Luçiano Boçi: Dera e selisë së PD, e hapur dhe për Gaz Bardhin

4 Minuta Lexim

Socialistët propozuan një tjetër formule qe duket si kompromis për reformën territoriale. Taulant Balla deklaroi se palët do të ulen javën tjetër për të diskutuar propozimet për të shtuar apo edhe për të ulur numrin e bashkive. E kjo situatë duket se i kombinon më shumë Partisë Demokratike, ku palët brenda saj duket se janë në negociatat e para për t’u ulur dhe për të dalë me një draft të përbashkët për reformën territorial, por hapi final është për zgjedhjet lokale.

Ndërkohë, grupi i deputetëve demokratë që janë rreth Alibeajt vendosën që të gjejnë formulën e bashkëpunimit mes demokratësh dhe opozitës me qëllim që në zgjedhjet lokale të dalin me 1 kandidat. Madje, ata kanë ngarkuar për negociata Gazmend Bardhin.

Në anën tjetër pritet edhe dekreti i presidentit Begaj për datën se kur do të mbahen zgjedhjet e ardhshme lokale, ndërsa demokratët në përpjekje mes negociatave se brendshmi, do të mbajnë primaret me qëllim që deri në fund të këtij muaji kenë emrat e kandidatëve për kryeashkiakë.

Por, a ka negociata dhe nëse jo kur do të nisin ato kur kemi dy të mandatuar Edi Palokën dhe Gazmend Bardhin?

Për këto zhvillime foli në Debat me Alba Alishanin në A2 CNN Luçiano Boçi, nënkryetar i PD. Ai u shpreh se tashmë duket se ka një tejkalim të ngërçit.

“Ato që na bashkojnë janë proceset brenda PD. Rregullimet për të dalë me një draft për reformën territoriale që t’i shërbejnë publikut. Kemi disa gjëra për të biseduar. Është mirë që këto bisedime të konkludojnë në një qëndrim të përbashkët. Në raport edhe me rezultatin e primareve.

Është një bashkim vertikal dhe e kërkoi që ai të jetë i njëkohshëm edhe me horizontalin. Unë mendoj se edhe ngërçet e para… duket se ka një lloj tejkalimi ngërçi. Duhet pasuruar më tej sepse ka gjëra shumë të vogla, por që i shërbejnë bashkimit horizontal shumë, siç është pranimi në grupin parlamentar i deputetëve zyrtarisht.

Nëse do të kishte një akt të vërtetë bashkimi, atëherë është tërheqja e ankimimit. Megjithatë, në këtë moment unë nuk po them meqë u mor gishti i vogël hajde të marrim të gjithë dorën”, tha Boçi.

Më tej, ai u shpreh se ende nuk ka një datë për takimin mes Palokës dhe Bardhit, por theksoi se takimi mes tyre mund të mbahet edhe në selinë e PD. Ai tha se Bardhit nuk i është ndaluar asnjëherë që të shkojë në selinë blu.

“Kjo është pjesë e bisedave që ndonjëherë nuk kanë edhe formë zyrtare. Nëse do të kishte një datë do të ishte publikuar.

Biseda do të jenë edhe të tilla, edhe të nivelit jozyrtar. Zotit Bardhi nuk ia ka ndaluar njeri, si dikur neve, hyrjen në selinë e PD, nuk ka pasur asnjë ndalesë, as për mbledhjet e grupit të tyre që i zhvillojnë në ambientet e parlamentit”, tha Boçi.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull