Biznesi gjerman i bën thirrje sipërmarrjeve shqiptare për bashkëpunim në fushën e eksporteve. Janë 52 kompani të përzgjedhura gjermane, që nëpërmjet institucionit të tyre përfaqësues në Shqipëri, Dhomës Gjermanë të Industrisë dhe Tregtisë, bëjnë thirrje për të siguruar bashkëpunim me kompani shqiptare, në fusha të ndryshme.
Thirrja bëhet në kuadër të një projekti të përbashkët mes dhomave të tregtisë gjermane dhe dhomave të njëjtit profil të Ballkanit.
Kompanitë gjermanë këmbëngulin të rrisin bashkëpunimin në fusha me interes për industrinë gjermane. Sidomos përsa i përket menaxhimit të blerjes dhe logjistikës së materialeve.
closevolume_off
Thirrja ka të bëjë me të gjitha ato kompani shqiptare, që kanë kapacitet prodhues, eksportues dhe, që janë të afta t’u shesin produktet e tyre 52 kompanive gjermane në fushën e ndërtimit të makinerive, industrisë automotive, valvulave industriale, përpunimit të materialeve metalike, plastike, elektronike etj.
Bizneset shqiptare, që kanë interes, duhet ta shprehin këtë interes brenda muajit tetor 2022, ndërsa pala gjermane do të organizojë takimet biznes- biznes në javën e parë të dhjetorit në Shtutgard.
Shoqata Gjermane e Industrisë dhe Tregtisë në Shqipëri (DIHA) përfaqëson interesat e biznesit gjerman në Shqipëri. Ajo nxit marrëdhëniet bilaterale të biznesit dhe jep konsulencë për kompanitë gjermane dhe shqiptare në lidhje me bashkëpunime të mundshme dhe zhvillime të tregut. DIHA është e lidhur me rrjetin e Dhomave Gjermane të Tregtisë me Jashtë (AHK).
Gjermania po bashkëpunon edhe me qeverinë shqiptare, për të promovuar zhvillimin e një ekonomie tregu të qëndrueshme nga pikëpamja sociale dhe ekologjike.
Që nga viti 1988 Gjermania ka kontribuar me fonde që arrijnë mbi 1 miliardë euro, kontribut që bën atë një nga donatorët më të rëndësishëm të Shqipërisë në marrëdhëniet dy palëshe.
“Gjermania është investitori i 11-të më i madh në Shqipëri”-theksohet në një njoftim të Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë.