Sadik Bejko
Në minierë… mbaja një largësi të kontrolluar ndaj të gjithëve.
Edhe ndaj njerëzve të mi më të afërt. Duhet të isha ashtu si thuhet sot “”politicaly corekt”. Nuk duhet të ndërhyja në zakonet, në përshtatjen e tyre ndaj regjimit. Kur hapeshin biseda politike, unë në heshtje, pa asnjë koment, pa aprovim… thjesht shmangesha.. i hapja rrugë vijës së rrjedhës të së përditshmes .
Edhe vëllezërit e mi të gjirit e të gjakut nuk i përzieja në hallet e mia. I mbaja mbi shpatullat e mia dhe vetëm për vete.
Qëndrimin e gojës së kyçur fort për politikën e mbaja ndaj kujtdo që më afrohej.
Në jetën e pas punës rrija vetëm. Pa u përzjerë në miqësi, në shoqëri, në më the të thashë me askënd.
Në fjetoren kolektive, pallatin tre katësh ku flija, kishte një sallë. Mbrëmjeve minatorët mblidheshin. Kishte një sobë të madhe me qymyr që e ngrohte mjedisin në dimër. Ata minatorë që ndjenin nevojën për shoqëri, zbrisnin aty. Një dorë letra, një lojë domino, cigare… tym… dhe muhabete koti për shtyrje kohe.
Zbrisja në këtë sallë. Si detyrim jo i shkruar, por… duhej për shoqërizim me të tjerët si ti.
Mrerja një libër, një gazetë… pyetesha përshëndetesha me disa të njohur..kaq.
Në raste të rralla, në mbrëmjet e pesëmbëdhjetëditëshave pasi ishin dhënë pagesat e dyjavorit, këto salla merrnin flakë. Vinin e flinin aty dhe minatorë që nuk banonin rregullisht në fjetoret e minierës. Flinin një a dy herë në muaj.
Këta mbas punës në minierë, ia mbathnin në shtëpi te gratë e fëmijët. Ishin burra të ashpër. Por për t’u respektuar. Një nga ata ishte dajua im. Këta fshatarë e bënin punën e minierës… si të dëshiruar e njëherësh si të ndëshkuar rëndë nga jeta.
Të shumë dëshiruar se kjo punë e rëndë i bënte me aq lekë sa ata ta mbanin me nder e djersë familjen. Të ndëshkuar se ata bënin një – dy deri tre orë rrugë me këmbë në borë, shi e në vapë për vajtje-ardhjen shtëpi-minierë. (Një nga këta ishte dajua im). Si spartanët e lashtë ata ia kishin dhënë jetën detyrës. Dhe kësaj i qëndronin fort si burra që ishin.
I respektoja. Nuk ishte nevoja t’ua tregoje respektin me fjalë. Të kuptonin që ti je një si ata, kur në vështirësi nuk e dridhje bythën. Nuk ishe si disa që e shisnin b…
Ishin nga rraca e të vuajturve. Deri në palcë, deri në dhembje. Deri në vetësakrifikim. Të mundimit për familjen…për fëmijët. Jo për llafe.
Ata i shtoheshin sallës në fund të 15- ditëshit, sidomos në ditët e ftohta me borë dhe me shi…
Në ngrohtësinë e alkolit që e kishin shijuar në klube… këndonin këngët tradicionale të zonës.
Disa prej tyre kishin zëra dhe stil aq të njohur që nga fëmijëria… Mua që nuk kisha radio, as tv në dhomën ku banoja, që kisha muaj e vite pa qenë në ndonjë koncert muzikor, në asnjë shfaqje muzikore… më linin pa mend.
Këndonin këngët e fëmijërisë sime, këngë që ishin kënduar nga gjyshat e mi nga nëna dhe nga babai. Këngë që ishin të vatrës sime kur në shtëpi kishim lindje a festa … pritje miqsh të zemrës…këngë që lindnin nga e panjohura e kujtesës, nga honet e arketipeve. Vetë çasti festiv, kënaqësia e asaj që jemi gjallë dhe mblidhemi bashkë në vatër… të tilla këngë i thërret, i ngjall.
Ata minatorë këndonin këngët e mia që, i larguar nga vendlindja, unë i kisha hedhur në anën e mbrapme të kujtesës sime dhe nuk e dija se ato rëndonin të gjallla te unë … të gjalla e të bukura ashtu si ditët e fëmijërisë paskeshin qenë…brenda meje.
Një nga këta që këndonin bukur, m’u afrua… të iku fytyra, më tha, kaq shumë të pëlqyem ne fshatarët. Shumë… shumë…i thashë. Iii, të dija burrë, më tha, ti u bëre baltë fare kur na dëgjove tek këndonim.
Pse… unë nuk u thashë asnjë fjalë..
A ha ha, ha ha.. më tha.. dhe më kthehu krahët.
I ishte bërë qejfi më shumë se mua…atij. Tani e dinte se unë isha njëri nga ata. Bindje që nuk do t’ia lëvizte njeri. Si ata … unë mund të lija dhe kokën për detyrimet që t’i vinte jeta.
Ptu.. kush u përdridhet detyrimeve, ptu.. kush nuk u vë supin, t’i mbajë ato.. Deri në fund.
Jo vetëm nga puna, punoja me ta krahë për krahë, por kur u pëlqeja dhe këngët, këta minatorë i kisha bërë miq që nuk do të më harronin për jetë.
Unë nuk i harroj ende. Dita sot.