazhdim i Ferrit, por me një dritë të dukshme në fund të tunelit. Këto dy libra sikur plotësojnë njëra-tjetrën për të na e dhënë një tablo të plotë për historinë pak mbi pesëdhjetëvjeçare të Shqipërisë.
Gjatë gjithë librit Lea rrëfen në veten e parë, siç edhe nënkupton ky lloj i shkrimit. Në fakt libri është rrëfimi i saj për familjen, rrethin dhe për të personalisht, duke mos përjashtuar edhe përsiatjet për lirinë individuale dhe për botëkuptimet që e preokupojnë atë. Në këtë mënyrë nëpërmjet portretit të saj na shfaqet harta politike e Shqipërisë së këtyre viteve.
Gjuha e rrëfimit është e thjeshtë dhe e përqendruar në përshkrimin e detajeve që duken si të parëndësishme, por që mjeshtërisht e kompletojnë tablonë që synon ta ndërtojë ajo. Në këtë kontekst të kujton librin e artistit tonë Bekim Fehmiut “E shkëlqyeshme dhe e tmerrshme”.
Gjuha si material ndërtimi në këtë libër është bukur e veçantë. Autorja përdorë fjalë dhe shprehje që nuk përkojnë me standardin, madje përdorë fjalë dhe shprehje edhe në gjuhë tjera pa dhënë ndonjë shpjegim. Po në përgjithësi libri ndërtohet nëpërmjet një sintakse që mundëson lexim të rrjedhshëm.
Si mbesa e Xhafer Ypit, një personazh i njohur nga historia, dhe bija e një deputeti demokrat, ajo bën një jetë më të veçantë brenda shoqërisë shqiptare, mbase kjo ia kishte mundësuar që bashkë me gjyshen e saj të bënte një vizitë edhe në Greqi, ku do të mund të gjente edhe kanaçe të mbushura brenda frigoriferit. Por në realitetin e krijuar shqiptar, ku dominonte absurdi, nëna e saj, si shumë shqiptarë tjerë do të ikën në Itali, ku do të pastronte nevojtoret. Paradoksalisht nga përfitimet që i rrjedhin nga trashëgimia, Lea ka mundësi të bëjë një jetë të rehatshme në rrethin e atyre majtistëve që janë të bindur se nuk duhet shpjeguar botën, por duhet ndryshuar atë.
Në fund të librit, përkatësisht në pjesën e epilogut, Lea do të shkruaj: “E shkrova këtë histori për të shpjeguar, për t’u pajtuar, për të vazhduar betejën”. Sipas kësaj logjike ajo vazhdon të përpiqet për ta ndërruar botën, madje në këtë kontekst ajo nuk u hamend që të ngrihet edhe kundër sanksioneve ndaj Rusisë, nga fakti që edhe vetë ishte prodhim i një vendi të izoluar, por edhe si një majtiste gjithsesi. Po kjo është një çështje tjetër që nuk duhet ndërlidhur me librin, i cili jo vetëm në botën shqiptare, por edhe në vende të ndryshme të Evropës ka zgjuar një interesim të madh, duke u përkthyer menjëherë në disa gjuhë të huaja. Kur jemi këtu te përkthimi dhe interesimi i të huajve duhet thënë se realiteti absurd i përshkruar në këtë libër sigurisht që mund të ketë zgjuar interesimin, sikundër që edhe më herët kishte zgjuar interesimin për të huajt një Shqipëri ekzotike, ku imazhe të veprave të Homerit mund t’i gjeje vetëm aty.
Sigurisht që libri do t’i shërbejë kulturës së kujtesës sonë dhe mbase do ta shpërndajë nëpër botë imazhin e një Shqipërie që në vitet nëntëdhjeta të shekullit të kaluar kishte kaluar një eksod biblik dhe një konflikt të brendshëm tepër absurd. Tjetër gjë është çështja e nostalgjikëve të diktaturës, të cilët Lea i ushqen edhe me faktin se librin e saj e promovon në vilën e diktatorit Enver Hoxha.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull