Shkëmbimet kulturore- Një nga shtyllat kryesore të diplomacisë kineze

9 Minuta Lexim

Iljaz Spahiu

Kina, vendi me popullsinë më të madhe në botë, është sot jo vetëm një superfuqi ekonomike e një lojtar i rëndësishëm në arën politike ndërkombëtare, por gjithashtu edhe një prodhuese, eksportuese dhe importuese e pakrahasueshme e produkteve kulturore.

nga VCG

nga VCG

Eksplorimi dhe promovimi i kulturës tradicionale kineze ka qenë dhe mbetet një nga angazhimet më të rëndësishme në vend, me synimin forcimin e identitetit dhe besimit tek kultura kineze, përfaqësuese e një prej civilizimeve më të vjetra në botë. Një bum në zhvillimin kulturor ka përjetuar Kina sidomos në dhjetë vjeçarin e fundit, ku në bazë të një strategjie kombëtare janë shtuar përpjekjet për ruajtjen, zhvillimin dhe promovimin e kulturës tradicionale. Kështu sipas Agjencisë Xinhua, është krijuar një sistem i shkallëzuar i trashëgimisë kulturore jomateriale, që shtrihet në nivel kombëtar, provincial, bashkie dhe qarku. Janë krijuar njëzet e tre zona kombëtare të mbrojtjes së ekologjisë kulturore për të ndihmuar në zhvillimin e kulturës tradicionale në zonat me përqendrime të larta të burimeve të trashëgimisë kulturore jomateriale. Ndërkohë  135 qytete historike dhe kulturore janë vënë në mbrojtje në nivel kombëtar.

Gjithashtu një aspekt i veçantë i zhvillimit kulturor janë edhe përpjekjet për të nxitur zbutjen e varfërisë nëpërmjet kulturës dhe turizmit, duke vlerësuar rolin e madh që këto dy sektorë mund të luajnë për motivimin dhe pasurimin e njerëzve. Kështu, gjithnjë sipas Agjencisë Xinhua, vetëm gjatë pesë viteve të fundit në Kinë janë investuar më shumë se 980 milionë dollarë për zhvillimin e turizmit kulturor, me synim shndërrimin e  burimeve kulturore dhe natyrore në pasuri për rajonet e varfra.

nga VCG

nga VCG

Masat e shumta që janë marrë  për të thelluar reformën dhe hapjen në fushën kulturore, synojnë  të zgjerojë importet e vendit të produkteve dhe shërbimeve kulturore me cilësi të lartë dhe të inkurajojë eksportin e produkteve radiofonikë, filmave dhe programe televizive.  Ndërkohë që Kina inkurajon bizneset të ofrojnë shërbime të tilla si përkthimi, dublimi, redaktimi dhe postproduksioni për filmat dhe programet televizive, animacionet dhe lojërat e prodhuara jashtë vendit, si dhe të zgjerojë në mënyrë aktive praninë e Kinës në tregun e vendeve të përfshira në Iniciativën Një Brez, Një Rrugë.

Mjafton të përmendim se  sipas të dhënave të Ministrisë së Tregtisë, tregtia e jashtme kulturore e Kinës njohu një rritje të fuqishme prej 38.7 për qind nga viti në vit për të arritur në 200 miliardë dollarë në vitin 2021.

Ndërkohë, Kina shkëmbimet kulturore e njerëzore i ka vlerësuar  si një risi e rëndësishme të diplomacisë me  karakteristika kineze të një vendi të madh  në epokën e re, i konsideron si një nga tre  shtyllat më të rëndësishme të diplomacisë së vendit të madh, duke ngritur ne një sistem funksional të këtyre shkëmbimeve mes Kinës dhe vendeve të huaja, si dhe duke ofruar një rrugë të re për ndërtimin e Komunitetit  të fateve të përbashkëta të njerëzimit dh zbatimin e diplomacisë me karakteristika kineze.

nga VCG

nga VCG

nga VCG

Kina si vendi me popullsinë më të madhe në botë, si fuqia e dytë ekonomike, si vend me potencial gjithnjë në rritje në skenën ndërkombëtare, sigurisht ka shumë nevojë të njohë e të kuptojë  botën, por edhe të njihet e të kuptohet nga të tjerët. Disa nisma madhore të ndërmarra prej saj, si Një brez, një Rrugë, mekanizmi i bashkëpunimit Kinë-Vendet e Europës Qendrore e Lindore, apo iniciativa të shpallura periudhën e fundit si, Nisma e Zhvillimit Global, Nisma e Sigurisë Globale, apo një sërë  nismash e projektesh rajonalë e globalë, kërkojnë mbi të gjitha mirëkuptimin e pranimin reciprok të kulturave, bashkëjetesën mes tyre, pasi vetëm kështu mund të nxitet harmonia sociale dhe harmonia mes vendeve. Vetëm me thellimin e njohjes dhe mirëkuptimit  reciprok mes popujve, do të mësohemi të bashkëjetojmë e bashkëpunojmë me njerëz që vijnë nga kultura  e civilizime të ndryshme, aq më tepër që në shekullin e 21-të, janë bërë gjithnjë e më të dukshme tiparet e epokës së globalizmit, ndërkombëtarizimit, diversitet dhe informatizimit.

Nëse marrim si shembull shkëmbimet kulturore mes Kinës dhe vendeve të Europës Qendrore e Lindore, vërejmë se qysh pas krijimit të këtij mekanizmi bashkëpunimi, është konsoliduar më tej miqësia tradicionale mes dy palëve, është pasuruar fusha e shkëmbimeve kulturore e njerëzore, duke përfshirë tashmë arsimin, teknologjinë, krijimtarinë kulturore e artistike, filmin, gjuhën etj, si dhe janë ngritur afro 20 platforma profesionale shkëmbimesh.

Një fushë mjaft e suksesshme bashkëpunimi në kuadër të këtij mekanizmi është edhe turizmi. Disa vende, përfshirë edhe Shqipërinë kanë aplikuar politikën e hyrjes pa viza për qytetarët kinezë gjatë sezonit turistik, duke tërhequr kështu  gjithnjë e më shumë turistë kinezë.

Shkëmbimet kulturore e njerëzore mes Kinës dhe vendeve të Europës Qendrore e Lindore, janë jo vetëm ura komunikimi për rritjen e njohjes dhe besimit reciprok, por edhe ura të lidhjeve emocionale e shpirtërore mes njerëzve, duke zgjeruar kështu njohjen dhe pranimin reciprok.  Fushat e bashkëpunimit përfshijnë përkthimin, botimet, filmat, artet, muzetë, letërsinë, median, muzikën, sportet  e shumë fusha të tjera. Përmendim këtu “Programin e  përkthimit dhe botimit të librave nga Kina dhe nga Shqipëria”, i cili tashmë është funksional prej më shumë se 6 vitesh dhe falë tij, libri kinez ka tashmë vendin që meriton në tregun e librit ndërkombëtar të përkthyer në shqip, ndërkohë që edhe vepra të autorëve shqiptarë janë tashmë në duart e lexuesit kinez.

nga VCG

nga VCG

Kultura kineze, e përfaqësuar nga gjuha kineze, letërsia, historia, artet marciale, arti popullor dhe kulinaria kineze, po njihet e përqafohet gjithnjë e më shumë  në të gjithë globin. Shumë seriale televizive, filma dhe libra kinezë janë mirëpritur nga audienca dhe lexuesit e huaj, duke ndihmuar botën të kuptojë më mirë Kinën dhe popullin kinez.

Megjithatë, duhet thënë se herë pas here promovimi i kulturës kineze ka hasur në vështirësi, për shkak të  keqkuptimeve ose mënyrave të ndryshme të të menduarit, të teorive mbi “rrezikun kinez”, “ mbi përplasjen e qytetërimeve”, etj.

Shkëmbimet kulturore duhet të synojnë përmirësimin e mirëkuptimit dhe përfitimit të ndërsjellë,  si dhe nxitjen  e prosperitetit të përbashkët. Duke pasur parasysh ndikimin shkatërrues të pandemisë COVID-19 në komunitetin ndërkombëtar dhe ekonominë globale, është e nevojshme që vendet të zhvillojnë një dialog të thellë e të gjithanshëm, me synimin për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për njerëzimin.

Këtij qëllimi i shërben edhe i ashtuquajturi Forumi Nishan mbi qytetërimet botërore, i cili në pikun e pandemisë së Covid-19, u mblodh për herë të shtatë në Qufu, vendlindjen e Konfucit, filozofit të famshëm të Kinës Antike, dhe si temë jo më kot kishte përcaktuar “Dialogun mes qytetërimeve dhe bashkëpunimin global”. Në këtë Forum, studiues e specialistë nga shumë vende të botës ishin të një mendimi se, vetëm bashkëpunimi i bazuar në dialog me respekt të ndërsjellë është zgjidhja përfundimtare për sfidat globale me të cilat përballet i gjithë njerëzimi dhe që qytetërimi njerëzor të ecë përpara.

Historia e marrëdhënieve miqësore gati gati proverbiale mes Kinës dhe Shqipërisë është ndoshta dëshmia më domethënëse për rëndësinë që kanë shkëmbimet kulturore dhe kontaktet njerëzore për mbajtjen gjallë të ndjenjave të miqësisë mes popujve, për ruajtjen e trashëgimin e marrëdhënieve miqësore mes popullit shqiptar dhe atij kinez, si dhe për nxitjen e forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve e qeverive të tyre.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull