Kryetari i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla nuk beson se shqiptarët do të përdoren nga opozita për protestat e saj antiqeveritare.
Ai është i vetëdijshëm se ajo që e quan “inflacion i luftës” për shkak të luftës në Ukrainë, ka goditur shqiptarët por shton se masat e marra nga qeveria për të mbrojtur qytetarët janë më të forta se thirrjet e opozitës për protesta.
“Shqipëria po përballet me inflacionin e luftës . Vëmendja jonë është tek familjet që po vuajnë çmimet e larta. Ne jemi vend importues drithrash, energjie elektrike, ushqimesh.
Qeveria ka arritur që me këtë buxhet që ka Shqipëria, të ruajë të paprekur çmimin e energjisë elektrike. Këtu, si në të gjithë Evropën dhe në SHBA, po luftohet me inflacionin, jo me bomba. Shpërthimi i kësaj bombe është tek çmimet. Luftrat duan solidaritet.
Pastaj, se ka elementë të caktuar që luftën duan ta përdorin për instrumentin e tyre politik si shpresa e vetme për të fituar kredibilitet politik, le ta bëjnë.
Kush mendon se do të marrë shqiptarët mish për top për hallin e vet që i ka rënë, se nuk ka hall më të madh se ky i Berishës, nuk besoj se shqiptarët mund të mashtrohen nga binomi mes Sali Berishës dhe Ilir Metës”– u shpreh zoti Balla për emisionin “Pa Censurë” në RTSH.