Parku kombëtar i Valbonës po shndërrohet në kantier ndërtimi për resorte

16 Minuta Lexim

Lugina e Valbonës në zemër të Alpeve shqiptare po kërcënohet nga një valë e re ndërtimesh shumëkatëshe – që sipas banorëve dhe aktivistëve po vënë në rrezik mbrojtjen e ekosistemit dhe zhvillimin e qëndrueshëm.

Nga Bashkim Shala

Catherine Bohne erdhi me shpresa të mëdha nga Shtetet e Bashkuara në Valbonë rreth 15 vjet më parë, por u detyrua të largohej që aty e zhgënjyer.

Pasi udhëhoqi një betejë të gjatë për mbrojtjen e luginës së Valbonës nga HEC-et, aktivistja amerikane u zhvendos në heshtje drejt një fshati të paprekur në periferi të qytetit të Bajram Currit, ku mbarështon dy kuaj, një lopë si dhe disa rosa e pula.

Bohne thotë se u detyrua të largohej nga Valbona për shkak të ‘katastrofës së ndërtimeve’.

“Valbona tashmë është kthyer si një park për oligarkët,” tha Bohne me keqardhje.

Mes pasurive natyrore më të vyera të Shqipërisë, parku kombëtar “Lugina e Valbonës” në zemër të Alpeve shqiptare është ndër më të betonizuarit.

Ndërsa dhjetëra banesa dhe bujtina të banorëve të zonës presin prej vitesh legalizimet, kantiere të reja për ndërtimin e hoteleve shumëkatëshe janë ngritur tashmë brenda zonës së mbrojtur, përmes lejeve të lëshuara nga Këshilli Kombëtar i Territorit apo Bashkia e Tropojës.

Sheshet e reja të ndërtimit nisin nga Shoshani në hyrje të parkut kombëtar, vazhdojnë në Dragobi dhe Valbonë dhe përfundojnë në Rrogam të Shalës, me godina që synojnë të ofrojnë shërbime turistike luksoze në të ardhmen.

Të miratuara në mungesë të një plani të detajuar vendor, banorët dhe aktivistët e natyrës i shohin këto ndërtime si një kërcënim për ekosistemin dhe zhvillimin e qëndrueshëm.

“Valbona është viktimë e diktatit të njeriut në dëm të natyrës,” i tha BIRN diplomati Islam Lauka, njëherazi aktivist i zëshëm në mbrojtje të parkut kombëtar.

“Është fakt që pas viteve ’90, Lugina e Valbonës njohu njëfarë zhvillimi, por ky zhvillim nuk mund të vlerësohet si i qëndrueshëm, që të marrë në konsideratë ruajtjen e ekosistemit unik të kësaj lugine,” shtoi Lauka.

Kryetari i Bashkisë së Tropojës, Rexhë Byberi, pranoi për BIRN se leje për ndërtimin e hoteleve ishin lëshuar ‘jashtë kompetencave’ edhe nga institucioni që ai drejton, përpara se ai të merrte detyrën.

“Unë si kryetar i bashkisë nuk kam dhënë asnjë leje për ndërtime në Valbonë, pasi nuk është në kompetencë të bashkisë,” tha Byberi.

Zhvillimi kaotik i turizmit

Parku Kombëtar “Lugina e Valbonës” shtrihet në 8 mijë hektarë tokë në skajin verior të Shqipërisë, duke përfshirë lumin Valbona dhe zonat malore përreth me peizazhe alpine, sipërfaqe pyjore dhe burime të shumta ujore.

Në janar të këtij viti, qeveria shqiptare vendosi ta bashkojë Luginën e Valbonës me Thethin në perëndim dhe lumin e Gashit në lindje, në një park të madh kombëtar të quajtur “Alpet Shqiptare”- një ekosistem me vlera të larta për trashëgiminë natyrore dhe biodiversitetin, që gëzon ligjërisht shkallën më të lartë të mbrojtjes.

Parku kombëtar është kthyer në një destinacion të rëndësishëm të turizmit malor gjatë viteve të fundit, por nuk ka qenë gjithmonë i tillë.

Në fillim të shekullit XX, fshati Valbonë kishte vetëm një duzinë shtëpish, ndërsa me ardhjen e komunizmit në Shqipëri, prioritet ishte ngritja e kooperativës dhe rritja e blegtorisë dhe bujqësisë.

Brahim Valbona, 86 vjeç, i cili punoi si kryetar i kooperativës së Dragobisë deri në kapërcyell të regjimit komunist, i tha BIRN se fshatrat Valbonë, Rrogam dhe Çerem numëronin së bashku mijëra krerë bagëti, ndërsa kultura kryesore në bujqësi ishte mbjellja e patates.

Lugina e Valbonës u projektua si zonë turistike rreth një dekadë pas ngritjes së kooperativës, në mesin e viteve ’70, kur u ndërtua edhe hotel-turizmi i parë.

“Hoteli vizitohej nga të huaj, kryesisht albanologë që vinin për punë studimore në Shqipëri, ndonjë nga grupet marksiste-leniniste që vinin si turistë,” kujton i moshuari. Funksionarët e Partisë së Punës ishin sipas tij vizitorët e vetëm vendas të hotel-turizmit në Valbonë.

Pas rënies së regjimit komunist, Alpet e Shqipërisë u hapën ndaj turistëve të huaj dhe banorët vendas e gjetën veten të angazhuar vrullshëm me turizmin. Në mungesë të kontrollit të territorit dhe të planeve rregulluese, shumë prej tyre ndërtuan pa lejen e autoriteteve.

Alfred Selimaj u kthye nga emigracioni në Britani në mesin e viteve 2000 dhe ishte ndër të parët që investoi për të hapur një aktivitet turistik në Valbonë.

“Kur unë kam filluar të investoj në turizëm në Valbonë në vitin 2004, në Tropojë shteti nuk ishte funksional,” kujton Selimaj, i cili zotëron sot bashkë me vëllezërit një kompleks bujtinash në lagjen Selimaj dhe kompleksin “Rilindja” në Qukë të Valbonës.

Selimaj thotë se gjendet shpesh nën kërcënimin e rruspave të Inspektoriatit Ndërtimor dhe i kërkon zgjidhje shtetit për pronat e tij. Me dhjetëra banorë të tjerë të zonës gjenden në të njëjtën situatë pasigurie.

Sipas Agjencisë Shtetërore të Kadastrës në Kukës, ASHK, nga njësia administrative Margegaj që mbulon të gjithë zonën e mbrojtur, janë depozituar 83 vetëdeklarime për ndërtesat informale, por nuk është legalizuar asnjëra prej tyre. Agjencia lokale e Kadastrës i tha BIRN se nuk e kishte bërë ende identifikimin në terren të objekteve të deklaruara në fshatin e Valbonës.

Ndërtimet pa leje vazhdojnë të mbeten krimi mjedisor më i përhapur në Luginën e Valbonës me 35 raste të proceduara përgjatë viteve 2018-2002. Vetëm gjatë vitit të fundit, Inspektoriati i Mbrojtjes së Territorit pranë Bashkisë ka vendosur pesë gjoba dhe ka ndërmarrë pesë vendime për prishjen e objekteve pa leje, por asnjëri prej tyre nuk është prishur.

“Mungesa e mjeteve të rënda që nuk i disponon Bashkia e kanë ngadalësuar këtë proces,” tha IMT në një përgjigje me shkrim.

Sipas Halim Demirit, topograf nga Bajram Curri, të gjitha ndërtimet pa leje në Valbonë janë ndërtuar në prona private, përmes lejeve provizore nga komunat, që sipas tij kanë qenë të kundraligjshme.

“Prona ka shkuar në kufijtë e vjetër, por dokumentacioni i pronësisë në Tropojë nuk është i kompletuar,” tha Demiri, ndërsa shtoi se pjesa më e madhe e këtyre ndërtimeve janë njësi shërbimi.

Vladimir Spahiu, drejtor i ASHK Kukës i tha BIRN se “shqiptarët e kanë sport kombëtar ndërtimin pa leje” dhe se zonat e mbrojtura nuk bëjnë diferencë.

“Nuk mund të legalizosh një objekt pa pasë idenë e urbanizmit. Ndërkohë që urbanizimi nuk mund të bëhet pa një Plan të Detajuar Vendor,” tha Spahiu, ndërsa shtoi se mungesa e këtij plani po pengonte procesin e legalizimit.

Leje për resorte luksoze

Numri total i njësive të akomodimit në Luginën e Valbonës është i paqartë, pasi vetëm 25 prej tyre e kanë të regjistruar aktivitetin në bashkinë e Tropojës dhe paguajnë taksën e fjetjes; mes së cilave shtatë si hotele dhe 18 si bujtina. Këto njësi akomoduese ofrojnë së bashku 214 dhoma me 543 shtretër.

Në drejtorinë Rajonale të Tatimeve në Kukës, numri i bizneseve të regjistruara është më i vogël. Nga 16 subjekte të regjistruara, katër e ushtrojnë aktivitetin si biznes i madh dhe 12 të tjerat si biznes i vogël.

Megjithatë, perspektiva turistike e zonës i ka shtyrë investitorët e mëdhenj që të kërkojnë më shumë leje për ndërtimin e resorteve.

Ish-hotel turizmi i dikurshëm është transformuar tashmë në “Valbona Resort”; një hotel me pesë yje i ndërtuar nga biznesmeni i tregut të sigurimeve, Avni Ponari, përmes një lejeje të lëshuar nga Këshilli Kombëtar i Territorit, KKT.

Hoteli pritet së shpejti të zgjerohet, pasi në mbledhjen e fundit të KKT-së të mbajtur në fillim të tetorit, u miratua edhe një leje e dytë ndërtimi për “Ndërtesën B” pranë “Valbona Resort” në pronësi të Ponarit.

Kompania “Sahhilba” e biznesmenit Haxhi Bardhi ka rrethuar me mur betoni një sipërfaqe trualli përballë Qendrës së Zhvillimit të Turizmit në Valbonë dhe ka ngritur aty një kantier të ri ndërtimi.

Në janar të këtij viti, kompania “Sahhilba” siguroi një leje mjedisore paraprake për ndërtimin e një resorti agro-turistik të quajtur “Amza Glamping Valbona” – gjithashtu në formën e një kampingu luksoz.

Leje ndërtimi ka dhënë edhe Bashkia e Tropojës, pavarësisht se kompetencat e saj në zonat e mbrojtura janë të kufizuara.

Në përgjigje të një kërkese për të drejtë informimi, Bashkia e Tropojës i tha BIRN se kishte dhënë 12 leje ndërtimi ndërtimi në Luginën e Valbonës, mes së cilave tre për hotele dhe nëntë të tjera për shtëpi banimi.

Sipas kryebashkiakut Rexhe Byberi, lejet e ndërtimit për hotele ishin lëshuar nga paraardhësi i tij.

“Lejet nga ana e bashkisë Tropojë i janë dhënë Mirash Lamthit për hotel te Fusha e Gjësë në Rrogam të Shalës dhe Erzen Breçanit në Valbonë,” sqaroi Byberi për BIRN.

Lamthi është një operator i hershëm turistik në Valbonë dhe e ka përfunduar hotelin e tij 4-katësh me materiale druri dhe guri. Ndërsa Breçani, një ish-drejtues i Policisë së Shtetit, ka ngritur karabinanë e hotelit dhe është në fazën e vendosjes së çatisë alpine.

Investitorët e këtyre projekteve i thanë BIRN se i kishin siguruar lejet konform legjislacionit në fuqi dhe se po kontribuonin për zhvillimin turistik të zonës.

“Në Valbonë ekziston një plan zhvillimi, ku është përcaktuar në detaje se çfarë do të ndërtohet. Unë kam rikonstruktuar hotelin ekzistues me lejen e KKT,” tha Avni Ponari, pronar i “Valbona Resort”.

Por ndryshe nga fillimet e investimit të tij, Ponari e sheh të zymtë perspektivën e turizmit në Valbonë.

“Valbona është sot zonë e vdekur, nuk ka njerëz dhe as kush do të shërbejë. Unë kam filluar të investoj 6-7 vite përpara kur kishte perspektivë, por e ardhmja duket e zymtë,” theksoi Ponari, ndërsa shtoi se zona po përballej me mungesë të fuqisë punëtore dhe probleme të mëdha të infrastrukturës.

Haxhi Bardhi i tha BIRN se kompania e tij e kishte marrë lejen e zhvillimit nga KKT në gusht për një projekt miqësor me natyrën dhe se përveç strukturave akomoduese, do të ndërtonte edhe një stallë dhe fabrikë të përpunimit të qumështit të dhisë.

Lamthi dhe Breçani këmbëngulën gjithashtu në biseda telefonike me BIRN se lejet e ndërtimit i kishin siguruar nga bashkia në përputhje me ligjin dhe se i shërbenin zhvillimit të zonës.

“Unë lejen e kam marrë nga institucioni i Bashkisë dhe jo nga kryetarët që ndërrohen,” tha Breçani, ndërsa sqaroi se leja shtrihej në një gjurmë prej 500 metrash katrorë dhe 17 metra e lartë.

Ndërsa Mirash Lamthi tha se e kishte marrë lejen nga Bashkia përpara se të ndryshonte legjislacioni dhe se e kishte përfunduar hotelin në përputhje me pasaportën e ndërtimit.

 “Po ndërton kush ka para”

Legjislacioni shqiptar i kufizon ndërtimet në zonat e përdorimit tradicional në parqet kombëtare dhe lejon ndërtime të cilat nuk cenojnë integritetin ekologjik dhe vlerat e peizazhit natyror. Por lart në bjeshkë, Brahim Valbona është i shqetësuar se turizmi në Valbonë po udhëhiqet nga paraja dhe jo nga vizioni.

I moshuari është ndër banorët e paktë që nuk janë angazhuar në turizëm dhe jeton ende në shtëpinë e vjetër alpine të ndërtuar përpara viteve ’90.

“Po ndërton kush ka para, lejet i merr kush ka para më shumë dhe valbonasit po shndërrohen si muhaxhirë në trojet e tyre shekullore,” tha 86-vjeçari duke kritikuar valën e re të ndërtimeve në zonë.

“Blegtoria tashmë nuk ekziston, bizneset nuk kanë qumësht për familjet e tyre, jo më për turistët,” tha Valbona, ndërsa shtoi se të gjithë po vrapojnë të merren me turizëm.

Ndërtesat e larta dhe mungesa e projekteve që garantojnë mbrojtjen e natyrës dhe zhvillimin e qëndrueshëm kritikohen edhe nga përfaqësues të shoqërisë civile.

Sipas diplomatit Lauka, objektet e reja me lartësi deri në 7-8 kate bien në kundërshtim me traditën e zonës dhe kushtet e terrenit.

“Në gjykimin tim, ndërtimet në Valbonë nuk duhet t’i kalojnë 2-3 kate dhe kurrësesi nuk duhet të dalin mbi lartësitë e bredhave dhe pishave”, theksoi ai.

Agron Gjedia nga shoqata “Bytyçi” bie dakord, ndërsa thekson rëndësinë e hartimit të një masterplani rregullues, jo vetëm për Luginën e Valbonës, por për bjeshkët e Tropojës në përgjithësi. Ai u bën thirrje autoriteteve që të mendojnë sa më parë për të ardhmen turistike të zonës.

“…Në mënyrë sa më emergjente kërkohet të merren masat përkatëse dhe të realizohen studime të peshuara dhe të përfundojë realizimi i masterplani jo vetëm për Valbonën, por për mbarë bjeshkët e Tropojës…,” tha Gjedia.

Të tjerë banorë i shohin me dyshim institucionet dhe i bëjnë ato përgjegjëse për betonizimin e parkut kombëtar.

“Nuk jemi ende gati për të administruar Valbonën dhe për të mbrojtur thesaret e saj,” tha aktivistja amerikane, Catherine Bohne.

“Në park kombëtar nuk mund të bëhen hotele dhe turistët nuk kanë para që të frekuentojnë hotele të tilla,” theksoi Bohne, ndërsa shtoi: “turistët kërkojnë natyrë, qetësi, traditë dhe të paguajnë sa më pak”.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull